Viti i “hektokornëve”, kompanitë teknologjike me vlerë mbi 100 miliardë dollarë që mund të dalin në bursë në 2026 - Business Magazine Albania

Viti i “hektokornëve”, kompanitë teknologjike me vlerë mbi 100 miliardë dollarë që mund të dalin në bursë në 2026

Viti i “hektokornëve”, kompanitë teknologjike me vlerë mbi 100 miliardë dollarë që mund të dalin në bursë në 2026

Me siguri keni dëgjuar për “unicornët”, startup-e teknologjike me vlerë mbi 1 miliard dollarë, por viti 2026 po projektohet si viti i “hektokornëve”, kompani që pritet të dalin në bursë me vlerësime mbi 100 miliardë dollarë (rreth 75 miliardë paund).

Mes emrave më të përfolur që mund të realizojnë një IPO (Initial Public Offering) këtë vit janë OpenAI, Anthropic, SpaceX dhe Stripe. Suksesi i këtyre listimeve, nëse aksionet do të ruajnë vlerën, do të rriten apo do të bien, pritet të ndikojë drejtpërdrejt në perceptimin global për garën e inteligjencës artificiale dhe në debatin nëse po përballemi apo jo me një flluskë tregu. Disa prej këtyre kompanive kishin plane për t’u listuar që vitin e kaluar, por ato u shtynë ose u pezulluan për shkak të mbylljes së qeverisë federale në SHBA dhe shkurtimit masiv të vendeve të punës, që goditi edhe autoritetet mbikëqyrëse të tregut. Ndërkohë, edhe 2026 po nis me pasiguri gjeopolitike, përfshirë kërcënimet e fundit të Donald Trump për tarifa ndaj aleatëve europianë, të cilat kanë ndikuar tregjet këtë javë. Megjithatë, pavarësisht trazirave të vitit të kaluar, tregjet financiare u ngjitën pranë niveleve rekord, të nxitura nga bumi i AI-së. Investitorët pritet të vazhdojnë të vënë bast mbi këtë teknologji. Ja 10 kompanitë që konsiderohen më të mundshmet për të përfituar nga ky entuziazëm me një IPO në 2026.

OpenAI

Kompania me bazë në San Francisko u bë sinonim i inteligjencës artificiale pas lançimit të ChatGPT në nëntor 2022, duke ndezur interes masiv publik për AI-në. Edhe pse është ende me humbje, OpenAI ka tërhequr investime nga emra të mëdhenj si Microsoft dhe SoftBank. Vlerësimi i saj është rritur në mënyrë marramendëse: nga 29 miliardë dollarë në 2023 në rreth 500 miliardë dollarë në 2025. Sipas Reuters, nëse del në bursë, OpenAI mund të vlerësohet deri në 1 trilion dollarë. Në themel të këtyre shifrave qëndron besimi se kërkesa për AI – dhe ndikimi transformues i saj në punë dhe jetën e përditshme – do të justifikojë investimet kolosale në qendra të dhënash dhe çipa. OpenAI ka deklaruar se planifikon të shpenzojë 1.4 trilionë dollarë për infrastrukturë në tetë vitet e ardhshme. “OpenAI është testi më i madh për të gjithë ekonominë e AI-së dhe për idenë nëse kjo është apo jo një flluskë,” – Neil Wilson, Saxo Capital Markets.

Anthropic

Një tjetër startup nga San Francisko, krijues i chatbot-it Claude dhe mjetit shumë të përdorur Claude Code, edhe Anthropic nuk ka arritur ende fitim. Këtë muaj, kompania firmosi një marrëveshje paraprake për një raund financimi prej 10 miliardë dollarësh, që e çon vlerësimin e saj në 350 miliardë dollarë. Dalja në bursë e Anthropic mund të ketë ndikim edhe përtej teknologjisë, pasi një pjesë e madhe e stafit është e lidhur me lëvizjen effective altruism, çka mund të nxisë investime të reja në kauza sociale globale.

SpaceX

Kompania hapësinore e Elon Musk arriti, sipas raportimeve, një vlerësim prej 800 miliardë dollarësh në dhjetor dhe po përgatitet për dalje në bursë. Megjithatë, sipas drejtorit financiar Bret Johnsen, koha, forma dhe vlerësimi final mbeten të pasigurta. Nga njëra anë, paqëndrueshmëria gjeopolitike e bën sektorin e teknologjisë, hapësirës dhe mbrojtjes më tërheqës për investitorët. Nga ana tjetër, figura publike e Elon Musk dhe precedentët me Tesla e bëjnë rezultatin më të vështirë për t’u parashikuar. “SpaceX është kompania ku investitorët individualë po fokusohen më shumë, ka ‘buzz’ dhe ka Musk-un,” – Neil Wilson.

Lexo edhe: NAREA reagon ndaj kontrolleve tatimore: “Po dëmtohet profesioni i ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme”

Kraken

Një nga bursat më të mëdha të kriptomonedhave në botë, Kraken dorëzoi dokumentet për IPO në nëntor dhe u vlerësua rreth 20 miliardë dollarë. Analistët paralajmërojnë se kompania mund të nxitojë drejt listimit përpara zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, nga frika e një ndryshimi të politikave ndaj kriptove.

Databricks

Databricks ndihmon kompanitë të ndërtojnë agjentë AI që kryejnë detyra në mënyrë autonome duke përdorur të dhënat e tyre. Të ardhurat e saj u rritën mbi 55% vitin e kaluar, ndërsa vlerësimi arriti në 134 miliardë dollarë. CEO Ali Ghodsi thekson se rritja lidhet me kërkesën në rritje për aplikacione të avancuara të bazuara në të dhëna dhe AI.

Canva

Një nga yjet e teknologjisë australiane, Canva u vlerësua vitin e kaluar në 65 miliardë dollarë australianë dhe ka zhvendosur selinë ligjore në SHBA për t’u përgatitur për një listim. Platforma e dizajnit ka 240 milionë përdorues globalisht.

Anduril

Startup-i i teknologjisë së mbrojtjes, i drejtuar nga Palmer Luckey, ka deklaruar hapur se do të bëhet kompani publike. Lidhjet e ngushta me administratën Trump dhe rritja e shpenzimeve ushtarake amerikane mund të përshpejtojnë një IPO.

Monzo

Banka digjitale britanike operon tërësisht përmes aplikacionit mobile dhe kishte mbi 12 milionë klientë në 2025. Monzo po përgatitej për një IPO në 2026, por procesi u komplikua nga largimi i CEO-së TS Anil.

Bolt

Rivali estonez i Uber-it po shqyrton një listim në BE ose SHBA. Megjithatë, humbjet prej mbi 102 milionë euro në 2024 e bëjnë procesin më të ndërlikuar dhe të varur nga kushtet e tregut.

Stripe

Kompania e pagesave online, e themeluar nga vëllezërit irlandezë Patrick dhe John Collison, mbetet një nga shtyllat e fintech-ut global. Vlerësimi i saj arriti 107 miliardë dollarë në 2025, pas një rënieje në 2023. Stripe nuk ka komentuar mbi planet për IPO.

theguardian

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0