Për tu ndjerë mirë në jetë na duhen disa ndjenja të forta të brendshme; një nga këto është edhe siguria që kemi tek vetja. Ne mund ti tregojmë botës një fytyrë tjetër, ne mund t’u fshehim të tjerëve atë që ndjejmë thellë-thellë, por gjithësesi kjo fasadë e jashtme nuk largon ndjenjat tona të brendshme. Të ndihesh mirë me veten kërkon shumë më tepër se thjesht besim. Më shumë ka të bëjë me atë sesa e vlerësojmë veten. Pra, ka të bëjë me atë se si e shohim veten; sa kritik jemi ndaj vetes, sa e gjykojmë veten, si sillemi ndaj saj.
Çfarë duhet të bëjmë për të rritur këtë vetëvlerësim?
Këshillat apo rrugët për të rritur vetëvlerësimin mund të jenë të shumta. Sot, në këtë shkrim po shkruaj rreth tre pikave kryesore me anë të të cilave besoj se do kuptoni më mirë psiklogjinë e vetëvlerësimit.
Beso që je mjaft.
A ju kujtohen shpërblimet apo dënimet kur keni qenë fëmijë?
Pra qysh fëmijë, pa hedhur ende hapat e sigurt, na kanë mësuar me konceptin e shpërblimit kur bëjmë diçka mirë, ose me konceptin e dënimit kur bëjmë një gabim. Këtë model e kemi aq shumë të rrënjosur brenda vetes, saqë vazhdojmë edhe si të rritur të veprojmë sipas këtij modeli. Mendojmë se ky lloj shpërblimi është shenjë e vlerave që kemi, por në fakt kjo nuk është asgjë më shumë se mungesë dashurie për veten.
Kur e analizoj më thellë, – kur kam bërë gjithashtu një analizë të vetes -, kam kuptuar që ashtu si disa gjëra të tjera në jetë të cilat nuk janë dhe aq të thjeshta të ndryshohen, edhe ndryshimi i këtyre modeleve të brendshme nuk është aq i thjeshtë dhe nuk mundet të ndryshohen me disa orë punë me veten, pasi disa sjellje, sidomos ato që lidhen me emocionet e brendshme, qofshin këto pozitive apo negative, marrin formë gjatë gjithë rrugës së jetës.
Nëse rritemi në një ambient ku dominon kritika, atëhere brenda nesh kultivohen frika, pasiguria, paaftësia e shprehjes së lirshme të mendimeve personale. Pra, asnjëherë nuk ndihemi mjaft. Nëse nuk besojmë se jemi mjaft, dashje pa dashje, do të vazhdojmë ti vendosim disa kushte vetes. Me këto kushte krijojmë ndjenjën e brendshme: tani po e meritoj dashurinë, e meritoj respektin, e meritoj të më pranojnë. Por sa zgjat kjo?
Kupto se autokritika nuk ka të bëj me përmirësimin e vetes.
Një cilësi tjetër që kemi mësuar në jetë është qëndrimi kritik ndaj të tjerëve, gjithmonë duke u nisur nga dëshira e mirë, që nëse dikë e kritikojmë ai/ajo do të përmirësohet. Por, edhe në rastet kur nuk kritikojmë të tjerët ne kritikojmë veten. Autokritika është një mënyrë për të parë dobësitë tona, por sa e shëndetshme është për ne, nëse ngelemi deri aty? Këtu duhet të bëjmë dallimin mes (auto)kritikës pozitive, konstruktive dhe asaj negative, dekonstruktive.
Çdo lloj autokritike, apo çdo mendim negativ që kemi për veten, në vend që të na ndihmojë për t’u ndjerë më të sigurt, ka efektin e kundërt.
Ne mundet të punojmë për të përmirësuar veten, pa qenë nevoja të tregohemi shumë të ashpër ndaj saj. Mund të ndryshojmë, mund të arrijmë më shumë kur inkurajohemi dhe kur kritikohemi, qoftë nga dikush tjetër apo nga vetja. Kur ndieni zërin e brendshëm “Prapë gabova, sa idiot/-e që jam, çfarë gabimi bëra…gjithmonë njësoj unë”, ndryshojeni këtë zë, ndryshoni fjalët e brendshme:
“E bëra gabim; do doja të mos e kisha bërë këtë gabim, por po e marr si mësim, si një eksperiencë nga e cila mund të mësoj diçka”. Ndryshimin brenda vetes e filloni kur i pranoni vetes gabimin dhe kur filloni analizën, “çfarë duhet të kem kujdes nga këtej e tutje”?
Pse është e rëndësishme kjo pyetje? Për të qenë herën tjetër më të sigurt për hapat që duhet të ndiqni.
Mos gjyko të tjerët dhe as mos e krahaso veten me të tjerët.
Sa herë i keni dëgjuar mes miqsh në debate e sipër, apo edhe i keni përdorur vetë shprehje të tilla si;
“atë se arrij dot unë”;
“ai ka shumë njohuri”;
“ajo di të flasë”;
“ata janë të lumtur jo ne të dy”;
“ajo po që ka fëmijë të edukuar”;
“ajo është elegante, etj.”, Me këto fjalë ne shprehim respektin tonë për të tjerët, duke supozuar që vlejnë më shumë se ne.
Nëse përdorim këtë mendësi, atëherë ne ulim vlerat e vetes, subkoshienca merr sinjalin që nëse ti nuk arrin diçka si ai/ajo/ata, nuk vlen. Ky mosvlerësim i vetes na shton edhe më shumë mendimet negative rreth vetes, ndihemi edhe më shumë të pasigurt tek vetja.
Ne mendojmë që njerëzit e suksesshëm apo ata të bukurit meritojnë një trajtim special, u bëjmë atyre një vend special. Por, nuk dimë si të trajtojmë veten në mënyrë speciale, pasi vetë nuk i kemi lënë vetes një vend special apo nuk i kemi dhënë mundësinë ta trajtojmë veten po me aq dashamirësi, po me aq dashuri sa ata, të cilët vlerësojmë.
Ka njerëz që gëzojnë një status më të mirë se ne, por kjo është vetëm në pamjen e jashtme, pasi thellë brenda vetes si qenie njerëzore jemi të gjithë njësoj, të gjithë provojmë të njëjtat emocione, (frika, neveria, trishtimi, gëzimi, zemërimi, habia, kënaqësia, dashuria, turpi, xhelozia).
Kur nuk mbivlerësojmë të tjerët, i japim mundësinë vetes të mos krahasohemi me të tjerët pasi ne sinqerisht besojmë në barazinë që kemi.
Pavarësisht se shpesh mund të ndihemi jo shumë të sigurt, nëse kemi një vlerësim pozitiv të vetes, atëhere asnjëherë nuk i vëmë në dyshim vlerat tona. Me këtë vlerësim të vlerave që kemi brenda vetes, na jepen më shumë mundësi, na hapen më shumë rrugë, pasi me lirshmërinë në sjellje tërheqim më shumë njerëz të tjerë, të cilët ndihen po aq rehatshëm me veten e tyre.
Gjithmonë vetëm kur vlerësojmë veten mund të krijojmë marrëdhënie të shëndetshme me të tjerët dhe mund të arrijmë suksese në jetë.
Pra ji më shumë se konfident – pranoje dhe duaje veten në ditët e mira por edhe të këqija.
Edhe si prindër, neve na takon t’u tregojmë fëmijëve me sjelljen dhe veprimet tona rëndësinë e këtyre vlerave njerëzore, pasi këto lloj leksionesh nuk mund të mësohen me formula logjike, por absorbohen nga sistemi i tyre i besimit gjatë rrugës së jetës. Jeta tashmë e ka treguar shumë shpesh që leksionet më të mira i marrim atëhere kur as nuk mendojmë se po mësojmë diçka.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.