Vetëm makina elektrike nga 2030? - Business Magazine Albania

Vetëm makina elektrike nga 2030?

Vetëm makina elektrike nga 2030?

Një propozim i Komisionit Evropian për ndalimin e makinave me motorë me djegie për flotat me qira dhe ato korporative duke nisur nga viti 2030 ka nxitur debate të ashpra në vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Masa synon që pas këtij viti, kompanitë të lejohen të blejnë vetëm automjete elektrike, sipas një raporti të publikuar nga gazeta gjermane BILD.

Propozimi, i cili ende ndodhet në fazat fillestare të diskutimit teknik brenda Komisionit, është pritur me shqetësim të madh nga përfaqësues të qendrës së djathtë në Gjermani dhe nga industria automobilistike, të cilët paralajmërojnë pasoja ekonomike dhe sociale. Kryetari i CDU-së në Baden-Württemberg, Manuel Hagel, ka reaguar përmes një letre të hapur drejtuar presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ku e quan propozimin “një sulm ndaj lirisë së sipërmarrjes” dhe “të shkëputur nga realiteti”.

Lexo edhe:Riana Muçobega: Si po riformatohet marketingu me inteligjencën artificiale

“Infrastruktura për karikimin e automjeteve elektrike mbetet e papërshtatshme, sidomos në zonat rurale,” shkruan Hagel, duke shtuar se karburantet sintetike dhe motorët me djegie të përmirësuar nuk duhet të përjashtohen si alternativa për reduktimin e emetimeve të CO₂.

Edhe eurodeputeti i CDU-së dhe zëdhënës për transportin në grupin e Partisë Popullore Evropiane, Jens Gieseke, ka kritikuar ashpër nismën, duke e cilësuar si “ndërhyrje masive në treg” dhe “një shuplakë për industrinë evropiane të automobilave”. Ai kërkon që Komisioni të mos përjashtojë teknologjitë alternative dhe të rishikojë kufizimet për flotat në bazë të emetimeve të CO₂, për të shmangur pasoja të padëshiruara për sektorin.

Ndërkohë, pas një takimi me kryeministrin e Norvegjisë në Berlin, kancelari gjerman Friedrich Merz e quajti industrinë automobilistike “një nga shtyllat kryesore të ekonomisë evropiane”, duke paralajmëruar se fokusimi vetëm te teknologjia elektrike mund të dëmtojë konkurrueshmërinë e kontinentit. Sipas Süddeutsche Zeitung, propozimi nuk ka ende mbështetje të plotë politike brenda Komisionit, por diskutimet intensive që po zhvillohen tregojnë për përplasje të forta që pritet të shpërthejnë në muajt në vijim.

E ardhmja e automjeteve me motorë me djegie në Evropë mbetet e paqartë, ndërsa BE përballet me sfidën për të balancuar qëllimet klimatike me nevojën për ruajtjen e fleksibilitetit teknologjik dhe zhvillimit industrial.

BILD

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0