Vetëm dekadën e fundit, rreth 522 mijë shqiptarë kanë marrë shtetësi në një nga vendet e BE-së - Business Magazine Albania

Vetëm dekadën e fundit, rreth 522 mijë shqiptarë kanë marrë shtetësi në një nga vendet e BE-së

Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Emigrantët që kanë ikur nga Shqipëria, tashmë po bëhen qytetarët të vendeve të BE-së me të drejta të plota. Në vitin 2024, rreth 48.2 mijë shtetas shqiptarë morën shtetësi në një nga vendet e Bashkimit Europian, sipas të dhënave të Eurostat.

Marrja e shtetësisë është procesi përmes të cilit një person bëhet ligjërisht qytetar i një shteti, duke fituar të drejta dhe detyrime ndaj tij, që më pas mundëson dhe marrjen e pasaportës së vendit përkatës.

Në krahasim me 2023-n, shtetësitë e dhëna për shtetasit shqiptarë nga një vend i BE-së janë rritur me 8.1%. në tre vitet e fundit, BE ka dhënë mesatarisht 44-45 mijë shtetësi në vit për shqiptarët, ritmet më të larta që nga 2018-a, duke treguar për një valë të re emigracioni në vend.

Që nga viti 2010, rreth 632 mijë shqiptarë kanë marrë pasaportë në një nga vendet e BE-së, ndërsa vetëm dekadën e fundit janë dhënë 522 mijë shtetësi. (shiko grafikun: Shtetësitë e dhëna për shtetasit shqiptarë nga BE). Niveli më i lartë ishte në 2016 dhe 2016, me rreth 60-67 mijë në vit.

Lexo edhe: Editorial: Shqipëria… e brezit që po vjen!

Shifra prej 522 mijë shqiptarësh që kanë marrë një shtetësi të BE-së në dekadën e fundit përkon pak a shumë dhe me tkurrjen e popullsisë në vend që në periudhën gjatë dy censeve 2011-2023 u ul me rreth 420 mijë persona, e ndikuar në pjesën më të madhe nga emigracioni, por dhe nga rënia e shtesës natyrore të popullsisë, si rrjedhojë e lindjeve më të pakta.

Kryeson Italia, Greqia më dorështrënguar

Italia është shteti kryesor që u mundëson shqiptarëve që të marrin një pasaportë italiane. Që nga viti 2008, kur raportohen të dhënat e para, ky shtet ka dhënë 375 mijë shtetësi për shqiptarët.

Greqia, ndonëse ka një numër të ngjashëm emigrantësh me Italinë, të paktën rreth 500 mijë secili, a është më dorështrënguar për shtetësitë, duke dhënë 264 mijë të tilla, që nga viti 2007.

Edhe Gjermania po e lëshon dorën

Në Gjermani, për të marrë pasaportë duhet fillimisht të marrësh shtetësinë, zakonisht pas rreth 5 vitesh qëndrimi, me gjuhë gjermane (B1), të ardhura të mjaftueshme, pa probleme ligjore dhe me njohuri bazë për vendin. Edhe pse rregullat janë lehtësuar (nga 8 në rreth 5 vite), ajo mbetet më strikte se shumë vende të tjera të BE-së me kërkesa të qarta për gjuhën, të ardhurat dhe integrimin.

Ky shtet ka qenë i preferuar në valën e fundit të emigracionit dhe duket se shumë shqiptarë po i plotësojnë kushtet, teksa në vitin 2024 Gjermania lëshoi numrin më të lartë të shtetësive të dhënave ndonjëherë për shqiptarët, me 310 të tilla. Për krahasim, që nga 2002-shi deri në 2023-n, pra në 21 vjet, ky shtet kishte dhënë vetëm rreth 8100 shtetësi.

Në vend të katërt është Belgjika, që ka dhënë gjithsej rreth 8.7 mijë shtetësi për shqiptarët nga viti 2022, e ndjekur nga Franca (6480), Suedia (4,219), Irlanda (1,197), Spanja (1,157), Holanda (1,137).

Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0