Vërtetimet që bizneset mund t'i marrin së shpejti online - Business Magazine Albania

Vërtetimet që bizneset mund t’i marrin së shpejti online


Bizneset që duan vërtetim për pagesën e kontributeve nga subjekti, vërtetim të statusit të biznesit nëse është aktiv apo pasiv, përfshirë edhe datën si dhe vërtetim të xhiros, së shpejti do të mund t’i marrin këto shërbime online, nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, përmes portalit e-Albania.

Sipas njoftimit zyrtar, pas analizimit të situatës së krijuar pranë sporteleve fizike dhe në bazë të kërkesave të vazhdueshme, përmes investimit të AKSHI-t për shtimin e e-shërbimeve në portal, do të mundësohet shumë shpejt në portalin qeveritar e-albania ofrimi i 9 shërbimeve të reja elektronike nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Lexo: E-Albania tashmë ofron shërbimin elektronik “Certifikatë pronësie e mjetit”

Aktualisht në portalin e-Albania, shërbimet kushtuar biznesit zënë një pjesë të konsiderueshme. Janë 719 të tilla, të cilat vijnë në ndihmë 24/24 në çdo ditë të javës, me anë të sporteleve virtuale.

Ja cilat janë tre prej shërbimeve të reja

Shumë shpejt tek e-Albania do të jetë aktiv shërbimi elektronik që u vjen në ndihmë tatimpaguesve të aplikojnë për vërtetim për pagesën e kontributeve nga subjekti. Ky shërbim do të ofrohet menjëherë elektronikisht me vulë dixhitale, duke eliminuar tërësisht nevojën për paraqitje fizike pranë sporteleve të Drejtorive Rajonale të Tatimeve dhe duke garantuar një dokument me vlerë të plotë ligjore.

Një tjetër shërbim që do t’u vijë në ndihmë të interesuarve është vërtetimi i statusit të biznesit (nëse është aktiv apo pasiv, përfshirë edhe datën), i cili po ashtu do të lehtësojë të gjithë procedurën e përfitimit të këtij dokumenti, falë implementimit të vulës dixhitale.

Së bashku me vërtetimet e mësipërme edhe vërtetimi i xhiros për tre vitet e fundit u nevojitet bizneseve për përmbushjen e një sërë kërkesash të tjera proceduriale dhe gjen zbatim të gjerë si dokument shoqërues për një numër të madh shërbimesh të tjera.

Me kthimin e këtyre shërbimeve online, subjektet e interesuara do të ndihen më të lehtësuara, pasi deri më sot, iu është dashur që me anë të përfaqësuesve të tyre të adresohen fizikisht pranë zyrave rajonale të DPT-së.

Lexo: Zbuloni shërbimet e reja për subjektet akomoduese në E-Albania

Tjetër shërbim për maturantët

Matura Shtetërore mbetet një prej shërbimeve më të përdorura në portalin e-Albania. Krahas tij dhe “Notave të provimeve të maturës”, tek e-Albania do të jetë online së afërmi mundësia për “Kërkesë për kopje të testit”, shërbim elektronik ky i ofruar nga Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA).
Aplikimi i maturantit të interesuar për të marrë një kopje të testit të tij, do të procesohet nga specialisti i QSHA-së dhe kopja e testit të provimit do t’i vijë maturantit elektronikisht përmes portalit.

Burimi: monitor.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0