Urimi 2016, për sipërmarrësit shqiptarë

Urimi 2016, për sipërmarrësit shqiptarë


*Rudina Xhunga

Alfredi i Rapsodisë u nderua me çmimin “Bleta e Artë”, vitin që shkoi. Një çmim simbolik nuk është asgjë për të vlerësuar rapsodinë e shijeve të një djali duarartë, që e ka kthyer restorantin e tij në Shëngjin në ndalesën e ushqimit të bukur. Nëse dua ta njoh dikë me gatimin e një shqiptari, e çoj te “Rapsodia” dhe ndihem e lumtur, kur e prezantoj me pjatat e pazakonta, gjithë ngjyra dhe erë të mirë të mjeshtrit.

Alfredi është njeriu që dua t’i uroj këtë fillim viti, një restorant plot dhe mijëra si unë që e çmojnë dhe marrin kënaqësi, prej tij dhe ideve që e shndërruan, nga njëri prej atyre që emigruan, në mjeshtrin e padytë të ushqimit.

Luca është një mik që unë nuk di kush s’e ka mik, në këtë qytet. Ai që nuk ka provuar pjatat e peshkut të Rozafës, ka privuar veten nga ca ndjesi aq të mira, sa tregohen me fjalë. Nëse ke njerëz për darkë dhe nuk telefonon Rozafën të të sjellë darkën gati, nuk di ç’ke humbur. Nëse do të hash një drekë familjare, dhe do të shkosh diku, ku ndihesh në shtëpi, shko te Rozafa, përballë ish-Zërit të Popullit, afër ish-stacionit të trenit. Koha, gjërat i bën ish, por Rozafa ishte dhe është, siç ishte Ndrek Luca dhe është i biri, Gjergji.

Ndërsa, po nuk do të hash në restorant, por në shtëpi, nuk besoj se ka gjë që të mungon dhe nuk e gjen te Neranxi. Ata të dy, burrë e grua e provuan, si shumëkush, ta lënë këtë vend. Po ky vend nuk të lë. E nisën me piper. Tani janë piperi i çdo tavoline, janë sheqeri i çdo ëmbëlsire, janë spirulinë, nëse të duhet.

Kur mendoj për shtëpinë, shtëpia për mua është Ardeno. Është tavolina ku mbledh miqtë dhe familjen, janë karriget e bukura, divani i madh, gjithçka me dru dhe pasion, që ka emrin e Toninit dhe së shoqes, atij çifti, që kush po më lexon dhe i njeh, e di mirë se nuk shtoj asgjë, kur tregoj për duart e mençura dhe zemrën e bardhë të tyre.

E për të mos ikur nga shtëpia, nuk ke shtëpinë e ëndrrës, po qe se nuk hyn Gëzimi në shtëpinë tënde. Artisti i hekurit, një shtëpie të zakonshme, i shton ca shkallë, këmbë tryeze, mbajtëse çelësash, këmbë pasqyre, krevate dhe ca çudira të vogla, që e bëjnë të madhe shtëpinë tënde dhe pastaj, kur ai ikën, ke nevoje për hudhër në shtëpi.

Hudhrat bliji ku të duash, por gjitha të tjerat, që i duhen frigoriferit dhe stomakut tënd, bliji te EHW. Sepse nuk ka ushqim, pa besim. Nuk ka biznes, pa besuar. Dhe kush e njeh Luanin e kupton, pse duhet blerë EHW.

Këta njerëz dhe të tjerë si ata, si Neli dhe Beni i këmishave të shkëlqyera, Genti i Kodrës së Diellit e Ullinjve, Jonida e Farmës Sotira, Marku i Valbonës, Meti i parajsës buzëdetit, ne Sarandë, Diella e Vainit, Gazi i Beratit, Paulini i Thethit, Frani i verës “Arbër”, e sa të tjerë që njoh dhe s’njoh, janë Blej Shqip, bërë në Shqipëri, janë marka, vula jonë e prodhimit shqiptar. Që një zot e di sa të vështirë e ka t’ia dalë në një vend ku njeriu nuk i gëzohen tjetrit.

Me probleme, pa plan, pa ide, me llafe e llogje në blogje, me ligësi burokratike, pamundësi, gjoba, sipërmarrësit shqiptarë, ata që nuk marrin kredi për të blerë të kaluarën, por të ardhmen, janë njerëzit më të bekuar të këtij vendi, janë mundësia jonë e vetme, për t’u zhvilluar. Janë ata qe dua t’u them gëzuar në fillim vit, paçi një vi të mbare, se mbarë për ju, mbarë për të gjithë. Pa ta nuk do ketë Shqipëri të re. Është pa zemër, kujt nuk i vjen keq për Shqipërinë e vjetër, të çuar dëm, për mundin e mijëra njerëzve, që panë t’u shembej, brenda ditës; Azotiku, Metalurgjiku, Fabrika e Llambave, Kombinati Tekstil, vetëm pse çmenduria kolektive besoi te çeku i bardhë. E pra , koha tregoi që çek të bardhë nuk pati. 25 vjet ikën si ikën. Që 25 të tjerë, të mos ikin kot, që të bëhet ky vend, që ta mbajmë dhe të na mbajë, të parët, lokomotiva, qofshin sipërmarrësit tanë, prodhimi ynë, shqiptarët që provuan të prodhojnë Made in Albania.

U shtofshin dhe përmirësofshin! Ky është urimi im 2016./Mapo/

Për artikuj të ngjashëm mund të lexoni edhe: “Bleta e artë 2015,” eventi gala i sipërmarrësve më të mirë të vitit.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0