Pas katër ditësh bisedimesh të vështira dhe debatesh, 27 udhëheqësit e unionit, mëngjesin e kësaj të marte arritën të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të bien dakord për buxhetin e ardhshëm 7-vjeçar të Bashkimit Evropian, përfshirë edhe fondin kushtuar rimëkëmbjes ekonomike nga COVID-19.
Paketa prej 750 miliardë euro do t’i jepet vendeve më të prekura nga pandemia në formë grantesh dhe kredish: 390 miliardë euro nga paketa e ndihmës do të ndahen në formë grantesh dhe 360 miliardë euro në formë kredie.
Kjo paketë është një rishikim i propozimit fillestar për 500 miliardë euro grante dhe po ashtu kompromis midis Austrisë, Holandës, Danimarkës dhe Suedisë, që i kundërshtuan pagesat si grante, dhe Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Spanjës – tri shtetet e fundit janë ndër më të goditurat nga koronavirusi në Evropë, të cilët nuk donin të merrnin kredi.
Lexoni: Trajtimi përmes proteinave ul numrin e pacientëve në terapi intensive
Një tjetër pengesë për arritjen e marrëveshjes u eleminua kur Polonia dhe Hungaria ranë dakord me përfshirjen e një mekanizmi që lidh pagesën e fondeve të BE-së me sundimin e ligjit – kërkesë nga vendet e tjera të BE-së.
Vendet e BE-së po ashtu ranë dakord për një buxhet prej 1.1 trilion eurosh, për shtatë vjetët e ardhshëm.
Mëngjesin e së martës presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel, shkroi në Twitter: “Marrëveshje”. Ndërsa presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shkroi:
“Sot kemi ndërmarrë një hap historik, me të cilin të gjithë mund të jemi krenarë. Por, mbeten hapa të tjerë të rëndësishëm. I pari dhe më i rëndësishmi është të fitojmë mbështetjen e Parlamentit Evropian.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.