BE përballë tarifave 15% të Trumpit, G7 takohet sot me urgjencë - Business Magazine Albania

BE përballë tarifave 15% të Trumpit, G7 takohet sot me urgjencë

Takime me peshë të lartë priten pasditen e së hënës, në një klimë të re pasigurie për marrëdhëniet tregtare transatlantike, pasi një vendim i Gjykatës së Lartë të SHBA-së dhe kërcënimet e reja tarifore nga Uashingtoni tronditën ekuilibrat ekzistues.

Komisioneri i Tregtisë i BE-së, Maroš Šefčovič, do të takohet me ministrat e tregtisë të vendeve të G7, pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, rriti presionin ndaj partnerëve tregtarë duke shpallur tarifa lineare 15% për të gjitha importet që hyjnë në tregun amerikan.

Lëvizja e Trump erdhi pasi Gjykata e Lartë e SHBA-së rrëzoi javën e kaluar disa nga tarifat globale të vendosura prej tij vitin e kaluar nga Shtëpia e Bardhë, duke goditur një nga shtyllat kryesore të politikës së tij tregtare.

Brukseli po kërkon tashmë qartësi ligjore. BE-ja është e lidhur me Uashingtonin përmes një marrëveshjeje tregtare të arritur në korrik 2025 nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dhe Trump, e cila përcakton tarifa 15% për eksportet e BE-së drejt SHBA-së, ndërsa parashikon që blloku të ulë në zero tarifat për mallrat amerikane.

“Qartësia e plotë mbi kuptimin e këtyre zhvillimeve të reja për marrëdhënien tregtare BE-SHBA është minimumi i domosdoshëm që BE-ja të mund të bëjë një vlerësim të kthjellët dhe të vendosë për hapat e ardhshëm,” deklaroi zëvendëszëdhënësi i Komisionit, Olof Gill.

Lexo edhe: Largimi i hershëm i Lagarde, shtetet e BE-së në garë për pasardhësen e BQE-së

Parlamenti Europian në qendër të vëmendjes

Bisedimet e Šefčovič me G7 zhvillohen përpara një takimi me dyer të mbyllura të ambasadorëve të BE-së, ku do të vlerësohen pasojat e zhvillimeve të fundit në SHBA.

Disa shtete anëtare, përfshirë Francën, janë të gatshme të aktivizojnë instrumentin Anti-Koercion të BE-së,  që lejon kufizime në prokurimet publike, licencat dhe të drejtat e pronësisë intelektuale, nëse konsiderohet e nevojshme për t’iu kundërpërgjigjur presioneve të jashtme.

Vëmendja po zhvendoset tani te Parlamenti Europian, i cili pritej të votonte të martën për zbatimin e marrëveshjes BE-SHBA, përfshirë uljen e tarifave për mallrat amerikane. Megjithatë, eurodeputetët do të mblidhen të hënën pasdite për të vendosur mbi të ardhmen e zbatimit të saj.

Parlamenti ka qenë ndër zërat më kritikë ndaj administratës amerikane, duke argumentuar se marrëveshja e nënshkruar verën e kaluar në Skoci nuk ka vlefshmëri të plotë.

Eurodeputeti gjerman Bernd Lange, kryetar i Komitetit për Tregtinë Ndërkombëtare në Parlament, deklaroi se do t’u kërkojë negociatorëve pezullimin e marrëveshjes. Nga ana tjetër, Zeljana Zovko, negociatore kryesore e PPE-së, grupit më të madh në Parlament mbajti një ton më të përmbajtur, duke theksuar se eurodeputetët duhet të “ruajnë qetësinë dhe të bëjnë pjesën e tyre”.

“Nuk ka nevojë t’i hedhim më shumë benzinë një zjarri që tashmë është ndezur,” u shpreh ajo.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0