TXEX, platforma piramidale që i vodhi shqiptarëve mbi 5 mln $! - Business Magazine Albania

TXEX, platforma piramidale që i vodhi shqiptarëve mbi 5 mln $!

TXEX, platforma piramidale që i vodhi shqiptarëve mbi 5 mln $!

Një platformë e rreme investimi me emrin TXEX po shkatërron kursimet e mijëra qytetarëve shqiptarë, duke operuar si një skemë piramidale e sofistikuar, pa licencë dhe jashtë çdo kuadri ligjor në Shqipëri. Sipas denoncimeve të shumta të raportuara në median online si edhe në mediat sociale si TikTok, mbi 6,000 persona janë prekur deri tani, me humbje që mendohet se kalojnë 5 milionë dollarë.Po çfarë është në vetvete TXEX?

Sipas burimeve të BusinessMag, TXEX paraqitet si një aplikacion që ofron investime “të sigurta” në kriptovaluta, por në realitet është një mashtrim i organizuar mirë që shfrytëzon rrjetet sociale dhe aplikacione si Telegram, Signal dhe WhatsApp për të joshur viktimat. Skema nis me reklama joshëse në Instagram dhe TikTok, ku individë anonimë prezantohen si “ekspertë tregu” apo “mentorë financiarë” dhe krijojnë grupe të rreme investimi.

Në këto grupe, përdoruesit shohin komente dhe fitime të fabrikuara për t’i bindur të investojnë fillimisht shuma të vogla përmes platformave reale si Binance, e më pas fondet u transferohen në TXEX ku fillon mashtrimi i vërtetë. Brenda aplikacionit, shfaqen “fitime” që rriten çdo ditë, por sapo viktimat kërkojnë tërheqjen e tyre, iu kërkohet të paguajnë tarifa shtesë prej 400 dollarësh, sikur janë për verifikim apo shpenzime të tjera, duke nxjerrë edhe më shumë para përpara se skema të mbyllet dhe kontaktet të ndërpriten. Viktimat raportojnë jo vetëm humbje financiare, por edhe faktin se janë detyruar të dorëzojnë dokumente personale, përfshirë ID dhe foto, duke ngritur shqetësime serioze për privatësinë dhe përdorimin e të dhënave. Disa qytetarë pretendojnë humbje deri në 5000 euro, ndërsa shumë prej tyre u bindën për legjitimitetin e platformës pasi në fillim iu lejuan tërheqje të vogla, një taktikë klasike e skemave piramidale për të krijuar besim. Më pas, sapo kanë investuar më shumë, llogaritë iu janë bllokuar dhe iu janë kërkuar pagesa të tjera për të “çliruar” fondet.

TXEX nuk është një realitet vetëm shqiptar. Më 17 prill 2025, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare të Zelandës së Re (FMA) e shpalli TXEX një mashtrim financiar dhe e lidhi me rrjetin ndërkombëtar “2139 Exchange”, që ka operuar në Azi dhe Afrikë me të njëjtën infrastrukturë teknike dhe taktika mashtrimi, përmes operatorëve të vendosur në Ballkan dhe Azinë Juglindore. Pavarësisht faktit se kjo skemë po godet drejtpërdrejt shqiptarët, me komunikim në shqip dhe grupe të dedikuara për tregun vendas, institucionet shqiptare deri tani kanë mbetur të heshtura. TXEX nuk figuron në QKB, nuk ka licencë nga Banka e Shqipërisë apo AMF, dhe nuk ka asnjë adresë apo zyrë fizike në vend.

Ky rast kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet shqiptare dhe investigim të thelluar, pasi mijëra qytetarë kanë humbur kursimet e tyre, disa madje edhe para të marra borxh për të investuar, të nxitur nga propaganda mashtruese që përdor psikologji manipulimi, profile false, identitete të vjedhura dhe madje edhe teknologji si deepfake.

 

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0