Turizmi malor në Alpet shqiptare – Programe zhvillimi në Kelmend që nxisin turizmin - Business Magazine Albania

Turizmi malor në Alpet shqiptare – Programe zhvillimi në Kelmend që nxisin turizmin


Kelmendi është skaji më verior i Shqipërisë dhe pjesë e bukurive të Alpeve shqiptare. Në këtë zonë ndodhet edhe pika kufitare që lidh Kelmendin me Plavën dhe Gucinë. Vitet e fundit, në Kelmend kanë nisur një numër programesh zhvillimi, që synojnë përmirësimin e infrastrukturës rrugore, nxitjen e turizmit dhe lëvizjen e lirë të shtetasve në të dy anët e kufirit mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Banorët e kësaj zone janë ndeshur ndër vite me problemet e infrastrukturës së vështirë, bllokimin nga dëbora gjatë periudhës së dimrit, çka ka bërë që ata t’i drejtohen Plavës dhe Gucisë për nevojat e tyre ekonomike. Por sot, falë një investimi nga programet e qeverisë ka përfunduar ndërtimi i rrugës 30 km të gjatë që lidh Hanin e Hotit me qendrën administrative Tamar. Kjo është një rrugë e vështirë që gjarpëron mes malesh por ndër më të bukurat në Shqipëri, që të josh me pamjet piktoreske mahnitëse. Rruga dhe infrastruktura e re në Kelmend, është pjesë e rëndësishme e programeve zhvillimore në përpjekje për të zhvilluar turizmin malor në Alpet shqiptare.

Në këtë prizëm, qeveria ka nisur zbatimin e projektit të ri për rehabilitimin e një rruge tjetër që lidh Tamarën me Vermoshin, 30 km të gjatë, që do të lidhë Shqipërinë me Malin e Zi.

Projektet në zhvillimin e infrastrukturës shihen si mundësia më e mirë dhe me impakt të drejtpërdrejtë që do të nxisin zhvillimin ekonomiko-social të komunitetit, por edhe komunikimin midis Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Ndërkaq, investimet që kanë nisur me shtrimin e rrugës automobilistike dhe hapjen e një pike kufitare me Malin e Zi, si dhe rikonstruksionin e qendrës Tamarë, synojnë t’i japin nxitje projekteve artizanale të zonës dhe traditës unike alpine, që janë një tjetër ndikim në zhvillimin e zonës.

Ndërtimi i rrugës së re që bashkon Kastratin me Kelmendin pritet të përmirësojë lëvizjen dhe qarkullimin mes Kelmendit dhe Malit të Zi, ndërsa do të afrojë investitorët dhe bashkëatdhetarët ngado ndodhen.

Kelmendi, peizazh shlodhës dhe aventurë sportive

vermoDashamirësit e maleve dhe të ushqimit natyral nuk mund të mos vizitojnë komunat e Kelmendit dhe Shkrelit: vende ideale për të bërë shëtitje në natyrë, trekking, xhiro me biçikleta malore në mes të një natyre të paprekur, për të njohur njerëzit dhe kulturën e vendit dhe për të shijuar gatimet tradicionale vendase.

Shumë shtigje të hershme, dëshmitare për shekuj të marrëdhënieve shoqërore ndërmjet fshatrave, janë pastruar dhe markuar me sinjalistikën ndërkombëtare dhe GPS, dhe mund të përshkohen nga grupe familjare apo miqsh, sipas shkallës së vështirësisë që dëshirohet të përballohet. Udhërrëfyesit vendas janë të gatshëm për të dhënë këshilla dhe për të shoqëruar ekskursionistët në këtë territor, i cili është i gjithi për t’u zbuluar!

Kush dëshiron të përfshihet në përvoja të veçanta apo të përjetojë momente të jetës së përditshme në lartësi, mund të bashkohet me familjet e komuniteteve vendase, të cilat nga qershori deri në shtator, zhvendosen së bashku me bagëtitë e tyre për në stanet e bjeshkëve, për t’iu përkushtuar kullotave dhe prodhimit të qumështit dhe djathit. Një përvojë unike dhe mbresëlënëse që do t’ju kthejë pas në kohë!

Retro në histori…

Në fillim të shekullit të njëzetë Edith Durham, një ekploruese e re britanike, u ndje e tërhequr nga Malësia e Madhe, toka e Shqipërisë së Epërme. Mes shumë vështirësive u josh nga bukuria e një kulture të lashtë por që mbizotëron ende sot, “The land of the living past”.

loPër të përjetuar të njëjtat emocione me Durham i ofrojmë udhëtarit të sotëm zbulimin e Kelmendit dhe Shkrelit, një nga zonat më të thella të Veriut të Shqipërisë. Aventura do t’ju bëjë të shijoni peizazhe mbresëlënëse, një natyrë të paprekur dhe zbulimin e traditave dhe zakoneve ende të ruajtura gjallë.

Fshatrat i përshtaten çdo lloj nevoje dhe janë të pasura me shumë “thesarë” për t’u zbuluar: paqe e qetësi për familjet, mikpritje në shtëpitë tradicionale të përshtatura në bujtina, kuzhinë autentike për shijuesit e mirë të ushqimit bio dhe të produkteve tipike, natyrë të paprekur për të apasionuarit pas saj, male të rrëpirta për ata që janë në ndjekje të aventurës. Udhërrëfyes vendas, të kujdesshëm dhe të përgatitur, do t’ju shoqërojnë në zbulimin e këtyre vendeve mahnitëse.

E gjitha kjo e shoqëruar me harenë e vendasve, të cilët e kanë mikpritjen një ligj të shenjtë të pacënuar në vite.

/ATSH/

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0