Turizmi sektori më i goditur nga COVID-19, industria globale humbi 320 miliardë dollarë - Business Magazine Albania

Turizmi sektori më i goditur nga COVID-19, industria globale humbi 320 miliardë dollarë

Pandemia e koronavirusit i kushtoi industrisë globale të turizmit 320 miliardë dollarë humbje, në periudhën janar-maj të vitit 2020, bëri të ditur Organizata Botërore e Turizmit, që funksionon pranë Kombeve të Bashkuara. Në një raport të publikuar të martën, organizata tha se kjo humbje është tri herë më e madhe se ajo nga kriza globale financiare e vitit 2009. Numrat e turistëve kanë rënë gjithashtu për 300 milionë gjatë kësaj periudhe, apo për 56 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, thuhet në raport.

Deri te kjo ka ardhur pasi masat e izolimit kanë ndërprerë udhëtimin ndërkombëtar. “Të dhënat e fundit qartësojnë rëndësinë e rinisjes së turizmit sa më parë që të jetë e sigurt”, tha sekretari i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit, Zurab Pololikashvili.

“Rënia dramatike e turizmit ndërkombëtar vë në rrezik shumë miliona jetë, duke përfshirë edhe vendet në zhvillim”, tha ai. Organizata Botërore e Turizmit tha se, edhe pse turizmi po kthehet ngadalë në disa destinacione, ky sektor vazhdon të përballet me “rreziqe serioze”, si ringjallja e virusit, që mund të shkaktojë izolime të reja, kufizime në udhëtim dhe mbyllje kufijsh në “shumë destinacione”.

Shtetet e Bashkuara dhe Kina, të dyja burime kryesore të turistëve ndërkombëtarë, janë ende “të bllokuara”, thuhet në raport. Organizata Botërore e Turizmit parashikoi në muajin maj se hyrjet turistike ndërkombëtare mund të bien nga 60 deri në 80 për qind në vitin 2020, për shkak të koronavirusit.

Frika nga “vala e dytë” godet industrinë e turizmit

Shqetësimet për një “valë të dytë” të infeksioneve me koronavirus, që mund ta sjellin pushuesit që kthehen, shkaktuan kaos në industrinë e turizmit në Evropë, veçanërisht në Spanjë. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar u rekomandoi këtë javë shtetasve të saj që të mos shkojnë në Spanjë, për shkak të rritjes së numrit të rasteve me koronavirus atje. Ajo po ashtu vendosi që të gjithë udhëtarët, që hyjnë në Mbretëri të Bashkuar nga Spanja, të futen në karantinë për 14 ditë.

“Unë druaj se në disa vende kanë nisur të shihen shenjat e valës së dytë të pandemisë”, tha të martën kryeministri britanik, Boris Johnson, duke e mbrojtur vendimin e qeverisë së tij. Johnson tha se mund të ketë këshilla të reja për udhëtime edhe në destinacione të tjera të pushimeve në Evropë.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, tha se vendimi i Mbretërisë së Bashkuar për të ndryshuar rregullat për Spanjën, është i padrejtë. Sanchez tha se turistët në shumicën e rajoneve në Spanjë do të ishin më të sigurt nga koronavirusi sesa në Mbretërinë e Bashkuar. Gjermania po ashtu i ashpërsoi këshillat e udhëtimit në Spanjë, por jo aq sa Mbretëria e Bashkuar. Gjermania i këshilloi shtetasit e saj që të shmangin udhëtimin në tri rajone të Spanjës: Katalonjë, Aragon dhe Navara. “Ne nuk e dimë nëse ky është fillimi i valës së dytë, por natyrisht se mund të jetë”, tha shefi i Institutit të Sëmundjeve Infektive në Gjermani “Robert Koch”, Lothar Wieler, duke iu bërë thirrje njerëzve që të vazhdojnë të ruajnë distancën fizike dhe të veshin maska.

“Nëse të gjithë u përmbahemi këtyre rregullave, unë jam optimist se mund ta parandalojmë këtë [valën e dytë]”, tha Wieler. Në Evropë, aktualisht, Mbretëria e Bashkuar prin me numër të rasteve me koronavirus: mbi 301,000. Pas saj vjen Spanja me mbi 278,000. Ekspertët shëndetësorë nuk kanë ndonjë përkufizim formal për valën e dytë të koronavirusit, por valë e re konsiderohet situata kur numri i të infektuarve bie për një kohë dhe pastaj rritet sërish.

REL

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0