Trump, një mandat i dytë që po djeg themelet e ekonomisë - Business Magazine Albania

Trump, një mandat i dytë që po djeg themelet e ekonomisë

A është i gatshëm Trump të sakrifikojë dominimin e dollarit?

Nga Laura Tyson dhe Lenny Mendonca * – Më pak se gjashtë muaj pas fillimit të mandatit të tij të dytë, presidenti Donald Trump dhe ekipi i tij kanë arritur të shkaktojnë dëme të mëdha në ekonominë e SHBA-së dhe asaj globale. Duke përdorur agjentë të ICE-it me kapuç dhe shpesh të dhunshëm kundër emigrantëve – qofshin këta me dokumente apo jo, shumë prej të cilëve punojnë në sektorë kyç të ekonomisë – duke vendosur ose kërcënuar me tarifa të larta dhe duke pushuar në mënyrë arbitrare punonjës të administratës, administrata e Trump ka krijuar një klimë të thellë pasigurie dhe paqëndrueshmërie, duke minuar besimin e konsumatorëve dhe bizneseve.Vlen të kujtohet se Trump trashëgoi një ekonomi të fortë, me rritje të qëndrueshme të PBB-së dhe punësimit dhe me inflacion në rënie. Në fund të vitit 2024, Rezerva Federale parashikonte një rritje ekonomike prej 2.1% dhe inflacion në rënie në 2.5% për vitin 2025. Vetëm tre muaj më pas, këto parashikime ranë në 1.7% për rritjen dhe 2.7% për inflacionin. Shumica e institucioneve parashikuese – nga Conference Board deri te FMN-ja – bien dakord se ekonomia amerikane do të ngadalësohet ndjeshëm, me një rritje që pritet të jetë midis 1.4% dhe 2%, ndërsa ajo globale të bjerë nga 3.3% në 2024 në 2.3% në 2025.

Ndërsa deklaratat e përditshme të Trump përmes rrjeteve sociale dhe urdhrat ekzekutivë me bazë ligjore të diskutueshme janë të dukshme, më pak i dukshëm por më domethënës është dëmi i shkaktuar ndaj besimit global në SHBA – dëshmi e së cilës është rënia me 10% e dollarit ndaj euros dhe frangës zvicerane. Edhe pse tregjet amerikane janë rimëkëmbur pas pezullimit të tarifave më ndëshkuese të ashtuquajtura “Dita e Çlirimit”, dollari mbetet i dobët dhe normat e interesit për obligacionet shtetërore të larta.

Më keq akoma: nëse Kongresi miraton ligjin “One Big Beautiful Bill Act (OBBBA)”, siç pritet, borxhi federal do të rritet të paktën me 3 trilionë dollarë deri në vitin 2034. Tregjet tashmë po reagojnë, siç dëshmohet nga rritja e interesave për borxhin afatgjatë të qeverisë amerikane.

Në një kohë kur shumica e votuesve e shohin ekonominë si shqetësimin kryesor, deportimet e pamëshirshme dhe përndjekja e emigrantëve nga Trump do të sjellin kosto të tjera ekonomike. Turizmi drejt SHBA-së është në rënie, me vizitat nga Kanadaja që kanë rënë gati 40%. Emigrantët përbëjnë rreth një të tretën e fuqisë punëtore në sektorin e turizmit dhe argëtimit, dhe gati 75% të asaj në bujqësi – ku shumica janë pa dokumente. Përballë mungesës së fuqisë punëtore, Trump së fundmi shpalli një zbutje të kufizimeve të emigracionit në këto industri, por e tërhoqi menjëherë vendimin pas kundërshtimit brenda stafit të tij.

Por dëmi është i pashmangshëm. Qasja e ashpër ndaj emigracionit do të ngushtojë fuqinë punëtore, do të zvogëlojë disponueshmërinë e punonjësve të kualifikuar, do të ndalojë risitë, do të rrisë kostot dhe do të pakësojë fitimet për të gjitha industritë e prekura.

Lexo edhe: Nga varfëria te fuqizimi, si mund të shpëtojnë gratë ekonominë botërore

Në nivel makroekonomik, potenciali i rritjes ekonomike afatgjatë të një vendi varet nga furnizimi me punëtorë dhe produktiviteti i tyre – të dyja të ndikuara fuqishëm nga emigracioni. Duke kufizuar emigracionin, administrata po siguron që raporti borxh/PBB – që tashmë është i lartë – të rritet më shpejt dhe në mënyrë të paqëndrueshme.

Për më tepër, shkurtimet masive në financimin federal për kërkimin shkencor bazë do të ngadalësojnë rritjen e produktivitetit të përgjithshëm. SHBA ka qenë historikisht udhëheqëse botërore në inovacion, kryesisht falë investimeve publike në K&Zh. Këto investime kanë pasur kthime të mëdha – që variojnë nga 30% deri në mbi 100%. Sipas një studimi nga Banka Federale e Dallasit, K&Zh e financuar nga shteti përbën rreth një të katërtën e rritjes së produktivitetit në sektorin privat që nga Lufta e Dytë Botërore.

Administrata ka pushuar nga puna mijëra shkencëtarë, ka anuluar miliona dollarë në grante shkencore dhe ka pezulluar financimin për universitetet më të mëdha. Por tani, me OBBBA-në, pritet një shkatërrim i infrastrukturës kërkimore, me financimet për NSF, NIH, EPA dhe CDC që pritet të bien me 44% deri në 55%.

Këto shkurtimet do të kenë pasoja dramatike për universitetet kërkimore, të cilat varen nga financimi federal për të punësuar pedagogë, për të trajnuar studentët pasuniversitarë dhe për të mbuluar kostot e laboratorëve.

Pikërisht në momentin kur inteligjenca artificiale dhe kompjuterët kuantikë po premtojnë zbulime me ndikim të gjerë për sigurinë kombëtare dhe ekonominë – dhe ndërsa ngrohja globale po kërcënon ta bëjë të pabanueshme një pjesë të mirë të planetit – administrata është duke shkatërruar themelin e kërkimit shkencor amerikan.

SHBA ka qenë për një kohë të gjatë vendndalimi kryesor për studiues të huaj, të cilët shpesh vijnë si studentë dhe më pas qëndrojnë për të dhënë mësim ose për të themeluar kompani. Kontributi i tyre në inovacionin amerikan është i jashtëzakonshëm – një studim i fundit vlerëson se ata janë përgjegjës për rreth 36% të inovacionit në SHBA. Por me një administratë që i përshkruan emigrantët si “pushtues” dhe i dekurajon shkencëtarët e huaj përmes kontrolleve të rrepta vizash dhe monitorimit të rrjeteve sociale, e ardhmja e inovacionit amerikan është në rrezik.

Vetëshkatërrimi i gjashtë muajve të fundit ka qenë i paprecedentë. Axhenda e Trump për mandatin e dytë – e detajuar në projektin Project 2025 të Heritage Foundation – jo vetëm që po dëmton rëndë ekonominë amerikane në afat të shkurtër, por po rrezikon thellësisht pozicionin dhe konkurrueshmërinë e vendit në arenën ndërkombëtare. Duke shtypur zërat kritikë dhe duke përdorur ushtrinë brenda vendit, Trump po ndjek manualin e autokratëve. Ai duhet ndalur para se dëmi të bëhet i pakthyeshëm.

Lajmi i mirë është se publiku amerikan duket se është zgjuar. Trump është në rënie në sondazhet kombëtare, si për performancën e përgjithshme ashtu edhe për çështjet kryesore – me përjashtim të emigracionit, ku rezultatet janë të përziera. Lajmi i keq është se OBBBA ka gjasa të miratohet, pavarësisht se shumica dërrmuese e amerikanëve e kundërshtojnë atë.

Kjo ligjvënie e tmerrshme do të shkaktojë zhvendosje të të ardhurave nga më të varfrit drejt më të pasurve, do të lërë deri në 17 milionë vetë pa sigurim shëndetësor, si dhe 3.2 milionë të rritur dhe 1 milion fëmijë pa ndihmë ushqimore, dhe do të shtojë triliona në borxhin federal. Si pasojë, normat e interesit për titujt e borxhit dhe kreditë për biznese dhe konsumatorë do të rriten ndjeshëm. Një ekonomi që Trump e trashëgoi të mirë, është gati të bëhet shumë më keq.

 

*Laura Tyson, ish-kryetare e  Këshilltarëve Ekonomikë të Presidentit gjatë administratës Clinton, është profesore në Shkollën e Biznesit Haas në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley, si dhe anëtare e Bordit Këshillues të Angeleno Group.
Lenny Mendonca, ekspert i lartë që ka shërbyer si këshilltar kryesor ekonomik dhe i çështjeve të biznesit pranë Guvernatorit të Kalifornisë, Gavin Newsom, dhe si kryetar i Autoritetit për Hekurudhën me Shpejtësi të Lartë në Kaliforni.

Copyright: Project Syndicate, 2025  /  www.project-syndicate.org 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0