Tronditja që po sjell inteligjenca artificiale për gratë - Business Magazine Albania

Tronditja që po sjell inteligjenca artificiale për gratë

Në vitin 1986, “Anne”, punonjëse e të dhënave, pa për herë të parë një kompjuter në tavolinën e saj. Brenda një viti, puna e saj nuk ekzistonte më. Katër dekada më vonë, “Natalie”, menaxhere e rrjeteve social, sheh si ChatGPT shkruan postimet që dikur i përgatiste vetë. Por rreziku për të humbur punën këtë herë po vjen shumë më shpejt.

Në korrik, një studim i ri nga Microsoft listoi 40 profesionet që rrezikohen më shumë të zëvendësohen nga inteligjenca artificiale. Aty përfshiheshin përfaqësues shitjesh, përkthyes, redaktorë, dhe profesione të tjera që kërkojnë aftësi mendore, duke sinjalizuar një krizë të mundshme për punonjësit e zyrave. Por diçka thelbësore kaloi pa u vënë re: ky revolucion nuk do të godasë njësoj për burrat dhe gratë. Sipas të dhënave të Byrosë Amerikane të Statistikave të Punës, gratë përbëjnë shumicën e punonjësve në rreth 60% të profesioneve që rrezikohen më shumë. Nëse inteligjenca artificiale “do t’u marrë të gjithëve drekën”, ajo e grave duket se do ta marrë e para. Ashtu si në vitet ’80, kur kompjuterët zhdukën me mijëra vende pune të sekretares, daktilografes apo të futjes së të dhënave, profesione të mbajtura kryesisht nga gra, edhe kjo valë e re automatizimi pritet të godasë më shumë gratë. Një studim i fundit nga Organizata Ndërkombëtare e Punës tregon se në vendet me të ardhura të larta, punët e grave kanë tre herë më shumë gjasa të zëvendësohen nga makineritë krahasuar me ato të burrave. E kaluara na tregon se pasojat janë të rënda. Shumë gra që humbën punët e tyre në vitet ’80 nuk arritën kurrë të rikthehen në karrierë. Shumë prej tyre përfunduan në punë me paga më të ulëta, kryesisht në sektorin e shërbimeve apo kujdesit, ndërsa të tjera u tërhoqën përfundimisht nga tregu i punës. Statistikat e kohës tregojnë se gratë kishin dyfish më shumë gjasa se burrat të braktisnin tregun e punës pas humbjes së punës. Duke qenë se gratë tashmë janë në disavantazh ekonomik, fitojnë më pak, zotërojnë më pak pasuri dhe dalin në pension me më pak kursime, politikat publike duhet të përgatiten për faktin se inteligjenca artificiale pritet t’i godasë ato më fort. Dhe duhen masa konkrete për ta zbutur këtë ndikim.

Lexo edhe: Web Summit 2025: 70 mijë pjesëmarrës, 2500 startup-e dhe debat mbi dominimin e inteligjencës artificiale

Në të kaluarën, jo të gjitha gratë humbën njësoj: ato që arritën të përshtateshin me teknologjinë dhe fituan aftësi të reja, ia dolën më mirë. Edhe sot, të dhënat tregojnë se punonjësit që zotërojnë aftësi në përdorimin e inteligjencës artificiale fitojnë mesatarisht 56% më shumë sesa ata që nuk i kanë këto aftësi. Kjo tregon se, nëse duam të shmangim që gratë të bëhen “viktimat e para” të këtij revolucioni, duhet t’u japim atyre mundësinë të mësojnë e të përdorin teknologjinë në të njëjtin nivel me burrat. Megjithatë, një hendek i ri po shfaqet në vendin e punës. Edhe pse numri i grave dhe burrave që përdorin ChatGPT për gjëra personale është i ngjashëm, në punë burrat e përdorin dukshëm më shumë. Një sondazh në SHBA tregoi se 36% e burrave përdorin inteligjencën artificiale çdo ditë në punë, kundrejt vetëm 25% të grave. Për më tepër, pothuaj gjysma e burrave ndihen të sigurt ta përdorin, ndërsa vetëm 39% e grave ndihen po aq të afta. Arsyet janë të ndryshme. Gratë shpesh janë më skeptike ndaj teknologjisë, dhe me të drejtë, por një tjetër arsye është se kompanitë investojnë më shumë në trajnime teknologjike për burrat.

Një studim global me 12,000 profesionistë tregon se 41% e burrave kanë akses në mjetet e AI-së përmes punëdhënësit të tyre, kundrejt 35% të grave, dhe 38% e burrave kanë marrë trajnime, kundrejt vetëm 33% të grave. Më pak përdorim dhe më pak mundësi për trajnim është një kombinim i rrezikshëm për punonjëset – veçanërisht tani që “aftësia për të punuar me AI” po bëhet kriter për promovim apo mbajtje në punë. Në disa vende, ky hendek mund të sjellë edhe pasoja ligjore. Në Mbretërinë e Bashkuar, politikat që vendosin gratë në disavantazh sistematik në vendin e punës mund të konsiderohen diskriminim, edhe nëse nuk janë të qëllimshme. Ajo që ka rëndësi është ndikimi, jo qëllimi.

Kjo do të thotë se drejtuesit e kompanive duhet të pyesin veten:
Kush ka akses në mjetet e AI-së?
Kush përfshihet në projektet e reja teknologjike?
Kush po trajnohet e kush po mbetet pas?

Qeveritë në mbarë botën duken ende të papërgatitura për tronditjen që mund të shkaktojë inteligjenca artificiale, veçanërisht për gratë. Ndaj, çdo strategji për menaxhimin e këtij rreziku duhet të ketë në qendër edhe barazinë gjinore, jo vetëm për arsye etike, por edhe praktike. Në një kohë kur polarizimi politik po rritet dhe partitë tradicionale po humbasin besimin e votuesve, mbrojtja e grave nga pasojat e automatizimit është edhe zgjuarsi politike. Sepse, në fund të fundit, ka shumë “Natalie” të tjera atje jashtë.

Noreena Hertz është profesoreshë në UCL Policy Lab, ku udhëheq kërkimet mbi Inteligjencën Artificiale.

Project Syndicate, 2025.
www.project-syndicate.org

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0