Algoritmet kanë qenë pjesë e tregtimit për dekada të tëra, por përparimet e fundit në fushën e inteligjencës artificiale po krijojnë sfida të reja për autoritetet rregullatore. Praktikat keqdashëse në tregti nuk janë diçka e re. Lufta kundër tregtimit me informacione të brendshme dhe formave të ndryshme të manipulimit të tregut ka qenë një betejë e vazhdueshme për institucionet mbikëqyrëse.
Megjithatë, vitet e fundit ekspertët kanë filluar të paralajmërojnë për rreziqe të reja që i kanosen sistemeve financiare. Zhvillimet në inteligjencën artificiale po i bëjnë robotët tregtarë jo vetëm më të zgjuar, por edhe më të pavarur. Nëse më parë algoritmet bazike vepronin vetëm sipas komandave të programuara, sot robotët e tregtimit janë në gjendje të mësojnë nga përvoja, të përpunojnë sasi të mëdha informacioni në kohë reale dhe të veprojnë autonomisht kur marrin vendime për tregti.
Sipas akademikëve, një nga skenarët më shqetësues është mundësia e bashkëpunimit mes robotëve të IA-së. Imagjinoni qindra profile të rreme në rrjete sociale, të drejtuara nga IA, që përhapin narrativa të caktuara për kompani të veçanta. Informacioni që shpërndahet nuk është domosdoshmërisht i rremë, por është një zgjatim apo amplifikim i një lajmi ekzistues. Pas kësaj, përdoruesit realë reagojnë dhe përhapin më tej mesazhin e zgjedhur nga këto “bot-e”.
Kur tregu tronditet nga narrativa e ndërtuar me kujdes, një investitor fiton përmes këshilltarit të tij robotik, i cili ishte sinkronizuar me “bot-et thashethemexhinj”. Ndërkohë, investitorët e tjerë që nuk kishin qasje në këto sinjale, humbin për shkak të kohës së gabuar të veprimit në treg. Problemi është se edhe vetë investitori përfitues mund të mos jetë i vetëdijshëm për manipulimin që ka ndodhur. Kjo e vështirëson ndjekjen penale për manipulim tregu, edhe nëse autoritetet vërejnë se dikush ka përfituar nga praktika shtrembëruese.
Si po ndikojnë rrjetet sociale në mënyrën se si bëhet tregtia?
Alessio Azzutti, asistent profesor në drejtësi dhe teknologji (FinTech) pranë Universitetit të Glasgow, tha për Euronews se ky skenar është ende hipotetik — pasi nuk ka prova të mjaftueshme që të vërtetojnë se kjo ndodh realisht. Megjithatë, ai thekson se skema të ngjashme, ndonëse më pak të sofistikuara, tashmë po ndodhin, sidomos në tregjet e aseteve kripto dhe në tregjet e financave të decentralizuara (DeFi).
“Skenarë keqdashës shfaqen shpesh në platformat sociale dhe në aplikacione si Telegram, ku përdoruesit inkurajohen të investojnë në një aset të caktuar kripto, në të vërtetë për përfitimin e atyre që nxisin fushatën,” shpjegoi Azzutti.
Lexo edhe: Si e përdorin brezat e ndryshëm inteligjencën artificiale?
Sipas tij, aktorët që përhapin informacione të rreme nuk janë gjithmonë të sofistikuar, por janë gjithsesi të aftë për të “ndotur” hapësirat e diskutimit me lajme të rreme, duke i çorientuar investitorët amatorë.
Dhe pyetja që lind është: nëse një i ri, nga shtëpia e tij, është në gjendje të arrijë këto manipulime, cilat janë kufijtë e atyre me mjete më të mëdha dhe më shumë fuqi në tregjet më të ndërlikuara?
Kur turma bëhet strategjia e tregut
Mënyra se si shpërndahet informacioni në internet — në mënyrë të shpejtë, të pakontrolluar dhe masive — po krijon forma të reja tregtimi. Investitorët e vegjël kanë gjithnjë e më shumë tendencën të ndjekin valët e momentit, në vend të analizës personale, gjë që e bën tregun më të lëkundshëm dhe të prekshëm ndaj ndërhyrjeve të AI-së.
Shembulli i njohur i aksioneve të GameStop është ilustrimi më i mirë i asaj që njihet si “tregtia në grup”: përdorues të një forumi në Reddit vendosën kolektivisht të blinin aksione të kompanisë së lojërave, duke ngritur çmimin në nivele të papritura. Fondet e mëdha spekulative, që kishin vënë bast për rënien e çmimit, pësuan humbje të mëdha. Ekspertët thonë se nuk ishte rast bashkëpunimi i strukturuar, pasi nuk kishte marrëveshje formale — por ndikimi ishte gjithsesi real.
A është gati rregullimi për t’u përballur me AI-në?
Një sfidë e madhe për rregullatorët është se bashkëpunimi mes agjentëve të AI-së është i vështirë për t’u gjurmuar.
“Ata nuk dërgojnë email-e, nuk takohen me njëri-tjetrin. Ata mësojnë, në mënyrë të pavarur, strategjinë më të efektshme. Kjo e bën të pamundur përdorimin e metodave tradicionale për zbulimin e bashkëpunimit të ndaluar,” tha Itay Goldstein, profesor në financë dhe ekonomi pranë Wharton School në Universitetin e Pensilvanisë për Euronews.
“Rregullimi duhet të evoluojë dhe të gjejë strategji të reja për ta përballuar këtë,” shtoi ai, duke nënvizuar se mungon informacioni i besueshëm mbi mënyrën se si po përdoret AI në tregti.
Nga ana tjetër, Filippo Annunziata, profesor në fushën e tregjeve financiare dhe legjislacionit bankar pranë Universitetit Bocconi, vlerëson se rregullat ekzistuese të BE-së — si Rregullorja për Abuzimin me Tregun (MAR) dhe Direktiva për Instrumentet Financiare (MiFID II) — nuk kanë nevojë për ndryshime. Por, ai këmbëngul që autoritetet mbikëqyrëse duhet të pajisen me mjete më të sofistikuara për të identifikuar manipulimet e mundshme.
Ai madje sugjeron një masë konkrete: “Mund t’u kërkohet zhvilluesve të mjeteve të AI-së që përdoren për tregti të vendosin ‘çelësa sigurie’, të cilët ndalojnë veprimet e AI-së përpara se të ndodhë manipulimi.”
Në kuadër të rregulloreve ligjore aktuale, një tjetër pikë diskutimi është përgjegjësia ligjore kur një AI vepron në mënyrë të dëmshme. Kjo është veçanërisht shqetësuese në rastet e “tregtisë së kutisë së zezë”, ku një bot merr vendime pa zbuluar procesin që ndjek.
Një zgjidhje e mundshme, sipas ekspertëve, është të krijohen ligje të reja që përcaktojnë qartësisht përgjegjësinë për rastet kur AI shkakton manipulim, edhe pa qëllim të drejtpërdrejtë nga krijuesit apo përdoruesit e saj.
“Është si garimi mes breshkës dhe lepurit,” përfundon Annunziata. “Mbikëqyrësit shpesh janë breshka, ndërsa manipuluesit që përdorin algoritme janë lepujt — dhe është gjithmonë e vështirë të mbash hapin me ta.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.