E fokusuar prej vitit 2011 në fushën e zhvillimit personal dhe me përvojë mbi 30 vite ajo gjendet shumë mirë në kombinimin harmonik midis zhvillimit profesional dhe personal. Anila Bashllari nuk ndal së investuari tek vetja. Pjesë e këtij investimi ishte edhe projekti i gati dy viteve më parë, ku u përfshi për të zhvilluar në një nivel tjetër biznesin e saj të coaching, mentorim dhe trajnim në fushën e zhvillimit personal. Ajo intervistohet për t’u bërë pjesë e një libri si bashkëautore dhe pritshmëritë e saj se do të përzgjidhej, ndodhën.
“Isha shumë e entuziazmuar kur më njoftuan që isha zgjedhur mes individëve shumë të njohur në këtë fushë”. I duhej të dorëzonte draftin me 18 Shkurt, ndërsa babai i saj ndërroi jetë 3 ditë përpara. Ajo kërkoi 4 ditë shtyrje dhe arrin ta dorëzojë me 22 shkurt. Pas vdekjes së babait dhe gjatë punimit të librit, kupton se “jemi më të fortë se sa mendojmë”. Ajo vendosi që kapitullin t’ua dedikonte babait dhe nënës së saj.
Artikulli u publikua më parë në faqen 66 të numrit 22 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 22 të saj.
Anila prej disa vitesh ofron coaching, mentorim dhe trajnime jashtë vendit. Fokusi i saj është zhvillimi personal, por shpeshherë mentoron sipërmarrës apo biznese në fazën e startup apo rritje të biznesit. Krahas Shqipërisë, synimi i saj është edhe tregu ndërkombëtar dhe kjo tashmë po bëhet realitet. Libri i krijon mundësinë të jetë e pranishme në tregun ndërkombëtar, pasi deri tani është best seller në disa kategori në fushën e zhvillimit personal në Amazon USA, Canada, Hollandë, Gjermani, Indi dhe vende të tjera.
Kujt i drejtohet ky libër? Pjesa e Bashllarit në libër ka mesazhe për jetën dhe kur ka shkruar ka menduar për këdo. “Çdokush ka nevojë për zhvillim personal dhe nëpërmjet historisë time synoj të ndihmoj këdo që ndihet në udhëkryq, pa shpresë, dëshiron të rritet apo të bëhet i suksesshëm”, thotë Bashllari. Zhvillimi personal është nevojë dhe kërkesë e kohës. Ato që do ta kuptojnë të parët rëndësinë e tij dhe do të zhvillohen, do të jenë përpara krahasuar me të tjerët. Sot, ajo që përbën diferencën është mendësia.
Në artikujt e saj Anila është fokusuar në tema të ndryshme, duke filluar nga mënyra inteligjente dhe holistike e të jetuarit të jetës; në inteligjencën emocionale; komunikimin efektiv; mendësinë e rritjes; të menduarit pozitiv; lidershipin, mendësinë e suksesit etj.
Ja disa prej mesazheve të librit
Mesazhet lidhen me mësime nga sfidat e kaluara
- Në jetë ndodhemi përpara situatave të ndryshme, të cilat na vendosin përpara zgjidhjeve dhe vendimmarrjeve të vështira. Sfidat nuk na ndodhin neve siç mendojmë, por ndodhin për ne, veçanërisht për rritjen tonë, duke na përgatitur për të ardhmen. Po t’i rikthehesh historisë së jetës vëren se asgjë nuk ka ndodhur rastësisht.
- Shpeshherë ajo që mendojmë se është më e mira për ne, mund të mos jetë. Ne nuk i dimë të gjitha edhe pse kemi iluzionin që PO. Ne nuk dimë çfarë nuk dimë dhe nëse do të jemi mendjehapur dhe me një mendësi të rritjes, do të ndihemi më modest me dijet tona dhe do të synojmë të mësojmë më shumë, më shumë…
- Njerëzit që shfaqen në jetën tonë na prezantojnë me pikat tona të dobëta dhe nëse do të jemi të vetëdijshëm do t’i shohim si bekim. Mund të mendoni ndryshe. Në çdo moment që prania e dikujt ju sfidon statuquonë diçka brenda jush ka nevojë të adresohet dhe përmirësohet. Dhe kjo të krijon një qetësi emocionale. Si pasojë, arsyet për mosmarrëveshje dhe konflikt pakësohen. Edhe kur ndodh, komunikimi efektiv ndihmon të zgjidhësh situatën përpara se të nisësh ndonjë konflikt të mundshëm.
- Asgjë nuk është rastësi, por rezultat i veprimeve tona. Çdo hap që hedhim dhe veprim që marrim na afron ose largon nga qëllimet tona.
- Suksesi dhe dështimi janë pjesë e të njëjtës medalje. Ne nuk mund të bëhemi të suksesshëm nëse nuk bëjmë gabime apo dështojmë.
- Rritja ndodh jashtë zonës së rehatisë (zona ku jemi familjarizuar dhe kemi qëndruar gjatë).
- Këmbëngulja është një nga cilësitë shumë të rëndësishme të karakterit.
Napoleon Hill thotë që “Këmbëngulja është për karakterin, sikurse karboni për çelikun”.
- Mos hiq dorë edhe kur gjërat nuk shkojnë siç duhet. Nëse do të jesh këmbëngulës do t’ia dalësh.
- Mendësia e rritjes është çelësi i suksesit.
- Ëndërroni shumë më tepër se çfarë mendoni. Nje ditë do t’i prekni ato.
- Durimi është një cilësi e çmuar e suksesit. Kultivojeni atë me kujdes.
- Fokusohu në rrugëtimin drejt suksesit dhe jo këtë të fundit në vetvete. Suksesi është ai që ti bëhesh dhe jo çfarë arrin.
Ku duhet të punojmë fort për t’u përmirësuar, si individë a sipërmarrës, sipas Bashllarit?!
Fokusi i saj janë sipërmarrës, biznese, drejtues apo individë që duan një jetë më të mirët, të realizuar dhe përmbushur; njerëz që e dinë që mund të rriten më shumë dhe të jenë të suksesshëm. Natyrisht kjo do një mendësi të caktuar, e cila nuk është e pranishme. “Unë këtë e quaj mendësi të rritjes dhe kjo nuk ka të bëjë me inteligjencën -IQ. Mendësia e rritjes është çelësi që na çon drejt suksesit; na krijon mundësi të kuptojmë veten dhe talentet tona; na bën më efektivë duke arritur më shumë në një kohë më të shkurtër; na krijon pavarësi financiare dhe një jetë të realizuar”, thotë Anila. Duke cituar trajnerin e saj ajo thekson se, “niveli i biznesit përfaqëson nivelin e mendësisë së pronarit të tij”. Biznesi nuk mund të tejkalojë mendësinë e atyre që e drejtojnë. Ndaj duke iu përgjigjur pyetjes sonë, thekson se, “sipërmarrësit, bizneset dhe individët duhet të kultivojnë një mendësi të re, nëse duan të jenë lider në fushën e tyre, të jenë të suksesshëm apo të kenë një biznes fitimprurës”.
Artikulli u publikua më parë në faqen 66 të numrit 22 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 22 të saj.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.