"Think Big" me ata që po ndryshojnë real estate-in në Shqipëri - Capital Point | Forbes Global Properties - Business Magazine Albania

“Think Big” me ata që po ndryshojnë real estate-in në Shqipëri – Capital Point | Forbes Global Properties

"Think Big" me ata që po ndryshojnë real estate-in në Shqipëri - Capital Point | Forbes Global Properties

Episodi i rradhës  i Think Big, i transmetuar live në rrjetet sociale të Businessmag, nuk ishte thjesht një bisedë për real estate. Ishte një rrëfim për kohën, intuitën, rrezikun dhe atë moment të vështirë kur vendos të ecësh përpara edhe kur askush tjetër nuk po shikon në të njëjtin drejtim.

Në qendër ishin Ilda Zaloshnja dhe Brandan Mativi, bashkëthemelues të Capital Point dhe përfaqësues të Forbes Global Properties në Shqipëri, dy njerëz që nuk erdhën në këtë treg për të ndjekur trendin, por për ta krijuar atë.

Ilda shprehet se e nisi këtë rrugë, jo sepse “e kishte ëndërr”, por sepse e dinte çfarë donte të ndërtonte: një rrugë të vetën.

“Edhe pse kam studiuar për gjuhë të huaja dhe një farë kohe punova si pedagoge, e dija që doja të bëja diçka timen. U futa në tregun imobiliar shumë rastësisht, sepse edhe në atë kohë nuk ishte shumë i zhvilluar si treg dhe nuk dija asgjë rreth kësaj industrie. Doja vetëm të bëja diçka që të më jepte pavarësi në çdo drejtim.”

Në 2009 hodhi një hap të parë serioz me një emër të madh ndërkombëtar, jo rastësisht, por si strukturë e nevojshme për të mësuar standardin. “Në 2009 u hap zyra e parë, si pjesë e sistemit franchise Century 21.”

Por ajo që e përcaktoi fillimin nuk ishte logoja. Ishte përplasja me realitetin e një tregu që kërkonte formalizim.“Sfidat më të mëdha ishin formalizimi i tregut patjetër.”

Dhe më tej, ajo e vendosi theksin te një nga problemet që e ul vlerën e tregut jo vetëm ekonomikisht, por edhe reputacionalisht: konfuzioni. “Edukimi i tregut është pjesa më e rëndësishme e punës që ne duhet të bëjmë. Tregu ka deformime nga mungesa e shitblerjeve të shpejta, sepse nga frika se mos ndoshta prona nuk i shitet, një pronë e gjen të listuar në disa agjenci dhe kjo krijon kakofoni dhe konfuzion.”

Në një industri ku “luksi” nuk është vetëm çmim, por qartësi dhe proces, ky lloj kaosi është pikërisht ajo që klienti premium nuk e toleron.

Standardi: modeli amerikan, disiplina europiane

Kur biseda shkoi te modelet e referencës, Ilda nuk u ndal te frazat e përgjithshme. Ajo i përmendi komponentët konkretë që e bëjnë një treg të shëndetshëm: trajnimi, organizimi, trajtimi i pronës, transparenca dhe mënyra e mbylljes. “Mendoj që modeli amerikan është modeli më i mirë për t’u marrë si shembull në industrinë e real estate, si nga mënyra e përgatitjes së agjentëve, e organizimit të biznesit, e trajtimit të pronës, transparencës në të gjithë historikun e pronës, si edhe në mbylljen e transaksioneve.”

Dhe për një analogji më afër Europës, një standard profesional që lidhet me përgjegjësi, jo me imazh: “Për të ardhur më afër në Evropë, Belgjika gjithashtu është një model i shkëlqyer, ku për t’u quajtur agjent duhet të perfundosh nje shkollim 2-vjeçar.”

Pastaj e përkufizoi profilin e “agjentit të mirë” jo si njeri që “di të shesë”, por si njeri që ka nervin e sipërmarrjes dhe që i reziston lodhjes emocionale të industrisë. “Një agjent imobiliar i mirë, më të suksesshëm janë ata persona që kanë ndjenjën e sipërmarrjes shumë të fortë, dëshirë për të eksploruar, pasion për marrëdhëniet me njerëzit, dhe më e rendësishmja që duhet ta duan aq shumë real estate-n, saqë edhe kur real estate t’ua sjellë në majë të hundës, ata të mos mendojnë ta lënë.”

Lexo edhe: Capital Point | Forbes Global Properties lançohet në Shqipëri me një event madhështor në Pallatin e Brigadave

Etika si avantazh konkurrues: “Rregulli i Artë”

Ka kompani që flasin për vlera. Ka kompani që i përdorin vlerat si metodë pune. Për Ildën, ky është boshti i Capital Point, dhe e shpjegoi përmes një ideje të thjeshtë që në real estate është më e vështira për t’u zbatuar në praktikë: “Kur kam bërë trajnimin e parë para 17 viteve, dëgjova por nuk e kuptova ‘the golden rule’. Dhe më vonë e kuptova që rregulli i artë ishte: mos i bëj tjetrit atë që s’do doje të ta bënin ty. Dhe kjo në real estate është shumë e rëndësishme, pasi tundimi per ta shkelur ate është shumë i madh.”

Dhe më pas tri fjalë që në luks kanë peshë më shumë se çdo fushatë marketingu: “Transparenca, korrektesa, të qenit njerëzor.”

Brandan Mativi, bashkëthemelues i Capital Point, e futi Shqipërinë në bisedë jo si “zbulim ekzotik”, por si vend që një investitor e lexon përmes shenjave: ritëm zhvillimi, infrastrukturë, interes ndërkombëtar, dhe atë “diçka” që ndihet para se të matet. “Kur erdha në Shqipëri pashë gjëra që të tjerët nuk i shihnin, Shqipëria nuk ishte siç është tani në fakt dhe me të drejtë njerëzit nuk e shihnin si një vend potencial për të investuar.”

Vendimi i tij, sipas vetë tij, erdhi si një lloj sinjali: “Nuk ishte një vendim i planifikuar. Një mik më tha: ‘Duhet ta shohësh këtë vend. Po ndodh diçka.’ E kuptova menjëherë se kishte potencial të madh zhvillimi.”

Ai e vendosi edhe kontekstin kohor: tetë vite më parë, Shqipëria ishte “hyrje e hershme”.“Tetë vite më parë, Shqipëria ishte një treg i paprekur, me prona që ofronin mundësi të qarta për kthim afatgjatë të investimit.”

Sot, sipas tij, ndryshimi është i dukshëm në infrastrukturë dhe ritëm urban: “Tirana është trefishuar në madhësi, aeroportet janë në zgjerim, ndërsa bregdeti po fiton vëmendje të madhe ndërkombëtare.”

Dhe një indikator i thjeshtë, por shumë i fortë për këdo që studion tregje: “Kur erdha për herë të parë, aeroporti ishte thuajse bosh. Sot funksionon 24 orë në ditë. Ky është një tregues i rritjes së shpejtë.”

Më pas, ai e lidh rritjen edhe me një motor modern të reputacionit: rrjetet sociale. “Tetë vite më parë Shqipëria nuk ekzistonte në YouTube. Sot, çdo platformë është plot me përmbajtje që e promovon vendin si destinacion të ri.”

Hyrja para boom-it dhe arsyeja pse Forbes duhej të vinte tani

Për Mativin, investitori i vërtetë nuk pret konsensusin. “Investitori i vërtetë është ai që hyn kur ndjen se diçka po vjen. Duhet ta besosh për ta parë.”

Kjo logjikë e solli edhe vendimin për Forbes Global Properties në Shqipëri, përpara “pjekurisë” së plotë të tregut: “Mund të kisha pritur edhe dy vjet, por nuk doja. Dua që Forbes të jetë i njohur si marka që vendosi Shqipërinë në hartën e pronave luksoze.”

Ai e përshkroi efektin zinxhir që sjell një markë e tillë: besim, kërkesë, standarde më të larta. Dhe e lidhi me një realitet konkret të tregut: “Në Shqipëri tashmë ka kërkesa për hapësira të klasit të parë që ende nuk mund të plotësohen. Ndërtesat që po ngrihen nuk janë thjesht spekulim, ka kompani që presin të futen në to.”

Luks i qëndrueshëm: pa e përjashtuar vendin që e krijon

Gjatë intervistës gjithashtu u fol edhe se si real estate bëhet përgjegjësi: kush fiton, kush mbetet jashtë, dhe çfarë trashëgohet. “Shqiptarët do të jenë transferues të pasurisë përmes tokës. Zhvillimi duhet të jetë i qëndrueshëm, në mënyrë që brezat e ardhshëm të mos thonë se humbën vendin e tyre.”

Dhe një ide që shpesh harrohet kur vendet “modernizohen” me shpejtësi: “Turistët nuk duan një kopje të vendeve të tjera. Duan të shohin autenticitetin shqiptar.”

Për Brandanin, kjo është edhe një ambicie personale, jo thjesht profesionale: “Dua të jem i njohur si një ambasador i trashëgimisë së Shqipërisë. Dua që njerëzit të thonë se ne ishim këtu para se vendi të ishte ‘gati’ dhe qëndruam deri në fund për ta bërë historinë një sukses të qëndrueshëm.”

Capital Point: nga “transaksioni i ditës” te institucioni i një dekade

Ilda e pranoi se për një kohë ishte e zhytur te urgjenca e përditshme, ajo që shumica e industrisë e quan “punë”. Por ndryshimi ndodhi kur pyetja u bë më e madhe se dita: “Që nga njohja me Brandan kam nisur të mendoj dhe të guxoj më shumë edhe unë sepse isha shumë e zënë duke mbyllur transaksionin e ditës…” Dhe pastaj, motivimi u bë personal dhe vizionar njëkohësisht: “…dhe më pas mendova se çfarë do të bëja unë për djalin tim që shpresoja të ndiqte rrugën time, për veten time dhe patjetër edhe për vendin dhe industrinë.”

Kjo i shtyu të bëjnë një lëvizje të qartë drejt një segmenti ku standardet nuk negociohen: “Ne donim të bënim diçka ndryshe, iu futëm tregut të luksit dhe kërkuam se çfarë po ndodhte në botë dhe kështu u njohëm me ekzistencën e Forbes Global Properties, bëmë kontaktin tonë të parë dhe më pas e gjitha është histori siç e dini dhe ju.”

Vizioni i tyre është të ndërtojnë një pikë referimi: “Vizioni ynë për pas 5–10 vitesh është krijimi i një kompanie e cila të jetë pikë reference për investitorët e huaj që i hedhin sytë nga Shqipëria edhe falë punës sonë.”

Dhe, në fund, një nga përkufizimet më të qarta të “trashëgimisë” në biznes: “Dëshira ime më e madhe është që kur unë të kem filluar të tërhiqem pak nga kjo fushë, djali im të jetë rritur aq sa për të marrë frenat e një kompanie tashmë të konsoliduar.”

Sepse, siç e tha ajo, nuk mjafton estetika pa strukturë: “Nuk mjafton thjesht të ndërtosh gjëra të bukura, por duhet të krijosh edhe një strukturë që ato gjërat e bukura të marrin jetë.”

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0