Në këtë episod do të gjeni pasqyrimin e një modeli të zhvillimit të një biznesi të suksesshëm teknologjik që operon në 3 shtete.
Në emision flasin drejtuesit e kompanisë CardoAI, të cilët na tregojnë rrugëtimin e tyre, fillesat dhe strategjitë e përdorura në drejtimin e një kompanie që ka dhjetëra të punësuar dhe krijon produkte teknologjike për një treg global.
Në pjesën e parë të këtij episodi, 2 moderatorët tanë prezantohen me ekipet, zyrat dhe produktet e CardoAI, duke bërë një tur nga Ina Kuqali, Menaxhere e Talenteve dhe Kulturës në kompani.
Më pas Gerti Boshnjaku zhvillon një bisedë me bashkë-themeluesin e kompanisë Altin Kadare rreth fillesave të CardoAI, si lindi idea dhe cilat ishin kushtet mbi të cilat nisi ky rrugëtim. Altini e pa krizën financiare të 2008 si një oportunitet që ta linte karrierë e tij dhe të niste një startup që do të ndihmonte aktorët e ndryshëm financiarë, siç janë menaxhuesit e aseteve, fondet e pensionit, fondet e sigurimeve, bankat gjithashtu, të shihnin të njëjtat të dhëna dhe të operonin në një mënyrë fluide dhe më preçize seç funksionojnë sot.
Ishte konferenca Lendit në Londër, ku ata takuan shumë aktorë të tregut dhe nga përgjigjet që morën atje kuptuan se mungonte pikërisht një software që menaxhonte më mirë, më pastër dhe në mënyrë më preçize këtë lloj investimi. Pikërisht me këtë aprovim Altini kthehet në Shqipëri për të krijuar produktin e tij.
E thënë thjesht produkti i CardoAI lehtëson punën e të gjithë investitorëve institucionalë, që janë menaxhuesit e aseteve, fondet e pensioneve, fondet e sigurimeve për të operuar në tregjet e kredive alternative. Pra lejon të gjithë këta aktorë të operojnë në një infrastrukturë kaq të avancuar të përbashkët.
Produkti tregtohet në tregjet ndërkombëtare, madje mund të adaptohet në çdo lloj tregu, falë teknologjisë së sofistikuar që aplikon. Altini thotë se, “Ne kemi filluar të standardizojmë një treg që është shumë i vështirë të standardizohet në kaq pak kohë. Pra e njëjta procedurë që ndiqet për të marrë një kredi në Londër funksionon dhe në Indonezi.”
Gjatë intervistës me Ina Kuqalin, Menaxhere e Talenteve dhe Kulturës, ajo na tregon se si e la Italinë ku ishte rritur dhe edukuar për CardoAI. “Ndihet entuziazmi dhe pozitivieti që ka në kompani dhe ky është motori i zhvillimit për një kompani.”
Pyetjes se çfarë politikash rekrutimi aplikojnë dhe si arrijnë të mbajnë talentet në kompani, ajo i përgjigjet, “Kryesisht kërkojmë njerëz që kanë dëshirë të përmirësojnë aftësitë e tyre në soft skills dhe hard skills çdo dittë. Ne përdorim gjithmonë teknologjitë më të fundit kështu që mundësia për t’u rritur si profesionistë është e përditshme, por duam edhe njerëz që të formohen në komunikim, të jenë të drejtpërdrejtë, të ndajnë njohuritë e tyre me të tjerët, të bashkëpunojnë me njëri tjetrin, pasi forca vjen nga ekipi. Talenti është fuqia kryesore e Cardo dhe pas fazës së gjetjes të talentit fillon faza e kutlivimit të talentit, që nga faza 1 ne investojmë shumë për rritjen e çdo personi në Cardo.”
Gjithashtu Euron Metaliaj, CTO i CardoAi, na njohu me çmimet që kompania kishte fituar në kompeticionet ndërkombëtare, si dhe llojet e teknologjisë dhe platformat e përdorura gjatë punës me produktet e ndryshme që ata sjellin në treg. Ai e mbylli intervistën me fjalët, “Ne përpiqemi jo të krijojmë pjesë të ndryshme të një makine, por të ndërtojmë një Ferrari, pra të krijojmë një Ferrari në CardoAI.”
Në përfundim Altini na thotë se një nga objektivat kryesore të kompanisë është menaxhimi i talenteve me të njëjtat ritme si sot. “Ne duam të jemi teknologjia më e mirë në nivel botëror për menaxhimin e investimeve të tregjeve private, si dhe të mos humbasim vëmendjen ndaj talentit me rritjen e kompanisë.”
Për të parë më tepër nga vizita jonë në CardoAI, ndiqni episodin e 4-t të Think Big, në llogarinë e Youtube të Business Magazine.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.