Nga Qendra Shëndetësore Nr.9, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu tha se testimi i shpejtë ka nisur në 6 pika në Qendra Shëndetësore në Tiranë. Rezervimi për kryerjen e këtyre testimeve do të bëhet nga mjekët e familjes.
Sipas saj, “kemi filluar me testimin e shpejtë në Tiranë, në komunitet, në 6 pika të identifikuara për të kryer testimet në komunitet sipas një sistemi të mirëorganizuar me mjekun e familjes, me regjistrin elektronik të fashave orare, ku qytetarët, të cilët janë pjesë e indikacioneve, pra për 5 ditët e para të sëmundjes dhe ku mjeku i familjes vlerëson se duhet kryer testimin e shpejtë, vijnë në këto qendra shëndetësore”.
Manastirliu tha se vijon fuqizimi i kapaciteteve, pasi testimi i shpejtë do të vijojë në të gjithë Shqipërinë.
“Sigurisht do të vijojë në gjithë Shqipërinë, në qendrat e testimit në komunitet. Në Tiranë kemi filluar me 6 pika: Në qendrën shëndetësore nr. 9, qendrën shëndetësore nr.10, në qendrën shëndetësore të Kombinatit, në qendrën shëndetësore Qyteti Studenti, në qendrën shëndetësore Kodër-Kamëz dhe gjithashtu edhe në pikën e Brrakës, në qendrës shëndetësore nr. 4”, tha ajo.
Lexo: Vaksina falas për vendet e Ballkanit Perëndimor, Von der Leyen jep lajmin e mirë
Të gjithë mjekët e familjes do të referojnë për testim në qendrën që kanë të përcaktuar. Është mjeku i familjes, i cili, nëpërmjet sistemit të referimit elektronik, e referon qytetarin për rapid test në fashat orare nga 10:00-16:00, nga e hëna në të shtunë. Pacienti paraqitet në pikën e testimit në ditën dhe orën e caktuar, ndërsa përgjigjen e merr po nga mjeku i familjes.
Ndërkohë do të vazhdojë testimi me medotën klasike të PCR. “Grupet e epidemiologëve janë në terren për vijimin e testimit përsa i përket testeve të cilat kryhen direkt nga numri 127, pra rastet e hetimit epidemiologjik dhe gjurmimit në terren”, tha Manatirliu.
Ministrja u bëri thirrje qytetarëve në prag të festave të fundvitit të shmangin grumbullimet dhe të festojnë brenda familjes së tyre të vogël, për të kufizuar përhapjen e infeksionit.