Gjithmonë është një i ri që sfidon status quo-në, që thotë: “Nuk pres më, veproj tani”. Historia e ka treguar se ndryshimet e mëdha shpesh lindin nga ata që nuk presin radhën. Sot, këta zëra kanë fytyrë dhe emër. Ajsel Budlla dhe Esli Vahidi, të angazhuara me Junior Achievement of Albania, dhe Skerdilajd Bilibashi, Dea Ktona e Klerti Malaj, që eksplorojnë horizontet e Inteligjencës Artificiale me Teens in AI.
Pesë rrugë të ndryshme, një vizion i përbashkët: besimi se e ardhmja nuk është diçka që pritet; ajo ndërtohet, hap pas hapi, ide pas ideje. Disa e kanë gjetur këtë rrugë përmes sfidës së sipërmarrjes dhe edukimit, duke kthyer ide të thjeshta në projekte konkrete që transformojnë jetën e njerëzve. Të tjerë eksplorojnë botën e teknologjisë dhe AI-së, duke zbuluar se si inovacioni mund të shndërrohet në zgjidhje reale me ndikim të prekshëm.
Shpesh dëgjojmë stereotipe mbi aftësinë dhe vullnetin e rinisë së sotme, por këto histori tregojnë një të vërtetë tjetër: të rinjtë shqiptarë po angazhohen, po eksperimentojnë, po dështojnë dhe po ringrihen. Po ndërtojnë ura ndërkombëtare, krijojnë rrjete që sjellin ide dhe vizion. Ata nuk ecin gjithmonë të sigurt, por çdo hap i tyre është një akt guximi dhe secili hap u afron botën më pranë së ardhmes që ata vetë po e krijojnë.
Ky është brezi që nuk pret. Ky është brezi që vepron. Ky është brezi që na mëson se të rinjtë janë jo vetëm e ardhmja…por e tashmja që po ndërtohet sot.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto