Të rinjve u kemi borxh! - Business Magazine Albania

Të rinjve u kemi borxh!

Të rinj

Protestat e këtyre ditëve vijnë pas një ngjarje që në rrethana të tilla nuk dimë të ketë ndodhur në parë. Klodiani vritet në prag të shtëpisë, i paarmatosur. Një dhimbje e paprecedentë për familjen dhe shoqërinë. Një dhimbje që nxori në sheshe mijëra të rinj. Në ditët e protestave, disa policë u plagosën dhe dhjetëra objekte publike u dëmtuan. Një debat i madh është ngjallur me mediat tradicionale dhe mediat sociale, rreth sjelljes, qëndrimeve, dëmtimeve, të drejtave, të rinjve. Madje në komente të politikanëve dhe mbështetësve të tyre u rikthyen epitete: si trushplarë, malokë, etj.

Fatkeqësia e vendit tonë është se krahas plagës së re e sfilitëse të pandemisë, mbart mbi kurriz edhe plagë të vjetra, të pashëruara asnjëherë. Politika duket se nuk e ka marrë seriozisht eletoratin e saj. Cilët janë qytetarët e Shqipërisë? Ne jemi ende një popullsi e re dhe sa pjesë e popullsisë janë deri në 30 vjeç?! Ata nuk e mbajnë mend gërryerjen e stomakut nga uria në vitin ’91. Fatkeqësisht ka ende shumë familje të varfra, nën minimumin jetik, por ka plot të rinj të pajisur me telefonë smart, që kanë gjithë botën në duart e tyre. Rrjedhimisht janë në gjendje të bëjnë analizë të politikës ndërkombëtare, e shpesh nuk e kuptojnë e nuk ndihen të përfaqësuar nga politika e brendshme.

Unë jam pjesë e medias, por prej disa vitesh edhe e sipërmarrjes. Njoh sakrificat në konkurencë të pandershme të sipërmarrjes së vjetër, ashtu siç njoh entuziazmin e një komuniteti të rinjsh, që ndërtojnë aplikacione, biznese sociale, biznese me vizion, filozofi e botë dhe jo vetëm për të shitur dy produkte. Kam dy fëmijë, prej të cilëve një adoleshent.

Adoleshentët sot janë kërkues, sepse bota u ofron shumë rreth e rrotull tyre. Dhe pavarësisht rrezikut tonë të kemi dështuar në arsimin e duhur të tyre, informacioni global nuk u mungon. Logjika e fortë dhe nervi nuk u mungon. Ai nervi i vrarë tek prindërit tanë, e i paralizuar tek ne. Hija e diktaturës qenka e vështirë të largohet, e tranzicioni i stërzgjatur, një lodhje e mundimshe dhimbjeje e pasigurie, si kjo pandemi.

Ju do të thoni që partitë i kanë politikat e tyre, kanë forumet rinore. Po, por sa të rinj janë jashtë tyre?! A janë politikat gjithëpërfshirëse e pa interesin konkret të votës?!

Sa prej nesh kanë qëndruar larg politikës dhe pse e dinë se është angazhimi më i mirë për të përmbushur objektiva në të mirë të vendit. Nuk na mungojnë aftësitë për të punuar e argumentuar atë që është më e mira, por lehtësisht mund të dështojmë në përballje me kastën e vjetër të politikës që ironinë e denigrimin i ka mjet suksesi.

Lexo: Ata janë ‘Generation Z’

Sa prej nesh, me shumë mundësi jashtë e me karrierë atje, jemi kthyer në vendin e shqiponjave. Sa prej miqve e të afërmve tanë jashtë vendit nuk u shkëputet zemra nga këtu. Edhe pse jetojnë, punojnë e ushqehen oqeane larg, flasin e komentojnë për zhvillimet më të fundit këtu. Askush nuk ka të drejtë të ta bëjë lëmsh e li strehën tënde, dheun tënd. Të të detyrojë të largohesh se ske siguri shëndetësore, cilësi arsimi, drejtësi në gjykata.

Fëmijët tanë e përjetojnë përpjekjen e prindërve për t’u siguruar një të ardhme më të mirë, e shpesh pamundësinë për ta realizuar atë.

Ka një hendek të thellë mes politikës së vjetër e brezit tërësisht të panjohur për të, 20 vjeçarëve apo 17 vjeçarëve. Këta të fundit, nuk pyesin më për një individ. Ndryshe nga ç’pretendon politika të funksionojë.

Prej vitesh pyes veten si mund të hapet një gazetë me tituj si: dëmshpërblimi i ushtarakëve, apo vlera qesharake e shpërblimit të Vitit të Ri për pensionistët. Kuriozohem se pse emisionet telefonike të mëngjesit shpalosin tema politike e marrin telefonata me ngarkesë të madhe nga militantë, pensionistë e të papunë.

Të nderuar politikanë! Pa harruar këtë pjesë të elektoratit, fusni në axhendën tuaj të rinjtë. Jo me premtime boshe, apo zgjidhje të shpejta, por me programe afatgjata zhvilluese, fuqizuese. Kështu mund të fuqizoni ata, vendin dhe veten tuaj.

A kanë partitë politike një vizion të qartë si ta joshin këtë elektorat në prag të derës së tyre?! Unë dyshoj. Dyshoj nga reagimet e këtyre ditëve, kur adoleshentët e indinjuar shihen si vandalë, të porositur. Mund të mos përjashtohen raste specifike, por nuk mund ta besoj porosinë në masë. Të rinjtë e sotëm nuk blihen me një thes miell, me një vend pune të premtuar. Ata duan, që politika ta dojë vendin e tyre po aq sa ata. As më shumë as më pak!

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0