Tatimi 15% për qiratë ditore, pa NIPT, pagesa përmes DIVA-s - Business Magazine Albania

Tatimi 15% për qiratë ditore, pa NIPT, pagesa përmes DIVA-s

Eksploroni apartamente me qera për qëndrime të shkurtra në Shqipëri: Duke filluar nga vetëm 20 euro për natë

Kush jep apartamente për qira ditore në Airbnb e Booking nuk ka detyrim të hap NIPT, por duhet të deklarojë të ardhurat përmes DIVA dhe të paguajnë tatim 15%.

Administrata Tatimore ka sqaruar se individët që japin apartamente apo vila me qira ditore përmes platformave online si Airbnb apo Booking.com, nuk kanë detyrim për të hapur NIPT nëse nuk ushtrojnë ndonjë aktivitet tjetër tregtar. Megjithatë, ata duhet të deklarojnë të ardhurat e fituara përmes Deklaratës Vjetore Individuale të të Ardhurave (DIVA), dhe të paguajnë tatim 15% mbi to, brenda 31 Marsit të vitit pasardhës.

“Një individ që jep me qira një pasuri të paluajtshme dhe nuk ushtron aktivitet tjetër tregtar, nuk ka detyrimin ligjor që të regjistrohet për ushtrim të aktivitetit të qiradhënies por paguan tatim mbi të ardhurat personale vjetore të realizuara. Lidhur me tatimin mbi të ardhurat personale të realizuara ligji ka përcaktuar se, deklarimi dhe pagesa e tyre do të bëhet nëpërmjet Deklaratës Vjetore Individuale të të Ardhurave (DIVA). Deklarimi i të cilave bëhet brenda datës 31 mars të vitit pasardhës.

Çdo tatimpagues/individ që realizon të ardhura me burim në territorin e Republikës së Shqipërisë, mbart detyrimin ligjor të deklarimit të tyre dhe të pagesës së tatimit për çdo të ardhur të realizuar sipas dispozitave rregulluese në fuqi. Verifikimi i vetëdeklarimeve të tatimpaguesit është atribut i administratës tatimore dhe bëhet nëpërmjet ushtrimit të kontrolleve dhe vlerësimeve të deklarimeve të bëra.

Lexo edhe: Fjalimi i Diellës në Forumin e Investimeve: Nuk jam këtu për të zëvendësuar njerëzit, por…

Referuar dispozitave ligjore në fuqi, dhe konkretisht nenit 15, pika 1, germa dh) të, Ligjit Nr. 29/2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, konsiderohen si të ardhura nga investimet të ardhurat e realizuara nga qiraja e pasurive të paluajtshme, që nuk janë të ardhura biznesore”, sqarohet në dokumentin e tatimeve.

Për 2024 me plotësimin e DIVA risi ishte detyrimi i deklarimit edhe për ardhurat mbi 50 mijë lekë që një individ ka realizuar gjatë vitit, për të cilat nuk është mbajtur tatim përfundimtar në burim.

Edhe në rast se ky individ nuk kishte realizuar një total të ardhurash vjetore mbi 1,2 mln lekë (vetëm nëse të ardhurat janë mbi 1,2 mln lekë individi ka detyrim për plotësim e DIVA), por kishte realizuar mbi 50 mijë lekë në vit të ardhura të cilat nuk ishin tatuar, kishte detyrimin për plotësimin e DIVA.

Pra mund të mos kenë realizuar një total të ardhurash mbi 1,2 milionë lekë, por kanë realizuar mbi 50 mijë lekë dhe nuk janë të tatuara, në këtë rast do të duhet të deklarojnë DIVA-n.

Të ardhura të tilla mund të jenë: Të ardhurat nga qiradhënia, kur qiramarrës është një individ i paregjistruar si tatimpagues tregtar, të ardhura të realizuara jashtë Shqipërisë etj.

Sakaq për shkak të kërkesës në rritje të turistëve të huaj për t’u akomoduar në apartamente me qira ditore, pasi çmimet e qira janë më të lira se strukturat tradicionale akomoduese numri i tyre vijon të rritet.

Sipas të dhënat të AirDna, strukturë e posaçme që mban të dhënat e tregut për qiratë ditore në platformën ndërkombëtare Airbnb, në muajin qershor në Shqipëri ishin të listuara 21,447 apartamente, vila apo shtëpi.

Krahasuar me qershorin 2023, numri i tyre u shtua me 39%, ndërsa krahasuar me qershorin 2022, listimet janë rritur me 73%. Megjithatë, një pjesë e këtyre individëve nuk janë të regjistruar pranë tatimeve, çka ka nxitur marrjen e masave për evidentimin dhe fiskalizimin e këtij aktiviteti të zhvilluar në tregun informal.

Pavarësisht sa më sipër, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve thekson se ka marrë një sërë masash përsa i përket identifikimit të individëve që realizojnë të ardhura nga dhënia me qira ditore ose jo të pasurive të paluajtshme.

Për identifikimin e individëve që lëshojnë prona me qira ditore dhe formalizimin e tyre tatimet nisën identifikimin nëpërmjet komisioneve të paguara prej tyre në platformën Booking.

Drejtoria e Hetimit po harton një projekt pilot për evidentimin e këtyre të dhënave nëpërmjet përfaqësuesve tatimor në Shqipëri që japin prona me qira në platformat Booking apo AirBnb.

Projekti parashikon që numri i qiradhënësve të identifikuar përmes komisioneve të paguara, për formalizimin të kryqëzohen me një sërë të dhënash, përfshirë deklarimet në Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) për 2024, me qëllim mbajtjen 15% të tatimit në burim për të ardhurat e patatuara.

Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0