Tarifat e reja të Trump nxisin përplasje tregtare: SHBA përballë Kinës dhe botës - Business Magazine Albania

Tarifat e reja të Trump nxisin përplasje tregtare: SHBA përballë Kinës dhe botës

Administrata Trump ka vendosur tarifa të reja reciproke ndaj një sërë vendesh, në përpjekje për të adresuar pabarazitë në shkëmbimet tregtare. Ndërsa për shumicën e vendeve këto tarifa janë pezulluar për 90 ditë, ndaj Kinës ato mbeten në fuqi  dhe janë më të ashprat deri më tani: 145% për mallrat kineze që hyjnë në SHBA, ndërsa Kina ka reaguar me tarifa prej 125% ndaj produkteve amerikane. Një raport i publikuar nga Shtëpia e Bardhë thekson se SHBA shpeshherë aplikon tarifa më të ulëta për partnerët e saj tregtarë sesa ato që merr në këmbim. Vende si Vietnami dhe Kamboxhia, për shembull, vendosin tarifa shumë më të larta ndaj mallrave amerikane, ndërkohë që eksportojnë me tarifa minimale në SHBA.

Tarifat amerikane ndaj Kinës kanë arritur në 145%; Kina ka vendosur tarifa kundërpërgjigjëse prej 125%. Ekonomi aziatike si Kamboxhia, Vietnami dhe Bangladeshi shfaqin pabarazitë më të mëdha tarifore ndaj SHBA-së. Vende si Mbretëria e Bashkuar, Singapori dhe Brazili mbajnë nivele të balancuara tarifash me SHBA-në.

Kina: Luftë tregtare e rindezur
SHBA dhe Kina, dy ekonomitë më të mëdha në botë, janë kthyer në qendër të përplasjes tregtare. Përveç tarifave prej 145% të vendosura nga SHBA, burime të tjera raportojnë se për disa mallra kineze tarifat arrijnë deri në 245%. Kina ka reaguar me një paketë tarifash kundërpërgjigjëse prej 125%. Shkaku kryesor është deficiti tregtar në rritje: në vitin 2024, SHBA regjistroi një deficit prej rreth 295 miliardë dollarësh me Kinën. Mosmarrëveshjet për manipulimin e monedhës dhe qasjen në treg e kanë përkeqësuar më tej marrëdhënien.

Vietnami dhe pabarazitë në Azi
Vietnami është ndër partnerët më të mëdhenj të SHBA në Azi. Deficiti tregtar me këtë vend arriti në 123 miliardë dollarë në vitin 2024. Vietnami tarifon mallrat amerikane me 90%, ndërsa mallrat e tij hyjnë në SHBA me tarifë 46%.

Bashkimi Evropian dhe tregtia me “dy nivele”
BE aplikon një tarifë mesatare prej 39% për produktet amerikane, ndërkohë që SHBA vendos vetëm 20%. Kjo diferencë tregon një qasje më të favorshme që SHBA ofron ndaj mallrave evropiane. Një situatë e ngjashme vërehet me Bangladeshin, i cili përfiton nga programet amerikane për mbështetje të ekonomive në zhvillim. Nga ana tjetër, marrëdhënie më të balancuara tregtare janë të dukshme me vende si Britania, Singapori dhe Brazili, ku tarifat janë të barabarta në të dy drejtimet (rreth 10%).

Efekti ekonomik: Recesioni në horizont?
Politikat e tarifave të Trump kanë ringjallur frikën e një recesioni në SHBA. Sipas Goldman Sachs, probabiliteti i recesionit është rritur nga 20% në 35%. J.P. Morgan ka ngritur gjithashtu alarmin për një recesion global, duke rritur parashikimin nga 40% në 60%. Ekonomistët paralajmërojnë se tarifat e larta mund të nxisin rënien e kërkesës globale, rritjen e kostove për bizneset amerikane dhe rritjen e çmimeve për konsumatorët.

Tarifat dhe politikat tregtare të administratës Trump rrezikojnë të trazojnë zinxhirët globalë të furnizimit dhe të rëndojnë mbi bizneset dhe konsumatorët. Përplasja me Kinën është tanimë një luftë tregtare në zhvillim. Tensionet në rritje në tregtinë ndërkombëtare mund të frenojnë rritjen ekonomike globale, dhe JP Morgan paralajmëron se recesioni global është më shumë se një kërcënim teorik…është një mundësi e afërt.

Burimi: Economic Insider/ Përshtati: Businessmag.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0