Para disa kohësh në Netflix, kur po lëvizja me telekomandë nga njëri titull në tjetrin, nga serialet tek dokumentarët, më tërhoqi vëmendjen figura e Leonardo Di Caprios tek njëri prej titujve. Nuk bëhej fjalë për një film të tij, por nga trailer tip preview mësova se ai ishte emëruar nga UN -Kombet e Bashkuara – i dërguar i Paqes, me fokus të veçantë në ndryshimet klimaterike. (Messenger of Peace with a special focus on climate change)
Si një marketer, mendoj se shpesh figura të tilla përzgjidhen vetëm si personazhe për të përcjellë një mesazh të një kauze, mirëpo kur ndoqa të plotë dokumentarin kuptova se Di Caprio ishte i zhytur i tëri në mbrojtjen e çështjes së klimës. Shiko Trailer Këtu.
Ky fakt u përforcua edhe më shumë kur para pak ditëve në mediat tona u bë lajm postimi i tij në rrjete sociale me foton e lumit të Vjosës – “Vjosa No Dams”
“…ka lajme shumë premtuese që vijnë nga Shqipëria. Vjosa, një nga lumenjtë e fundit të egër të Europës mund të shpëtohet nga zhvillimi i hidrocentraleve.”
Lexo: Leonardo Di Caprio: Mos ndërtoni HEC-in e Kalivaçit, ruani Vjosën
Imazhet e përcjella në atë dokumentar, mbi mënyrën se si ndikonte ndryshimi i klimës në transformimin e tokës dhe jetës në të ishin tronditëse. Pikërisht duke menduar nën këto ndikime, arrij të vërej rëndësinë e iniciativave të përbashkëta globale të ndërmarra nga organizata të tilla si UN – Kombet e Bashkuar.
Po para pak ditëve, mes miqsh patëm një diskutim mbi një pyetesor që po qarkullonte online në 75 vjetorin e kësaj organizate, në të cilin synohej të pyeten njerëzit për shpresat dhe frikërat e tyre për të ardhmen.
Argumentet tona në diskutim ishin: ‘sa halle të tjera kemi ne, me të cilat duhet të përballemi përpara se të shqetësohemi se si do të jetë mjedisi apo klima pas 50 – 100 vitesh’. Duket sikur janë larg. Duket sikur deri atëhere, dikush do t’a ketë gjetur një zgjidhje.
Por, pyetja është: kush do t’ia gjejë zgjidhjen?
Nëse në evolimin qindravjeçar të njerëzimit, të industrive, planeti ynë është duke u degraduar nga vetë njerëzit, nga kush duhet të presim që ta shpëtojë?
Përgjigja është e thjesht: nga vetë njerëzit!
Shpesh mendojmë se janë qeveritë e shteteve, të cilat duhet të marrin masat për të frenuar këtë rrugëtim në rënie, por vallë a po harrojmë se pjesë e tyre janë po njerëzit?
Janë ata që punojnë në struktura. Janë ata që marrin vendime të drejta dhe të gabuara. Janë ata që ndikohen apo korruptohen për të mos menduar gjatë, por për të marrë një vendim në kohën e tashme me efekt të rëndë për pasaardhësit e tyre në një të ardhme. Duke menduar lehtë dhe përciptazi për të vendosur interesin e ngushtë para atij më të gjerë dhe më përfshirës.
Kot them janë ata.
E drejtë është të them “jemi ne”, sado që nuk duam ta pranojmë, pasi në vetvete mendojmë se jemi ndryshe nga ATA.
Kështu i shmangemi ndjenjës së fajit dhe bëjmë sikur harrojmë përgjegjësitë tona në gjithçka që po ndodh. Teksa jemi vetë ne të cilët pranojmë të jetojmë në shoqëri, ku me votën tonë zgjedhim ata që na qeverisin dhe marrin vendimet për ne.
Lexo: 7 shkaqe të zakonshme të vendimeve të gabuara për të cilat nuk mendoni sa duhet
Jemi vetë ne që mënjanohemi kur shohim diçka të shtrembër në rrugën tonë dhe e pranojmë pa bërë zë. Mbase nuk e kuptojmë se jemi përgjegjës si për veprimet ashtu edhe për mosveprimet tona.
Ndonjëherë mosveprimi është gjendja më e fajshme në një situatë që po shkon keq…Jemi ne, të barabartë me ata, pasi bëjmë dëm në masë të njëllojtë.
Nëse nuk punojmë që tani, nesër do te jetë vonë!
Jemi të gjithë dëshmitarë të situatës së çuditshme që po kalon gjithë bota këtë vit nën sundimin e një virusi, siç është Covid-19. Një situatë kjo për të cilën, nëse dikush më parë do të na kishte treguar do të kishim qeshur apo qesëndisur me batuta se bota e modernizuar dhe me zhvillime marramendëse në shkencë e teknologji do të mund të mposhtë çdo sëmundje dhe se epidemia është një term që i përket të shkuarës.
Por, ajo që po ndodh, po na tregon të kundërtën, duke vënë në pah problematikat e qeverisjes apo funksionimit të sistemeve në shumë shtete, si në ekonomitë e zhvilluara edhe ato në zhvillim.
Këtu mund të përmenden aksesi në shërbimet bazë si, kujdes shëndetësor apo arsimi, pabarazia e theksuar, etj.
Nëse bota do të ishte marrë më seriozisht, duke investuar me shumë në shkencë dhe në parapërgatitje për situata të tilla, mbase parandalimi, reagimi apo menaxhimi i situatave të tilla do të kishte pasoja shumë herë më të lehta.
Nëse njerëzit që drejtojnë do të kishin prioritet bashkëpunimin e shpejtë mes tyre, për të gjeneruar zgjidhje globale për adresimin e sfidave të sotme dhe të nesërme, do të kishim shifra më të shëndetshme në çdo aspekt, si shëndetësor, ashtu edhe zhvillimor.
Duke u kthyer sërish tek pyetja, ‘kush do e gjejë zgjidhjen?’, mendoj se pandemia na ka zgjuar dhe ka përshpejtuar mekanizmat për të dalë nga gjendja e emergjencës shëndetësore. Kompanitë e prodhimit të vaksinave shumë shpejt po sjellin në treg produktet për t’i ofruar në vende të ndryshme dhe hapi i radhës, se si do të organizohen shtetet, është mënyra se si do të menaxhohet shpërndarja dhe prioritetet në këtë proces.
Lexo: Britania autorizon vaksinën e Pfizer, vendi i parë në botë
Ndërkohë përgjegjësia jonë si individë është të bëjmë pjesën tonë për te vënë nën presion ata që na drejtojnë që të ndërmarrin hapat e nevojshëm, që çështje të rëndësishme për jetën tonë të vendosen në prioritet në kohën e duhur. Përpara se të gjendemi përballë sfidave të ngjashme mund të parapërgatitemi për to.
Ka shumë mënyra që ne si individë mund ta bëjmë këtë, por së pari do të ishte dhënia e mendimeve tona dhe shprehja e shqetësimeve dhe frikërave për të ardhmen.
Nëse nuk japim kontributin tonë, si mund të pretendojmë për të ndikuar në vendimmarrjet për të adhmen tonë?
Personalisht do të filloja duke u angazhuar të shpreh mendimet e mia në anketën që është publikuar online nga UN – Kombet e Bashkuara:
Plotësoje anketën KËTU
Më pas do të ftoja edhe ty që po lexon këto rreshta ta bëje këtë për t’iu bashkuar mbi 1 000 000 zërave që kërkojnë të ndikojnë të ardhmen.
Jane mbi 6000 shqiptarë që e kanë plotësuar deri tani dhe do të ishte mirë që ky numër të rritej si mënyrë për të vënë para përgjegjësisë vendimmarrësit dhe politikëbërësit mbi sfidat kryesore të planetit.
Më shumë info mbi këtë anketë:
– Në janar 2020, Kombet e Bashkuara nisën konsultimet globale për të shënuar 75-vjetorin e tyre. Përmes anketash dhe dialogjesh, ato i pyetën njerëzit për shpresat dhe frikërat e tyre për të ardhmen. Kjo është, gjithashtu, edhe anketa më e madhe deri më sot në lidhje me prioritetet e rekuperimit nga pandemia e KOVID-19. Deri më 21 shtator 2020 kanë marrë pjesë më shumë se një milion vetë, nga të gjitha vendet dhe nga të gjitha fushat e jetës. Përgjigjet e tyre thellohen tek ajo çka dëshiron publiku në këto kohë shumë të vështira për botën. Ato po bëhen të njohura në Asamblenë e Përgjithshme të 75-vjetorit të Kombeve të Bashkuara.
– Mes krizës aktuale të KOVID-19, prioriteti më i afërt për pjesën më të madhe të të anketuarve ishte përmirësimi i aksesit në shërbimet bazë – kujdes shëndetësor, kanalizime, ujë të sigurt dhe arsim, pasuar me rritjen e solidaritetit ndërkombëtar dhe rritjen e mbështetjes për më të prekurit. Këtu përfshihet edhe adresimi i pabarazive dhe rikrijimi i një ekonomie më gjithëpërfshirëse. Sa i takon të ardhmes, shqetësimet më dominuese janë kriza klimatike dhe shkatërrimi i mjedisit natyror. Prioritete të tjera janë: garantimi i një respektimi më të madh të të drejtave të njeriut, zgjidhja e konflikteve, adresimi i varfërisë dhe ulja e korrupsionit.
– Mbi 87% e të anketuarve besojnë se bashkëpunimi global është jetësor për adresimin e sfidave të sotme dhe se pandemia e ka bërë edhe më urgjente nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar.
Plotësoje anketën KËTU
Për ta mbyllur,
doja të shtoja se kam kuptuar dhe kam mësuar se në botën e sipërmarrjes përgjegjës për gjithçka që të ndodh je TI.
Nuk ka vlerë të ankohesh, të qahesh, të vendosësh gishtin tek problematikat, të tregosh fajtorët sa andej dhe këtej për të justifikuar mos-suksesin tënd. Nëse diçka nuk është ashtu siç duhet, thjesht vihu në lëvizje dhe gjej një mënyrë për ta rregulluar. Nuk ka përse të presësh të vijë dikush tjetër dhe ta bëjë këtë për ty.
Ndaj besoj dhe insistoj, se me iniciativën e ndërmarrë me BusinessMag Albania të nxisim dhe të motivojmë sa më shumë njerez që t’i bashkohen sipërmarrjes, të paktën si mendësi. Ne që vijmë nga një shoqëri ish-komuniste, jemi të ndrydhur që në fillesa dhe e barazojmë sipërmarrësin me një tregtar që blen lirë dhe shet shtrenjtë. Ndërkohë, vlera e sipërmarrësit është në mënyrën e të menduarit dhe të jetuarit, duke favorizuar një sjellje aktive kundër të qëndruarit në pritje dhe duke nxitur kreativitetin kundër konformizmit.
Le të mendojmë më gjatë, të shikojmë më larg dhe më globalisht. Le të mendojmë si qytetarë të botës, jo vetëm si banorë të një lagjeje të qytetit, ku kemi lindur në shtetin tonë të vogël.
BOTA KA NEVOJË PËR SOLIDARITET. KONTRIBUTI YT ËSHTË I RËNDËSISHËM.
JEP MENDIMIN TEND KETU:
Le të mendojmë se jemi ne ata që mundemi dhe duhet të ndikojmë në vendimmarrjet që kanë të bëjnë me të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë.
Jeta nuk do të ndalet kur ne do të ndalojmë së marri frymë dhe ashtu siç mendojmë që po punojmë për fëmijët tanë, le të kujtohemi se atyre do t’iu duhet të jetojnë në një botë me të bukur.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.