Takimi Ekonomi-Szijjarto: Bashkëpunimi mes SME-ve shqiptare dhe hungareze - Business Magazine Albania

Takimi Ekonomi-Szijjarto: Bashkëpunimi mes SME-ve shqiptare dhe hungareze


Gjatë Ministerialit në Ningbo mes vendeve të Evropës Qendrore e Lindore dhe Kinës, Ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi zhvilloi një takim bilateral me ministrin e jashtëm dhe të tregtisë të Hungarisë, Peter Szijjarto.

Në një njoftim për shtyp ministria Ekonomisë bën të ditur se, gjatë takimit të kërkuar paraprakisht nga pala hungareze, Ministri Szijjarto vuri theksin mbi integrimin evropian të Shqipërisë dhe propozoi vënien në dispozicion të një eksperti hungarez, i cili do të ofronte asistencë teknike në fazën paraprake të çeljes së negociatave, për plotësimin e kërkesave të “Aquis Communautaire” në kapitujt që lidhen me ekonominë dhe sipërmarrjen.

Ai njoftoi se, në korrik do të çelet në Tiranë një Zyrë Përfaqësimi për tregtinë, e cila do të ketë për qëllim të promovojë bashkëpunimin mes SME-ve shqiptare dhe hungareze si dhe njoftoi se, brenda kësaj vjeshte, kompania ajrore Hungareze Wizzair do të nisë fluturimet direkte midis Tiranës dhe Budapestit. Ministri u shpreh se, Hungaria është e interesuar për të ofruar asistencë teknike në fushën e menaxhimit të ujërave, ndërtimin e linjës së interkonjeksionit mes Manastirit dhe Elbasanit, duke ofruar mbështetje financiare dhe nga Banka hungareze EXIM.

Ministrja Ekonomi falenderoi qeverinë e Hungarisë për asistencën e dhënë deri me tani në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE, duke shprehur gatishmërinë për të mirëpritur asistencën teknike në çështjet e negocimit. Shqipëria e sheh me pozitivitet bashkëpunimin me Hungarinë në fushën e menaxhimit të ujërave dhe e mirëpret atë për një mundësi me Bashkinë e Tiranës, e cila është duke zbatuar një plan për zhvillimin dhe zgjerimin e kryeqytetit, ndërsa bashkëpunimi me Hungarinë mbetet edhe ndërhyrja për ndërtimin e rrjetit hekurudhor, apo bashkëpunimi në industrinë e turizëm-hotelerisë dhe përpunimit të produkteve agro-ushqimore, për të cilat Hungaria ka një përvojë të pasur.

Bashkëbiseduesit ranë dakord për mbledhjen e komisionit të përbashkët ekonomik, pas caktimit të bashkëkryetarit të këtij komisioni nga pala shqiptare, komision i cili do të adresojë çështjet e listuara më sipër.

Në kuadër të bashkëpunimit P2P (People to People), gjatë takimit, pala hungareze njoftoi akordimin e 20 bursave të plota për 20 studentë shqiptarë, të cilët dëshirojnë të ndjekin studimet universitare në Hungari, program ky i cili do të fillojë në shtator 2016.

 

/Agjencia Telegrafike Shqiptare

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0