Ta bëjmë Amerikën sërish të besueshme! - Business Magazine Albania

Ta bëjmë Amerikën sërish të besueshme!

Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Nga Ricardo Hausmann – Në fjalimin e tij historik në takimin vjetor të World Economic Forum në Davos në janar, kryeministri kanadez Mark Carney argumentoi se rendi ndërkombëtar nuk po kalon një “tranzicion”, por një “çarje”. Ndërsa rivaliteti sino-amerikan përshkallëzohet, paralajmëroi ai, arkitektura bazë e ekonomisë globale, tregje të hapura të qeverisura nga rregulla relativisht të parashikueshme, me Shtetet e Bashkuara që garantojnë disa “të mira publike” kyçe po zëvendësohet nga një mozaik marrëveshjesh transaksionale dhe detyruese. Ndërvarësia, dikur e parë si motor i prosperitetit të përbashkët, po riformulohet gjithnjë e më shumë si një cenueshmëri për t’u shfrytëzuar.

Diagnoza e Carney-t gjeti jehonë të gjerë, sepse qeveritë dhe bizneset tashmë kanë nisur të reflektojnë në vendimmarrje një ekonomi globale më të paqëndrueshme dhe më të politizuar. Në një kohë kur një administratë armiqësore amerikane mund të ndërpresë aksesin në tregun më të madh të konsumit në botë për arsye hapur politike dhe kur zinxhirët kritikë të furnizimit përdoren gjithnjë e më shumë si pika bllokimi, të planifikosh mbi bazën e një rendi të mbështetur te rregullat duket thjesht naive. Duke cituar ish-presidentin çek Václav Havel, Carney vuri në dukje se qeveritë dhe firmat vazhdojnë të sillen sikur rendi ndërkombëtar do të rikthehet në normalitet, edhe pse provat shtohen se kjo nuk do të ndodhë – sepse të veprosh ndryshe do të ishte i kushtueshëm dhe përçarës.

Por termi “çarje” nënkupton se ekonomia globale do të lëvizë drejt një ekuilibri të ri. Në terma të teorisë së lojërave, lojtari dominues ka kaluar në një strategji që i shërben më mirë interesave të tij dhe të tjerët duhet të përshtaten me një strukturë të re stimujsh. Nëse është kështu, përgjigjja logjike për fuqitë e mesme është të reduktojnë cenueshmërinë duke krijuar koalicione, duke diversifikuar partneritetet tregtare dhe duke ndërtuar zinxhirë furnizimi më autonomë, siç propozoi Carney.

Por ekziston edhe një mundësi tjetër. Ajo që duket si një ekuilibër i ri mund të jetë thjesht një devijim i përkohshëm nga i vjetri. Historia ekonomike ofron shembuj të shumtë strategjish që sollën përfitime afatshkurtra, por u përmbysën më pas sepse minuan strukturat që i bënë të mundshme ato përfitime. Ushtrimi i presionit nuk është i njëjtë me shkatërrimin e institucioneve që e bëjnë atë presion të besueshëm. Nëse SHBA vazhdon të përdorë tarifa, përjashtim financiar dhe kufizime eksporti për të nxjerrë lëshime nga partnerët tregtarë, bota nuk do të përshtatet thjesht; ajo do të mbrohet. Qeveritë dhe firmat do të ridrejtojnë investimet dhe do të reduktojnë varësinë nga tregjet amerikane.

Rreziku shkon përtej çdo mosmarrëveshjeje të vetme tregtare. Kur mjetet e krijuara për të menaxhuar ekonominë globale përmes koordinimit ndërkombëtar ripërdoren si instrumente detyrimi dhe aplikohen në mënyrë të paparashikueshme, ekspozimi i zakonshëm tregtar shndërrohet në një rrezik ekstrem. Si përgjigje, firmat dhe qeveritë ndalojnë optimizimin për efikasitet dhe përqendrohen në forcimin e qëndrueshmërisë.

Kjo nuk është një kritikë morale; është ekonomia e bashkëpunimit kompleks. Shumë marrëveshje me vlerë të lartë ndërkufitare, investimet, integrimi i zinxhirëve të furnizimit dhe financimi i infrastrukturës  janë afatgjata dhe të bazuara në marrëdhënie, ndaj varen nga angazhime të besueshme. Nëse njëra palë nuk mund t’i besojë tjetrës se do të respektojë marrëveshjet, ajo mbrohet duke shkurtuar horizontin kohor, duke rritur primet e rrezikut, duke krijuar alternativa të kushtueshme ose duke u tërhequr krejtësisht. Kur kjo logjikë përhapet, rezultati nuk është vetëm rishpërndarje përfitimesh, por një “tortë” më e vogël për të gjithë.

Besueshmëria është ajo që e bën të mundur bashkëpunimin në shkallë të gjerë. Ashtu si infrastruktura apo kapitali njerëzor, ajo është thelbësore për specializimin dhe koordinimin ndërkufitar. “Ndërvarësia e armatosur” e gërryen këtë themel. Ndërsa besueshmëria dobësohet, specializimi zëvendësohet nga redundanca; besimi nga vetësigurimi; dhe ekonomitë e rrjetit fillojnë të shpërbëhen. Siç vërejti Carney, një botë ku të gjithë duhet të paguajnë një premium për diversifikim është në mënyrë të pashmangshme më e varfër.

Edhe SHBA, larg të qenit e përjashtuar, paguan këtë premium, shpesh më shumë sesa e kupton sepse fuqia e saj ekonomike varet nga fakti që qeveritë dhe firmat zgjedhin të kanalizojnë tregtinë, financat dhe teknologjinë përmes sistemeve amerikane. Kur këto lidhje fillojnë të perceptohen si detyrime dhe jo si asete, nis investimi në furnizues alternativë, sisteme pagese, standarde dhe platforma teknologjike.

Lexo edhe: Lajme të mira nga bota, ndryshime pozitive që po ndodhin pa shumë zhurmë

Implikimet strategjike janë të thella. Në mes të një rivaliteti gjeopolitik në rritje me Kinën, administrata e Donald Trump në fakt po i inkurajon aleatët dhe partnerët tregtarë të mbrohen nga paqëndrueshmëria e politikave amerikane duke u diversifikuar larg tregjeve dhe zinxhirëve të furnizimit të SHBA-së. Pasi zinxhirët e furnizimit ridrejtohen, kontratat rishkruhen dhe standardet duplikohen, rikthimi në status quo-në e mëparshme bëhet i vështirë.

Një strategji ekonomike që nxit partnerët tregtarë të kërkojnë alternativa, duke forcuar kështu rivalin kryesor gjeopolitik të Amerikës, nuk duket optimale nga perspektiva amerikane dhe, për rrjedhojë, nuk përbën një ekuilibër të ri të qëndrueshëm. Ajo i ngjan më shumë një shpërthimi të përkohshëm që sjell kënaqësi afatshkurtër, për t’u pasuar nga pendesë afatgjatë. Nëse është kështu, “çarja” e Carney-t nuk është e pashmangshme. Bota do të diversifikohet gjithsesi, por SHBA mund të kuptojë përfundimisht se ta bësh veten të pabesueshme është vetëshkatërruese.

Megjithatë, besimi nuk funksionon si një termostat. Ai ndërtohet ngadalë dhe shembet shpejt. Besueshmëria varet nga para-angazhimi: mekanizmi që e bën të mundur bashkëpunimin edhe kur tundimi për të vepruar në mënyrë oportuniste është i fortë.

Problemi themelor është ai i mospërputhjes në kohë. Ajo që duket tërheqëse në moment shfrytëzimi i avantazhit minon atë që ka rëndësi në afatgjatë: të qenit mjaftueshëm i besueshëm që të tjerët të duan të bashkëpunojnë me ty. Zgjidhja e vetme e qëndrueshme është krijimi i institucioneve dhe normave që kufizojnë diskrecionin ekzekutiv.

Nëse politika tarifore mund të ndryshojë sipas ciklit të lajmeve, ajo shndërrohet shpejt në një rrezik politik, duke dekurajuar investimet afatgjata në prodhim, energji dhe teknologji. Rikthimi i besueshmërisë së Amerikës kërkon, për rrjedhojë, ndryshim institucional. Autoriteti i gjerë mbi tarifat duhet t’i rikthehet Kongresit, kompetencat emergjente presidenciale duhet të ngushtohen dhe garancitë ligjore duhet të forcohen për të siguruar që “shtetërzimi ekonomik” të mos bëhet zëvendësues i përhershëm i një politike koherente.

Ta bësh Amerikën të besueshme nuk do të thotë të heqësh dorë nga avantazhi. Do të thotë të ruash reputacionin për politika të qëndrueshme, që i japin vlerë vetë këtij avantazhi.

Në vitin 1961, presidenti amerikan John F. Kennedy u zotua të “paguajë çdo çmim, të mbajë çdo barrë, të përballojë çdo vështirësi, të mbështesë çdo mik, të kundërshtojë çdo armik për të siguruar mbijetesën dhe suksesin e lirisë.” Sot, bota po i kërkon Amerikës diçka shumë më pak dramatike, por në disa aspekte më vendimtare: vetëpërmbajtje. Pa të, paralajmërimi i Carney-t do të bëhet vetëpërmbushës, jo sepse rendi ndërkombëtar ishte i destinuar të shembej, por sepse hegjemonia globale e bëri veten të pamundur për t’u besuar.

*Ricardo Hausmann, ish-ministër i planifikimit i Venezuelës dhe ish-kryeekonomist në Bankën Ndër-Amerikane të Zhvillimit, është profesor në Harvard Kennedy School dhe drejtor i Harvard Growth Lab.

Copyright: Project Syndicate, 2026.

Opinion
Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull i përkasin autorit/es dhe nuk pasqyrojnë në asnjë mënyrë qëndrimin editorial të Business Magazine.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
✨ Thënia e ditës
“Ti jeton vetëm një herë, por nëse jeton ashtu si duhet, edhe një herë mjafton.”
— Mae Uest
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0