Sulmi i Trump ndaj Iranit dhe skenari i ndryshimit të regjimit. Sa i rrezikshëm është ky bast? - Business Magazine Albania

Sulmi i Trump ndaj Iranit dhe skenari i ndryshimit të regjimit. Sa i rrezikshëm është ky bast?

Edhe një herë, Shtetet e Bashkuara kanë zgjedhur të ndërmarrin një angazhim masiv strategjik në Lindjen e Mesme. Por ndërsa për të nisur një luftë mjafton vetëm një palë, për ta përfunduar duhen dy  dhe tani Irani ka një fjalë vendimtare për madhësinë që do të marrë ky konflikt dhe për kohëzgjatjen

Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Nga Richard Haass* – Ka shumë për t’u thënë mbi vendimin e Shteteve të Bashkuara për të sulmuar Iranin  dhe mbi pasojat e mundshme të goditjeve të përbashkëta amerikano-izraelite kundër objektivave ushtarake dhe politike në mbarë vendin. Fatkeqësisht, pak prej tyre janë qetësuese.

Së pari dhe mbi të gjitha, kjo është një luftë e zgjedhur. SHBA kishte alternativa të tjera politike në dispozicion. Diplomacia dukej se ofronte shpresë si mjet për të parandaluar zhvillimin e armëve bërthamore nga Irani. Presioni i shtuar ekonomik mund të kishte potencialin, me kalimin e kohës, të nxiste ndryshim regjimi.

Për më tepër, kjo është një luftë parandaluese, jo paraprake. Irani nuk përbënte një kërcënim të menjëhershëm për interesat jetike amerikane. Nuk ishte në prag të shndërrimit në një shtet me armë bërthamore dhe as në prag të përdorimit të armëve që zotëronte kundër SHBA-së. Në rastin më të keq, kërcënimi iranian ishte në rritje, por jo i afërt.

Ky dallim është thelbësor. Një botë ku vendet do të besonin se kanë të drejtën të ndërmarrin sulme parandaluese kundër atyre që i gjykojnë si kërcënim do të ishte një botë konfliktesh të shpeshta. Pikërisht për këtë arsye, veprime të tilla nuk gëzojnë legjitimitet sipas së drejtës ndërkombëtare.

Presidenti amerikan Donald Trump ka zgjedhur një objektiv. ndryshimin e regjimit, që është politik, jo ushtarak. Por ndërsa forca ushtarake mund të shkatërrojë dhe të vrasë, ajo nuk mund të sjellë, e vetme, ndryshim regjimi, i cili kërkon shembjen e vetë regjimit. Është e mundur që sulmi amerikan të nxisë dezertime nga udhëheqja politike dhe forcat e armatosura iraniane, por kjo nuk mund të merret si e mirëqenë. Hamas dhe Gaza janë kujtesë se regjimet mund të përballojnë ndëshkime të jashtëzakonshme dhe megjithatë të mbeten në pushtet. Edhe nëse klerikët bien, (ka raportime se Udhëheqësi Suprem, Ajatollah Ali Khamenei, është vrarë) forcat e sigurisë janë ndoshta më të pozicionuara për të marrë kontrollin.

Në çdo rast, përdorimi i forcës ushtarake për të eliminuar liderë të përzgjedhur si mjet për të nxitur ndryshimin e regjimit, një taktikë e njohur si “dekapitim” ka pak gjasa të funksionojë në Iran, ku udhëheqja është institucionalizuar prej gati gjysmë shekulli. Për më tepër, drejtuesit kanë pasur kohë të përmirësojnë planet e trashëgimisë gjatë javëve të fundit, ndërsa rreziku i luftës është shtuar.

Gjatë ndërhyrjes së janarit në Venezuelë, administrata Trump u kufizua në zëvendësimin e një lideri (duke injoruar pothuajse tërësisht opozitën e brendshme), ndërsa në pjesë të tjera të botës ka shmangur presionin për demokraci. Në rastin e Iranit, megjithatë, Trump ka bërë thirrje për ndryshim regjimi, por pa përgatitur terrenin për të. Opozita politike nuk është e bashkuar dhe as funksionale si një qeveri në pritje, çka do të thotë se nuk është në gjendje të pranojë dezertime, aq më pak të ofrojë siguri.

Historia sugjeron se ndryshimi i regjimit kërkon një prani fizike në terren. Ky është mësimi nga Gjermania dhe Japonia pas Luftës së Dytë Botërore, si dhe nga Panamaja, Iraku dhe Afganistani në periudha më të afërta. Madje edhe me prani në terren, përpjekje të tilla shpesh dështojnë. Në Iran, pushtimi është i paimagjinueshëm, duke pasur parasysh madhësinë e vendit dhe aftësinë e tij për të rezistuar.

Lexo edhe: Tensionet në Gjirin Persik tronditin tregjet e naftës, çfarë rrezikohet

E gjithë kjo sugjeron se administrata Trump ka zgjedhur të realizojë një nga objektivat më ambiciozë të politikës së jashtme me mjete të kufizuara. Ajo duket se ka hedhur poshtë një luftë të zgjedhur me objektiva më të ngushtë , siç do të ishte dobësimi i kapaciteteve të njohura bërthamore dhe të raketave balistike të Iranit, edhe pse mund të pretendonte me besueshmëri se i kishte arritur këto synime. Nëse ka një paralelizëm të kohëve të fundit me atë që po ndodh në Iran, ai është Libia, ku pak më shumë se një dekadë më parë, forcat perëndimore rrëzuan udhëheqjen përmes fuqisë ajrore dhe më pas u tërhoqën, duke lënë pas kaos.

Në rastin iranian, duket se grumbullimi i një pranie të madhe ushtarake – atë që Trump e quajti një “armadë” – përfundoi duke ushtruar presion mbi administratën për të vepruar, pasi forcat amerikane nuk mund të mbaheshin pafundësisht në gatishmëri të lartë në terren. Si rezultat, mjetet e politikës (forca ushtarake) mund të kenë luajtur rol vendimtar në përcaktimin e qëllimeve të politikës, pra në vendimin për të sulmuar. Kjo është e kundërta e mënyrës se si duhet të hartohet politika.

Në një plan më të gjerë, SHBA ka zgjedhur sërish të ndërmarrë një angazhim të madh strategjik në Lindjen e Mesme. Kjo bie ndesh me Strategjinë Kombëtare të Sigurisë të vetë administratës Trump dhe me realitetin se sfidat më të mëdha për interesat amerikane ndodhen në Evropë dhe në Indo-Paqësor. Paralelizmi këtu është me Luftën e Irakut në vitin 2003, një tjetër luftë parandaluese e zgjedhur në rajon që i kushtoi SHBA-së jashtëzakonisht shumë.

Populli amerikan nuk është i përgatitur për këtë luftë. As baza politike e Trump, pasi ajo do të trazojë tregjet, do të shkaktojë rritje të çmimeve të energjisë dhe mund të zgjasë për një kohë të gjatë. Aleatët e Amerikës janë gjithashtu të pakënaqur, pasi Irani tashmë ka sulmuar disa vende fqinje dhe mund të ndërmarrë hapa që dëmtojnë ekonomitë e tyre. Trump nuk e përdori fjalimin e tij për Gjendjen e Unionit të martën mbrëma për të argumentuar në favor të sulmit ndaj Iranit, dhe shumica e deklaratës së tij menjëherë pas sulmit të së shtunës theksonte veprimet e kaluara të Iranit, më shumë sesa kërcënime të reja apo në zhvillim.

Është e mundur që bombardimi pa kosto i tre objekteve bërthamore iraniane vitin e kaluar dhe ndërhyrja më e fundit në Venezuelë ta kenë bërë Trump dhe rrethin e tij të ndihen shumë të sigurt se mund të arrijnë objektiva ambiciozë me mjete të kufizuara dhe kosto të ulët. Ai mund të jetë tunduar gjithashtu për të realizuar diçka historike në Iran, ndryshimin e regjimit  që u shpëtoi paraardhësve të tij. Mund të ketë ende sukses. Por, si rregull, ndryshimi i regjimit është më i lehtë për t’u kërkuar sesa për t’u realizuar me sukses. Ndërsa për të nisur një luftë mjafton vetëm një palë, për ta përfunduar duhen dy. Irani tani ka në tavolinë për të përcaktuar sa i madh do të bëhet ky konflikt dhe sa gjatë do të vazhdojë.

 

*Richard Haass , President i Council on Foreign Relations, këshilltar i lartë i cili  ka shërbyer më parë si Drejtor i Planifikimit të Politikave në Departamentin Amerikan të Shtetit (2001–2003), si dhe si i dërguar special i Presidentit George W. Bush për Irlandën e Veriut dhe Koordinator për të Ardhmen e Afganistanit.

Project Syndicate

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0