Ilaçet që përdoren për trajtimin e diabetit të tipit 2 dhe për humbjen në peshë mund të ndihmojnë edhe pacientët që kanë pësuar një infarkt në zemër të rikuperohen më mirë. Këtë e sugjeron një studim i ri shkencor që ka analizuar efektet e këtyre medikamenteve në qarkullimin e gjakut në zemër.
Sipas studimit, këto barna mund të përmirësojnë qarkullimin e gjakut në indet e zemrës dhe të ulin rrezikun e komplikacioneve pas ndërhyrjeve urgjente që kryhen gjatë një infarkti. Autorja kryesore e studimit, Svetlana Mastitskaya nga Bristol Medical School, shpjegon se problemi kryesor që haset te shumë pacientë është se edhe pasi arteria kryesore që shkakton infarktin hapet gjatë trajtimit emergjent, qarkullimi i gjakut nuk rikthehet plotësisht në të gjitha pjesët e muskulit të zemrës. “Në pothuajse gjysmën e pacientëve me infarkt, enët shumë të vogla të gjakut brenda muskulit të zemrës mbeten të ngushtuara, edhe pasi arteria kryesore është hapur”, thotë ajo.
Si funksionojnë këto ilaçe
Studimi, i publikuar në revistën shkencore Nature Communications, tregon se ilaçet e grupit GLP-1 mund të ndihmojnë në parandalimin e fenomenit të quajtur “no-reflow”. Ky fenomen ndodh kur gjaku nuk arrin të qarkullojë në disa pjesë të zemrës edhe pasi bllokimi kryesor është zgjidhur. Ekipi i studiuesve kreu eksperimente fillimisht te kafshët laboratorike dhe më pas verifikoi rezultatet duke përdorur qeliza të zemrës të rritura në laborator. Rezultatet treguan se ilaçet GLP-1 mund të përmirësojnë qarkullimin e gjakut duke aktivizuar disa kanale kaliumi dhe duke relaksuar pericitet, qelizat muskulore që rrethojnë enët e vogla të gjakut në zemër. Kjo ndihmon që enët e ngushtuara të zgjerohen dhe të reduktohet dëmtimi i mëtejshëm i zemrës. Ilaçet që aktivizojnë receptorët GLP-1 janë të njohura kryesisht sepse ndihmojnë njerëzit të ndihen të ngopur për më gjatë. Ato imitojnë veprimin e hormonit GLP-1 që prodhohet natyrshëm nga organizmi dhe ndihmon në rregullimin e oreksit dhe nivelit të sheqerit në gjak.
Lexo edhe: Lexo15min, platforma shqiptare që përmbledh librat më të rëndësishëm në vetëm 15 minuta!
Përfitime edhe për shëndetin e zemrës
Studime të mëparshme kanë treguar se personat që përdorin ilaçe të këtij grupi kanë një rrezik më të ulët për sëmundje kardiovaskulare, si infarkti apo goditja në tru. Në vitin 2024, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) miratoi përdorimin e ilaçit Wegovy, që përmban semaglutid, për të reduktuar rrezikun e infarktit, goditjes në tru dhe sëmundjeve të tjera kardiovaskulare. Interesante është se përfitimet për zemrën nuk lidhen domosdoshmërisht me sasinë e peshës së humbur. Në një provë klinike të fundit, pacientët që përdorën këtë ilaç patën dukshëm më pak infarkte dhe goditje në tru, pavarësisht nëse ishin vetëm pak mbi peshë apo obezë. Studiuesit besojnë se këto ilaçe mund të mbrojnë zemrën duke ulur inflamacionin, duke përmirësuar kontrollin e tensionit të gjakut, duke ulur kolesterolin dhe yndyrnat në gjak, si dhe duke mbështetur shëndetin e enëve të gjakut.
Roli i stilit të jetesës mbetet thelbësor
Megjithatë, ekspertët theksojnë se ilaçet nuk mund të zëvendësojnë një stil jetese të shëndetshëm. Një studim i fundit nga Universiteti Harvard tregoi se përfitimet e ilaçeve GLP-1 për zemrën janë edhe më të mëdha kur pacientët me diabet të tipit 2 ndjekin një stil jetese të shëndetshëm.
Studimi identifikoi tetë zakone të rëndësishme për shëndetin:
- ushqyerja e shëndetshme
- aktiviteti fizik i rregullt
- mos pirja e duhanit
- gjumi i mjaftueshëm
- konsum minimal i alkoolit
- menaxhim i mirë i stresit
- lidhje dhe mbështetje sociale
- shmangia e abuzimit me opioidet
Personat që ndiqnin të gjitha këto zakone kishin 60% më pak rrezik për probleme kardiovaskulare krahasuar me ata që ndiqnin një ose asnjë prej tyre. “Gjetjet tona tregojnë se edhe në kohën e ilaçeve shumë efektive si GLP-1, zakonet e shëndetshme të jetesës mbeten thelbësore për menaxhimin e diabetit dhe për uljen e rrezikut kardiovaskular,” tha Frank Hu, autor i studimit nga Harvard.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto