Çelësi për të arritur objektivat dhe aspiratat më të mëdha mund të jetë pikërisht në majë të gishtave tuaj. Kjo është ajo që thotë trajnerja e lidershipit Paula Davis, e cila vite më parë kuptoi se sa herë që hynte në një pajisje ose llogari online, po humbiste një mundësi për ta kthyer një pjesë të zakonshme të rutinës së saj ditore në një ushtrim për mendjen.
“Cili është një objektiv që keni diçka për të cilën po ëndërroni?” pyet Davis. “Mund të jetë një synim i qartë, i lidhur me punën, ose një emocion pozitiv. Çfarëdo që të jetë, kthejeni atë në fjalëkalimin tuaj.” Në varësi të sa shpesh përdorni pajisjet tuaja, mund të futni dhe rifutni disa fjalëkalime shumë herë gjatë ditës. Duke zgjedhur fjalë me kuptim për fjalëkalimet tuaja, po përforconi vazhdimisht atë që dëshironi të arrini, pa pasur nevojë të mendoni shumë për të, shpjegon ajo. Për shembull, nëse dëshironi të kurseni para për një udhëtim në Aruba vitin e ardhshëm, mund ta ndryshoni një fjalëkalim në diçka si “pushimenaruba2026”. Ose, për faqet e preferuara të blerjeve online, mund të vendosni “100$limit”, për t’ju ndihmuar të mbani nën kontroll shpenzimet tuaja. Sigurisht, ekspertët e sigurisë kibernetike rekomandojnë të mos përdorni të njëjtin fjalëkalim për shumë faqe të ndryshme.
Një fjalëkalim që sjell pozitivitet
Davis, autore e librit “Lead Well: 5 Mindsets to Engage, Retain, and Inspire Your Team”, tregon se në një periudhë të vështirë të jetës së saj përdori si fjalëkalim një variant të fjalës “mirënjohje”. “Po kaloja një divorc, biznesi im po rritej, isha shumë e stresuar dhe kisha harruar që kisha shumë gjëra për të cilat duhej të isha mirënjohëse,” tregon ajo. “Në ditët më të vështira, kur shkruaja ‘mirënjohje’ më ndihmonte të ndalesha një moment dhe të kujtoja që kishte ende shumë gjëra të mira në jetën time.” Një klient i saj e përdori këtë metodë për të vlerësuar më shumë ndihmën e asistentit të tij, duke krijuar një fjalëkalim që përfshinte fjalën “mirënjohje” dhe emrin e asistentit. Kur e shkruante atë çdo ditë, kujtohej ta falënderonte më shpesh.
Fuqia e të shkruarit të objektivave
Studimet tregojnë se njerëzit që i shkruajnë objektivat e tyre kanë më shumë gjasa t’i arrijnë ato. Pavarësisht nëse po shkruani qëllimet tuaja në një bllok shënimesh apo po i përfshini ato në një fjalëkalim, përsëritja e tyre ndihmon për të mbajtur fokusin dhe për të rritur përgjegjësinë. Kur bëhet fjalë për fjalëkalime, t’i shkruani disa herë gjatë ditës ju ndihmon të vendosni synime dhe vepron si një formë vetë-motivimi, shpjegon Mariah G. Schug, kërkuese dhe pedagoge e psikologjisë në Widener University. Ky ushtrim mund të jetë gjithashtu i dobishëm kur keni nevojë për një nxitje sigurie. “Për shembull, nëse keni sfida financiare, një fjalëkalim si ‘JamIKompetent’ mund të jetë një formë validimi sa herë që hyni në llogarinë tuaj bankare online,” shkruan Schug për Psychology Today. “Është e rëndësishme që këto fjalëkalime të jenë pozitive në ton, në mënyrë që të ndikojnë për mirë në performancën tuaj. Në vend të ‘MosJiDembel’, një fjalëkalim si ‘MundTaBëj’ mund të jetë më motivues.”Davis thotë se e preferon këtë metodë më shumë se vendosjen e objektivave për Vitin e Ri, pasi e ndihmon të jetë më e qëllimshme për të arritur synimet e saj, në vend që të vendosë një plan në janar dhe ta harrojë pas disa muajsh. Madje, ajo e inkurajon edhe vajzën e saj të ndjekë të njëjtën strategji.
“Unë zgjedh një ose dy fjalë, dhe vajza ime e bën këtë gjithashtu,” thotë Davis. “Dy fjalët e mia këtë vit janë ‘argëtim’ dhe ‘qëllimshmëri’. Kur më duhet të ndryshoj fjalëkalimin tim, një version i njërës ose të dyjave ka shumë gjasa të jetë aty.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.