Startup, ja 5 fituesit e IDEA 2019 - Business Magazine Albania

Startup, ja 5 fituesit e IDEA 2019


Pas një përvoje intensive disa mujore, IDEA 2019 kurorëzoi 5 fituesit, të cilët vlerësohet të kenë ofruar idetë më inovative të biznesit, të qëndrueshme dhe me një pjesëmarrje aktive në trajnim. Para jurisë së përbërë nga drejtues të Albtelecom, DIHA (Dhoma Gjermano Shqiptare e Tregtisë) Deloitte dhe Iceberg Communications, finalistët prezantuan idetë e tyre në emisionin e Diell, në Top Channel.

Katër prej ideve individuale fituan mbështetje nga 4 mijë euro nga IDEA, mbështetur nga qeveria gjermane. Një prej ideve të prezantuara në grup fitoi 7000 euro. Ndërkohë, të gjithë finalistët morën mbështetje nga anëtarët e jurisë dhe Business Magazine, për shërbime të ndryshme. Përmes Businessmag dhe New Media Communications, dy prej finalistëve do të mund të mbështeten në zhvillimin e ideve të tyre për 6 muaj në zhvillimin e Marketingut dhe PR.

Ja cilët janë 5 fituesit e ideve më të mira të biznesit

Kozeta (Lico) Halili është stiliste në Vlorë prej disa vitesh me Butik&Atelie Kozeta. Ajo po punon në riprodhimin e kostumeve popullore tradicionale shqiptare dhe prodhim të veshjeve moderne të ndërthurur me artizanalen.

Kozeta tregon për Businessmag se po synon të sjellë, “një vlerë të shtuar, një risi për qytetin e Vlorës. Nisma erdhi si rezultat i vetë kërkesës së klientëve të mi besnikë dhe klientëve të rinj”.

Produktet që Kozeta ofron janë veshje ekonomike për t’u blerë nga kushdo, por që përcjellin vlera tradicionale të vendit tonë te turistët e huaj e njëkohësisht vlera që përcillen edhe te brezi i ri.

Kozeta tregon se, produktet e saj janë veshje të punuara në mënyrë artizanale nga duart e grave vlonjate. Nuk janë veshje luksi, por luksi konsiston në punimin me dorë të çdo elementi traditional kombëtar që përban veshja. “Veshjet moderne me ndërthurje artizanale konsistojnë në idenë e përqafimit të së ardhmes me realitetin nga kemi ardhur, me sëndukun me vlera, cilësi e tradita të të parëve tanë.

Kozeta ka edhe një pikë shitje në Tiranë. Ajo parashikon ta zgjerojë aktivitetin e saj brenda dhe më vonë edhe jashtë Shqipërisë. E diplomuar në Menaxhim-Biznes, ajo dashuron punën si stiliste, me artin e trashëguar nga prindërit.

Lexo: Sfida IDEA përzgjedh finalistët

Neorent Lumshi. Ideja e Neorentit është të automatizojë sektorin e bujqësisë. Sipërmarrja e tij ende nuk është hapur plotësisht. Neorenti tregon se, “jemi në ndërtimin e prototipit të dytë të produktit. X-Sper është një robot, i cili do të kryejë spërkatjen e pesticideve në sera duke rritur efikasitetin dhe duke ulur kostot e prodhimeve bujqësore”. Reparti do të hapet në Shijak së shpejti. Është nje produkt inovativ, teknologjik dhe do të sjellë risi në treg”.

Erik Gjermeni, fitoi në konkursin e Ideas me një ide të re në tregun e shërbimeve. Flasim për  aplikacionin “Bubbles”. “Aplikacioni siguron transportimin e rrobave nga shtëpia e klientit në pastrimin kimik të dëshiruar dhe anasjelltas”. Erik është 26 vjeç. Ai vjen pas studimeve të zhvilluara në Londër, ku është diplomuar për Statistikë. Idetë më të mira sipas tij janë ato që zgjidhin probleme, të cilat nuk i dinim që i kishim!

Pranvera Rrapushi, drejton kompaninë “GRAL Albania”. GRAL vjen me një eksperiencë të re blerjesh online, me çmimin më të ulët në treg për çdo produkt. “Vizioni për të ardhmen është krijimi i kapaciteteve ballkanike, duke qenë “Komuniteti Online” më i gëzuar në Shqipëri! GRAL, Stili YT!”. Pranvera është diplomuar për Shkencat e Natyrës dhe Administrim Biznesi.

Stilian Jankulla. Me idenë e tij “Premti” Stiliani është i fokusuar në prodhimin, ambalazhimin dhe tregtimin e produkteve autoktone përmetare si: mjaltë, reçel dhe gliko përmeti. I gjithë ky proçes synon të bëhet në mënyrë artizanale dhe sipas traditës. Sipas tij, suksesi i këtij biznesi qëndron tek cilësia, shija dhe tradita. Themelues i kësaj sipërmarrje të re, Stiliani ka një diplomë në menaxhim biznes.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0