Sfida IDEA përzgjedh finalistët

Sfida IDEA përzgjedh finalistët

Pas procesit të prezantimit të ideve para mentorëve, sfida IDEA ka bërë publike emrat e finalistëve. Ata janë 16, ku mes tyre vihen re mosha dhe profesione të ndryshme. Në këtë artikull do të njiheni me emrat e finalistëve, si dhe një përshkrim të shkurtër të idesë së secilit finalist.

Stilian Jankulla është 34 vjeç dhe është diplomuar në menaxhim biznesi. Ai është themelues i “Premti”.
“Premti” është i fokusuar në prodhimin, ambalazhimin dhe tregtimin e produkteve autoktone përmetare si: mjaltë, reçel dhe gliko përmeti, në mënyrë artizanale dhe sipas traditës. Suksesi i këtij biznesi qëndron tek cilësia, shija dhe tradita.

Rinaldo Gjolaj, 21 vjeçari është themelues i AlpineBEES. Ai njeh mirë vlerat natyrore, kulturore dhe historike të Alpeve Shqiptare. Rinaldo beson se suksesi i AlpineBEES bazohet tek natyra e Alpeve me bimësitë e larmishme, tek puna profesionale dhe pasioni.

Pranvera Rrapushi 32 vjeç, diplomuar për Shkencat e Natyrës dhe Administrim Biznesi dhe drejton kompaninë “GRAL Albania”. GRAL vjen me një eksperiencë të re blerjesh online, me çmimin më të ulët në treg për çdo produkt. Vizioni për të ardhmen është krijimi i kapaciteteve ballkanike, duke qenë “Komuniteti Online” më i gëzuar në Shqipëri! GRAL, Stili YT!

Neurent Lumshi është 24 vjeçari i diplomuar në degën Inxhinieri Mekanike në Vlorë. Me idenë e tij, Neurenti ofron zgjidhje automatike në proceset manuale në bujqësi dhe në industri. Synimi është lehtësimi i punës dhe rritja e cilësisë së produkteve vendase.

Meri Gjini  është 60 vjeç, është nga Berati dhe është mësuese e Fizikës dhe Informatikës. Me shërbimin “PASTRO me 1 ALO ohohoo!” klienti merr në kohë reale 4 shërbime: pastrim kimik e lavanderi, pastrim të shtëpisë apo mjedisit të punës, pastrim të automjeteve dhe ngjyrosjen artizanale të veshjeve.

Lindita (Fejzaj) Jaupaj është diplomuar për Design Fashion. Ajo është 53 vjeç dhe zotëron biznesin “Linda Fashion Akademi & Atelie”, ku ofron kurse profesionale fashion, prodhime artizanale dhe veshjesh popullore, duke ruajtur traditën dhe historinë. Linda është, gjithashtu, skenariste dhe stiliste në disa sfilata të mëdha.

Kozeta Halili 52 vjeçarja nga Vlora, stiliste e Butik dhe Atelie Kozeta. Riprodhimi i kostumeve tradicionale shqiptare dhe prodhimi i veshjeve me punime artizanale janë pjesë e punës në atelie. Kozeta çdo ditë përpiqet t‘i shërbejë me dashuri, respekt dhe profesionalizëm çdo klienti.

Klea Mustafa 25 vjeç, ka studiuar farmaci dhe aromaterapi. “Erboristeria Di Klea” prej 3 vitesh në treg ofron një gamë të gjerë produktesh kurative dhe estetike, për kujdesin ndaj lëkurës dhe flokëve. “Erboristeria Di Klea” ja ka dalë mbanë të bëjë të lumtur klientët. Moto e Kleas është “Ti mundesh”.

Imo Alikaj është 26 vjeç, diplomuar për Psikologji Klinike, me eksperiencë klinike në punën me fëmijët. Ajo na nën zotërim qendrën “Be puzzle”, e cila ofron shërbim për fëmijët me nevoja të veçanta nga mosha 0-10 vjeç. Aty punohet në tre nivele: me fëmijët, familjen dhe kopshtin/shkollën nëpërmjet terapisë, trajnimeve dhe konsulencës.

Haxhire Dhiari, drejton studion e projektimit “MAD Büro “MAD Büro”, e cila ofron shërbim në projektim arkitektonik dhe inxhinierik, draftim teknik, preventivim dhe ndjekje të punimeve. Synimi është vendosja e një standardi në ndërtim në mënyrë miqësore ndaj komunitetit dhe mjedisit.  Është 26 vjeç dhe është diplomuar në arkitekturë.

Gentjan Hajdarmataj, menaxhon “Bleta Eco Farm Zogaj”. Është 26 vjeç, diplomuar në Punë dhe Politika Sociale. Ëndrra e Gentit është të punojë dhe të jetojë në vendlindje, duke shijuar përfitimet që vetëm atdheu t’i ofron. Bletaria është një biznes elit, ku merr dhe jep kënaqësi dhe për më tepër fitim. Gentjani beson tek moto “Lëviz vetë përpara se të lëvizësh Botën!”

Festim Hoxha, 30 vjeç nga Peshkopia, diplomuar në Financë Kontabilitet dhe Menaxhim Ndërtimi. Aktualisht merret me menaxhimin e restorantit të familjes, pranë të cilit dëshiron të hapë kampingun “Hoxha”, në Rreth Kale të Dibrës. Me moton “Beso dhe Vepro!” ai sjell ndryshimin çdo ditë.

Ervin Ceraj është 30 vjeç dhe i diplomuar në degën Menaxhim Turizmi dhe Trashëgimi Kulturore, në Shkodër. Me përvojë në kultivimin e bimëve mjekësore, përkujdesjen e përpunimit të bimëve. Aktualisht menaxhon biznesin e tij “Vajra Malësie”, me agropërpunimin e bimëve aromatike mjekësore autoktone në territorin e Malësisë së Madhe. “Bëj atë që di të bësh më mirë!” e frymëzon Ervinin në punën e tij.

Erik Gjermeni, sjell një ide të re në tregun e shërbimeve, aplikacionin “Bubbles”, i cili siguron transportimin e rrobave nga shtëpia e klientit në pastrimin kimik të dëshiruar dhe anasjelltas. Ai është 26 vjeç dhe është diplomuar për Statistikë në Londër.  Eriku mendon se idetë më të mira janë ato që zgjidhin probleme të cilat nuk i dinim që i kishim!

Elona Bejo, i është përkushtuar mbledhjes, përpunimit, paketimit dhe tregtimit të prodhimeve ushqimore, tradicionale, biologjike dhe inovative të luginës së Deshnicës në Këlcyrë. 37 vjeçari i diplomuar për arkitekturë menaxhon fermën “Grand Albanik”. Aktualisht, frymëzohet nga puna dhe fitoret në zhvillimin e biznesit në zonat rurale.

Edlira Kurti, quhet 26 vjeçarja e diplomuar për financë, e cila është përfshirë në menaxhimin e punishtes së familes së saj. “Dor Arta”,e njohur për qilima, rrugica e thekore të punuara në tezgjah sipas traditës. Ajo çdo ditë beson se mundet dhe do t’ia dalë mbanë.