Spartak Iljas, një mobilier, i cili së fundmi ka zbuluar një tjetër pasion të tij, atë të ndërtimit të kitareve. Në studion e punës, krahas materialeve që përdor për ndërtimin e mobilerive, ndodhen edhe punimet e kitareve të punuara me shumë mjeshtëri nga ai.
I pyetur se sa e vështirë ka qenë për të ndërtimi i tyre, ai ka pohuar se ka hasur vështirësi, pasi çdo gjë e ka mësuar vet duke parë dhe lexuar informacione që i shërbenin për ta udhëzuar. Për prodhimin e kitareve Spartaku kujdeset që ndërtimi i tyre të jetë totalisht me dru shqiptar, më i përdoruri prej tij është druri i Panjës. Nxjerrja e një produkti të mirëfilltë gati për përdorim, nuk ka qenë dhe aq e lehtë për të. I është dashur një periudhë prej 4-5 muaj derisa ka nxjerrë kitaren e parë për ekspozim, e cila ka qenë kitarja klasike.

Që nga zgjedhja e drurit, te përpunimi, gdhendja dhe me rradhë, janë faza nëpër të cilat Spartaku kalon derisa arrin në produktin përfundimitar. I gjithë procesi i ndërtimit konsiston në disa procedura komplekse teknike. Fillimisht ai krijon bazën e kitares, ose trupin, si e quan vetë Spartaku, për të vijuar me bishtin dhe aksesorët e tjerë përkatës, pjesë këto të ndërtuara me dru të ndryshëm.
Padyshim që kitaret e tij janë të vlerësuara nga të gjithë artistët, që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë klient të tij. Emra të shquar të artistëve shqiptarë vijnë dhe porosisin kitare duke i besuar mjeshtërisë dhe profesionalizmit të Spartakut.
I pyetur për vizionin e tij, Spartaku është shprehur se dëshiron që çdo kitare e dalë prej tij, të jetë e njohur si prodhim totalisht me dru shqiptar. Ai gjithashtu po punon për hapjen e dyqanit, në mënyrë që t’i mirëpresë atje të gjithë klientët që i kanë besuar dhe vlerësuar punën e bërë prej tij. Spartaku ka pohuar se kitaret mund të blihen edhe online, jo vetëm fizikisht, në mënyrë që të kenë mundësinë e blerjes jo vetëm shqiptarët brenda Shqipërisë, por dhe jashtë saj, pse jo të përfshihet dhe në tregun e huaj.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto