Nëse keni luftuar ndonjëherë me pagjumësinë, ndoshta jeni të njohur me “fajtorët” e zakonshëm: stresi, kafeina, alkooli, probleme shëndetësore themelore ose efektet anësore të ilaçeve.
Por çelësi i pagjumësisë kronike mund të qëndrojë thellë në zorrë, të paktën pjesërisht, sipas një studimi të ri të publikuar në General Psychiatry.
Rreth 10% e të rriturve vuajnë nga pagjumësia e rregullt, ndërsa 20% të tjerë përjetojnë simptoma të rastësishme, që përfshijnë vështirësi në gjumë, cilësi të dobët të tij dhe pasoja gjatë ditës si nervozizëm ose lodhje.
Hulumtime të tjera kanë sugjeruar lidhjen midis pagjumësisë dhe shëndetit të zorrëve përmes asaj që njihet si “aksi zorrë-truri”, por gjetjet e fundit ofrojnë “dëshmi paraprake” se përbërja e mikrobiomës së zorrëve mund të shkaktojë vetë gjumë të dobët, sipas autorëve të studimit.
Analiza mbështetej në të dhëna gjenetike nga afro 387,000 pacientë me pagjumësi, si dhe nga të dhëna të mikrobiomës së zorrëve të rreth 27,000 personave.
Studimi identifikoi një lidhje reciproke midis pagjumësisë dhe disa llojeve të baktereve në zorrë. Kjo do të thotë se këto baktere rrisin rrezikun e pagjumësisë, ndërsa vetë çrregullimi i gjumit duket se e bën praninë e tyre më të zakonshme.
Katërmbëdhjetë grupe bakteriesh rrisnin rrezikun për pagjumësi midis 1% dhe 4%, ndërsa tetë grupe e ulën rrezikun midis 1% dhe 3%.
Lexo edhe: Startup-et, si mund t’i ndihmojë “Pivot”-i të dalin nga kriza
Ndërkohë, njerëzit me pagjumësi kishin nivele shumë më të ulëta të shtatë grupeve të baktereve dhe nivele dukshëm më të larta të 12 llojeve të tjera.
Mikrobioma e zorrëve përbëhet nga baktere, kërpudha dhe viruse që jetojnë natyrshëm në trupin tonë dhe mund të ndihmojnë ose dëmtojnë shëndetin. Këto mikroorganizma komunikojnë me qelizat për të ndihmuar tretjen, për të rregulluar sistemin imunitar dhe për të shkatërruar mikroorganizma të dëmshëm.
Nuk është ende e qartë pse shëndeti i zorrëve dhe gjumi duket i lidhur, thanë studiuesit. Një teori sugjeron se pagjumësia ndikon tek nivelet e serotoninës dhe dopaminës; mesazherëve kimikë të përfshirë në ciklin e gjumit që më pas shkaktojnë që zorrët të prodhojnë këto neurotransmetues.
Rrugë të tjera të mundshme përfshijnë rregullimin e imunitetit, inflamacionin dhe mekanizma molekularë e qelizorë të tjerë. “Në përgjithësi, efektet e ndërthurura të pagjumësisë mbi mikrobiotën e zorrëve dhe anasjelltas përfaqësojnë një marrëdhënie komplekse reciproke,” thanë studiuesit.
Studimi ka disa kufizime. Shumica e pjesëmarrësve ishin me origjinë evropiane, kështu që rezultatet mund të mos aplikohen tek grupe të tjera. Faktorë të tjerë, si dieta dhe stili i jetesës, të cilët mund të ndikojnë shëndetin e zorrëve, nuk u morën parasysh.
Megjithatë, studiuesit sugjeruan se gjetjet mund të frymëzojnë trajtime të ardhshme të lidhura me mikrobiomën për pagjumësinë, si përdorimi i probiotikëve, prebiotikëve ose transplantit të fekaleve.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.