Startup-et, si mund t’i ndihmojë “Pivot”-i të dalin nga kriza - Business Magazine Albania

Startup-et, si mund t’i ndihmojë “Pivot”-i të dalin nga kriza

Pesë inkubatorë që po nxisin inovacionin dhe sipërmarrjen në Shqipëri në 2024

Në momente stanacioni ose dështimi, themeluesit e startup-eve përballen me një zgjedhje të vështirë: të vazhdojnë siç janë apo të hedhin hapin drejt një terreni të panjohur.

Lea-Sophie Cramer takohet me Dominik Popp, i cili ka dështuar si futbollist profesionist dhe dy herë si sipërmarrës, derisa zbuloi çfarë ka vërtet rëndësi në rrugën e një biznesmeni.

Dominik Popp ka provuar shijen e dështimit më shumë se një herë , fillimisht në fushën e futbollit dhe më pas dy herë si sipërmarrës. Por dorëzimi nuk ishte një opsion për të. Në vend të kësaj, ai dhe ekipi i tij vendosën të ri-orientonin përpjekjet.

Historia e tij nuk është  një rast i izoluar. Sipas “Global Startup Ecosystem Report”, rreth 90% e start-up-eve përfundojnë duke dështuar.

Fillimisht, Popp tregtonte online shirita fitnesi për femra, të shoqëruar me programe stërvitjeje të personalizuara. Në fillim, biznesi ecte me ritëm të ngadaltë, por gjatë pandemisë së COVID-19 njohu sukses të madh. Megjithatë, shpejt u shfaqën imitues, konkurrenca u shtua dhe pas pandemisë shitjet ranë ndjeshëm. Për kompaninë e tij, kjo mund të kishte qenë fundi.

Megjithatë, edhe pse ekonomia gjermane po kalonte vështirësi, gjatë vitit 2024 u krijuan shumë startup-e të reja; 11% më shumë se vitin pararendës. “Në krizë shpesh ka vend për gjëra të reja,” shpjegon eksperti ekonomik i ZDF, Neuhann.

Çfarë është thelbësore për një start-up 
Shpesh ndodh që themeluesit kuptojnë se produktet e tyre nuk i tërheqin konsumatorët ose se këta nuk janë të gatshëm të paguajnë çmimin e kërkuar. Në këtë pikë, një start-up duhet të analizojë sërish me kujdes se për cilën zgjidhje të problemit klientët janë vërtet të gatshëm të paguajnë.

Popp e pranon se sfida më e madhe ishte mungesa e “Product-Market Fit” – përputhshmërisë mes produktit dhe tregut. “Ne u përpoqëm të ndërtonim paraprakisht një markë të plotë, pa testuar realisht një audiencë dhe pa parë sa e madhe mund të ishte ajo,” shpjegon ai.

Lexo edhe: Kosto të larta dhe fitime minimale: biznesi i vështirë i startup-eve të kodimit me AI

Pas dështimit, Popp dhe ekipi i tij morën vendimin për të hyrë në një treg krejt tjetër, një kthesë strategjike që do të siguronte mbijetesën dhe rritjen e kompanisë. Me kohë, motivimi dhe besimi u rikthyen: “Nëse të gjitha mësimet e marra i fusim në produktet e reja, atëherë një ditë do të funksionojë,” thotë ai.

Çfarë është një “pivot”?
Një “pivot” – ose “kthesë strategjike” ndodh kur një start-up dështon me produktin ose modelin e tij të biznesit dhe përpiqet që në një përpjekje të dytë të arrijë sukses. Bëhet fjalë për një ndryshim të thellë në strategjinë e produktit, tregut ose modelit të biznesit, pa ndryshuar vizionin bazë.

Siç e përkufizon sipërmarrësi i Silicon Valley, Eric Ries: “Një pivot ndryshon strategjinë, por jo vizionin.”

Në historinë e biznesit, shumë kompani të mëdha kanë kaluar nëpër pivot-e të tilla. Ikea, për shembull, nisi si një dyqan me porosi postare për sende të zakonshme si stilolapsa, përpara se të bëhej gjiganti i mobilieve. Nintendo nisi me prodhimin e letrave të lojës, u shndërrua përkohësisht në kompani taksish dhe vetëm në vitet ’70 hyri në tregun e videolojërave.

Pra, një pivot nuk është diçka e rrallë. Ai mund të jetë zgjidhja për të kapërcyer një krizë të menjëhershme dhe për të siguruar qëndrueshmërinë afatgjatë të një start-up-i.

Në rastin e Dominik Pop-it, zgjidhja erdhi nga një përvojë e çuditshme e së kaluarës së tij si futbollist, problemet me mykun e thonjve. Pas një kërkimi të detajuar në treg, ai dhe ekipi i tij zhvilluan një produkt për mirëmbajtjen estetike të thonjve. Me këtë linjë të re produktesh, kompania njohu një rritje të shpejtë dhe të qëndrueshme, një histori suksesi tipike për botën e start-up-eve

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0