E dimë që keni dëgjuar për dronët, por për prodhimin e dronëve në Shqipëri me siguri nuk keni dëgjuar!
Arbi Bamllari, është themeluesi i SKAITECH, kompania e cila dronët i përdor si mjet pune në një mori fushash e për më tepër po hedh hapat e parë për prodhimin e dronëve me specifika të veçanta në Shqipëri. Pas ndjekjes së studimeve të larta në Angli, University College of London, për Matematikë, Arbi kthehet në Shqipëri për të ndërtuar karrierën e tij pa e ditur se shumë shpejt do të bëhej ideator i një kompanie, e cila operon në fushën e dronëve dhe inteligjencës artificiale. Ne kemi zhvilluar një intervistë me Arbin rreth SKAITECH dhe projekteve.
Si erdhi ideja e krijimit të SKAITECH dhe sa kohë u desh deri në ndërtimin e një startup-i të mirëfilltë?
Jam rritur me botën e biznesit që i vogël, jam përfshirë në biznes dhe kur u ktheva në Shqipëri, fillova punë si konsulent IT. Pasionet e mia janë teknologjia, robotika dhe makinat. Ndërkohë që punoja fillova të krijoja idenë për SKAITECH, ka qenë pothuajse koha e fillimit të pandemisë kur fillova t’i shtjelloj idetë. Në fakt filloi si një diskutim në një kafene, për të mirat dhe të këqijat e automatizimit dhe digjitalizimit në botën tonë, se si robotika (si dronët) dhe AI po përparojnë. Në një mënyrë humoristike, thashë: “Imagjinoni një tufë dronësh, njësoj si në Black Mirror, duke monitoruar dhe mbledhur të dhëna për situatën e pandemisë për t’i raportuar autoriteteve 24/7.”
Ndonëse në pamje të parë kjo ishte nje ide absurde dhe e keqe, kjo në fakt më bëri kurioz për dronët, teknologjinë pas tyre dhe mënyrën se si po përdoreshin globalisht. Prej aty, një botë krejt e re u hap për mua dhe fillova të hulumtoj pa pushim dhe të punoj natën vonë, pasi një ide ose teknologji çonte në një tjetër. Krijova kontakte te reja dhe gjeta me kënaqësi ekipin tim, ndërkohë që gjeta bashkepunime me kompani në mbarë botën.
Ku gjete mbështetje për ta ndërtuar SKAITECH?
Si fillim nga familja. Kam patur gjithmonë kureshtje dhe ambicie për të mësuar gjithnjë e më shumë dhe u edukova me faktin që nuk mund t’i marrësh gjërat e gatshme por duhet të synosh për të ndërtuar gjërat e tua. Krijimi i SKAITECH filloi si një “pitching” përpara tim eti. Ai e dinte që fusha e teknologjisë ka të ardhme por një njeri që nuk ka njohuri të thelluara ka nevojë për një farë bindjeje qoftë nga shifrat, nga biznes-plani etj. Tani në biznes jemi partnerë të dy bashkë.
Kur filluat të operoni zyrtarisht në ambientet tuaja dhe sa punonjës ishit?
Lexo: Aksionet e mediave sociale bien pasi Facebook raporton të ardhurat zhgënjyese
Themelimi ishte me 10 Tetor 2020. Puna zyrtarisht nisi me 1 Nëntor. Në fillim ishim 3 punonjës, ndërsa tani jemi 6-full time. Kemi disa bashkëpunime, kemi dy Pilotë Dronash për projekte, kemi bashkëpunime me topografë të licencuar dhe një profesor inxhinierie që punon si freelancer. Kemi disa bashkëpunime por që nuk janë kapacitete zyrtare, punojmë me projekte më së shumti.
Si funksionon SKAITECH konkretisht, cili është problemi të cilit ju i jepni zgjidhje?
Ideja e SKAITECH ishte te sillnim teknologjitë e dronëve,robotikës dhe AI në Shqipëri. Zgjidhja që ne japim shtrihet në fusha të ndyshme, pasi teknologjitë që përdorim aplikohen në një masë të madhe të industrisë. Kryesisht në bujqësi, energji, infrastrukturë dhe sigurinë publike. Zgjidhja ne thelb është automatizimi dhe digjitalizimi i operacioneve që një biznes mund të ketë, një mbështetje e plotë në pjesën Hardware dhe Software. Një ndër gjërat që bëjmë është që digjitalizojmë asete kritike, këto objekte mund ti krijojmë virtualisht. Kjo bëhet me anë të mjeteve si dronat, software të personalizuar dhe metodikave të caktuara siç është fotogrametria. Klienti më pas mund të shohi pikërisht këtë objekt ose një sipërfaqe të caktuar për studime të mëtejshme, për të punuar mbi të. Objektet mund të jenë ndërtesa, pallate, ura, rrugë, fusha të pandërtuara, fusha të bujqësisë me të mbiella, stacione të telekomunikacionit, panele diellore etj. Pra ka një sërë aplikimesh. Nga ana tjetër, me anë të AI mund të bëhen detektime objektesh, numërime të tyre, inspektime të ndryshme, raportime etj.
Pra, për ta kuptuar më thjeshtë. Dronët janë mjetet tuaja të punës, për të ofruar shërbimet, ju nuk prodhoni apo tregtoni dronë?
Ky ishte koncepti i parë dhe është linja kryesore e biznesit tonë për momentin. Ne po punojmë me një sërë projektesh. Një nga projektet kryesore është kjo që ju sapo e përmendët, ne jemi kompania që do të prodhojë dronin e parë në Shqipëri. Kemi gjetur mbështetjen institucionale dhe jemi shumë krenar për këtë gjë!
Projekti që do të sjellim është në standarte europiane, të sigurisë së lartë. Droni ynë do të ketë një sërë funksionesh, do ketë Inteligjencë Artificiale, do të kenë një distance fluturimi të caktuar që të mund të telekomandohen etj, siç janë kudo në botë, por gjithashtu autonom. Synimi jonë është që të arrijmë të çertifikohemi sipas rregullatoreve të EASA (European Union Aviation Safety Agency), me CE.
Shërbimet tuaja momentalisht ofrohen vetëm B2B?
Kryesisht po, ndonëse në pjesën e parë të vitit kemi bërë shërbime B2C, në fushën e marketing, turizëm etj. Ka patur edhe individ që kanë kërkuar shërbimet tona duke na mundësuar ti ofrojmë edhe B2C..
Cili është klienti juaj, në cilat pika kyçe bazohet profili i tij?
Klientët e synuar janë në të dy sektorët, publik dhe privat. Nga ana e biznesit është më e lehtë të punosh me sektorin privat, sepse ndërveprimi është më i thjeshtë. Këtu do veçoja pjesën e infrastrukturës, ndërtimit dhe energjisë. Procesi është i tillë: ne përdorim dronë profesionale, nga ku merren të dhënat, sensorët në këta dronë janë pak më ndryshe se dronët normal dhe kjo duhet theksuar. Të dhënat më pas procesohen në software, të cilët përpunojnë dhe analizojnë të dhënat. Avantazhi është që ne japim më shumë të dhëna dhe rezultate në krahësim me metodat tradicionale, në një kohë shumë më të shkurtër dhe me me pak kosto.
Në sektorin e bujqësisë bëjmë monitorimin e shëndetit të bujqësisë, në një mënyrë shumë të ngjashme merren të dhënat me dronë, hidhen në një software specifik dhe gjenerohen rezultate të caktuara që tregojnë nëse në kordinata të caktuara ka probleme. Gjithashtu, kemi dronë specifik që bëjnë inspektimin e gjendjes dhe dëmtimeve në asetet kritike, si në linjat e energjisë elektrike ose panelet diellore, kur problemet nuk vërehen me kamerat vizuale, prandaj përdoren kamera termike dhe gjenerohet një raport gjithëpërfshirës duke treguar saktësisht se ku ndodhet problemi ose dëmtimi. Këtë bëjnë në thelb dronët dhe teknologjitë që ne përdorim.
Megjithatë sado të domosdoshme që duken, tingëllon si një shërbim i kushtueshëm për fermerët, sidomos në Shqipëri.
Ndonjëherë duken si zgjidhje të shtrenjta, por kur mendon thellë pasojat mund të jenë më të mëdha. Nëse e lë problemin të qëndrojë gjatë, pasojat janë shumë herë më të mëdha. Duke qenë se përmendëm fermerët, në rast se një sëmundje në një bimësi të caktuar nuk kapet në kohë mund të përhapet dhe të sjellë pasoja shumë negative. Ne mundohemi të japim shërbime që të jenë sa më efiçente. Sa për çmimet që në dukje shihen si të shtrenjta, ne jemi përpjekur ta mbajmë kokën nga realitetit. Jemi të vetëdijshëm që ekonomia e vendit ka disa gjëra që ende nuk i ka përqafuar, sidomos përsa i përket teknologjisë. Ne po mundohemi të implementojmë metodika perëndimore dhe të punojmë me projekte dhe me orë pune. Gjithmonë do ketë një farë opozite që nuk do arrijë të kuptojë apo të përqafojë teknologjinë, prandaj po mundohemi të lidhemi edhe me organizata të huaja dhe me qeverinë, në thelb na nevojitet suporti i tyre mbi të gjitha për edukimin e tregut. Kur po diskutonimin me Ministren e Bujqësisë i shpreha se na nevojitet mbështetje për edukimin e agronomit apo fermerit që këto të dhëna nuk janë thjesht disa të dhëna që shkruhen në letër, pasi do t’i nevojiten që të mos shpenzojë më tepër para në të ardhmen dhe të parandalojë shpenzime të mëdha të paparashikuara.
Gjithë teknologjia e dronëve duket se po ecën shumë shpejt në të gjithë botën. Deri në vitin 2025 parashikohet që “market size” do të arrijë në mbi 60 miliardë dollarë?
Deri në 2030 do të ketë shkuar mbi 100 miliardë. Ideja është që në botë nuk po shiten më dronët si një gjë e re. Tregu në vendet më të zhvilluara po maturohet. Në Shqipëri kjo është ende një gjë e re. Ne thjesht kemi fatin e mirë apo ambicien që ta implementojmë dhe në vendin tonë.
Lexo: Duhet të kalojë Yaht-i i Jeff Bezos. Holanda çmonton urën historike
Duke qenë diçka inovative, të paktën për Shqipërinë, a ka patur interes nga investitorët por edhe nga tregu? Kam përshtypjen që ju jeni të parët që e sillni këtë treg në Shqipëri?
Për fatin tonë sa të mirë dhe të keq jemi të parët. Fati i keq lidhet me edukimin e gjithë tregut. Ne jemi gjithmonë duke nxituar, duke bërë përpjekje të reja për të bashkëpunuar me shumë njerëz. Kemi krijuar një skuadër të mirë dhe jemi shumë energjikë, vërtet besojmë në këtë projekt. Çdo pasion duhet ndjekur dhe aq më mirë nëse arrin të bësh edhe biznes.
Reagimet ndaj SKAITECH kanë qenë gjithmonë shumë pozitive. Unë mendoj që në 1 ose 2 vite kjo gjë do bëhet normale. Ne kemi bërë dhe shitje dronash. Kemi ndërmend të hapim dhe një dyqan me drona. Kemi disa projekte në planet tona. Ne jemi ofrues shërbimesh në thelb, kryesisht B2B, por siç e përmenda kemi dhe disa projekte të tjera që po zhvillojmë. Ambicia jonë është që ne të krijojmë shumicën e produkteve që përdorim, për të ulur kostot e punës dhe për të thënë që kjo gjë mund bëhet dhe në vendin tonë. Një projekt shumë interesant që kemi nisur është krijimi i algoritmeve AI për identifikimin e objekteve, monitorimin e trafikut dhe detektimin e targave. Teorikisht çdo gjë është e mundur me kamera edhe me dron, ne kemi arritur ta bëjmë dhe po punojmë që ta përmirësojmë.
Përveç kësaj është e rëndësishme për të patur parasysh disa gjëra për pjesën e rregulloreve që kanë dronat me aviaconin. Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia janë tre vendet e vetme në Europë që nuk kanë rregullatore për dronat. Pra si mund të përdoren dronat? Teorikisht dronët mund të ngrihen deri në 1000 metra. Në qoftë se këtë dron e ngre 500 metra dhe hyn në një zonë me helikopter, që nuk lejohet çfarë ndodh? Përsa i përket kësaj ne kemi bërë dhe trajnime online edhe trajnime me partnerët tanë dhe kemi marrë dhe çertifikime pilotësh.
Ne jemi duke punuar ngushtë me Autoritetin e Aviacionit Civil në lidhje me rregulloret dhe për krijimin e një akademie, SKAITECH Academy, që kushdo të mund të trajnohet me ne për të marrë liçensën e duhur të çertifikohet sipas kërkesave.
Punën tonë e shoh edhe më rajonale përshembull po mendojmë të hapim dhe një zyrë në Kosovë. Më pas pse jo të drejtohemi nga tregu europian.
Gjithnjë ka nevojë për investim. Në këto momente kemi disa partneritete me EU4innovation, GIZ, disa universitete duke përfshirë dhe Universitetin e Tiranës, AADF, ICTSLab etj.
Duke qenë një startup, si ju duken programet e akselerimit në Shqipëri? A keni marrë pjesë në ndonjë prej tyre?
Të them të drejtën nuk kemi marrë pjesë, të paktën jo si Skietech. Unë personalisht vetë kam marrë pjesë në Angli në një program të tillë, një nga djemtë e ekipit ka marrë pjesë në disa prej tyre. Unë mendoj se ka akoma nevojë për më shumë punë nga vetë programet. Në fund të ditës ka njerëz nga fusha shumë të ndryshme që u nevojitet mbështetje teknike në ato fusha.
Gjithsesi atmosfera në Shqipëri është përmirësuar, krahasuar me ndoshta 5 vite më parë. Unë shoh plot të rinjë që kanë qenë jashtë e janë kthyer këtu e po mundohen të bëjnë gjëra vërtetë. Por duhen mbështetur dhe duhet një frymë e re. Me bashkëpunim mund të arrihet çdo gjë, në qoftë se Shqipëria ecën në këtë drejtim dalngadalë.
Në skenarin më të mirë pas 5 apo 6 vjetësh ku do jetë SKAITECH?
Në skenarin më të mirë do të jetë në disa drejtime të ndryshme, një kompani e konsoliduar me zyra në Kosovë, Prishtinë, besoj se edhe në Europë. Qëllimi afatgjatë i yni është që të rritemi në tregun ndërkombëtar, e gjithashtu të kemi ligjin tonë të prodhimit dronët. Patjetër zhvillimi i produkteve të ndryshme që ne kemi nisur, zgjerimi i skuadrës.
Unë kam patur fatin shumë të mirë që jam mbështetur nga familja dhe kam studiuar jashtë dhe jam mësuar me një kulturë tjetër, pra kam krijuar partneritet me shoqëri të ndryshme dhe njerëz nga e gjithë bota dhe sado pak po mundohem të sjell këto bashkepunime dhe teknologji në Shqipëri dhe po mundohem ta reflektojë këtë te kompania. Pra, të sjellë një frymë pak më perëndimore ku njerëzit nuk kenë thjesht një post. Unë gjithë kohën e kaloj në zyrën e përbashkët me djemtë që punojnë këtu sepse ndihem pjesë e tyre, nuk dua ta diferencoj veten në këtë pikë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.