Përfitimet shëndetësore të konsumit të rregullt të kafesë janë konfirmuar nga dy studime të reja të gjera, një e kryer në dhjetë vende europiane dhe një tjetër e kryer në Shtetet e Bashkuara.
Me që bëhet fjalë për një studim vëzhgues, kjo analizë nuk dëshmon megjithatë për lidhjen mes shkakut dhe efekteve të kafesë, paralajmërojnë hulumtuesit dhe ekspertët e pavarur.
Rezultatet e dy studimeve, të përshtatura për faktorët e rrezikut, të tilla si pirja e duhanit, janë botuar të hënën në revistën e njohur amerikane për mjekësi të brendshme Annals of Internal Medicine.
Konsumatorët e rreth tri kafeve në ditë, duke përfshirë kafe pa kafeinë, duket se kanë jetë më të gjatë se ata që nuk pinë fare, sipas të dhënave të studimit të kryer në Europë, ku janë analizuar 520,000 burra dhe gra mbi 35 vjet. Këta janë ndjekur për 16 vjet nga Zyra Europiane për hetime të kancerit (Enquête européenne sur le cancer et la nutrition (EPIC).
Në botë pihen 2.25 miliardë kafe në ditë
“Ne kemi vështruar se një konsum më i madh i kafesë lidhet me rrezikun më të ulët të shkaqeve të vdekshmërisë, sidomos nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut dhe sistemit të tretjes”, tregon Marc Gunter i Agjencisë Ndërkombëtare për Kërkime mbi kancerin dhe një nga autorët kryesorë të studimit.
Është projekti më i gjerë i bërë ndonjëherë në Europë mbi efektet në shëndetin dhe jetëgjatësinë e kafesë, pija më shumë e përdorur në botë me rreth 2.25 miliardë kafe që pihen çdo ditë.
“Këto rezultate ishin të ngjashme në dhjetë vende evropiane me zakonet dhe kultura të ndryshme”, thekson Marc Gunter.
Studimi “gjithashtu ofron njohuri të rëndësishme mbi mekanizmat e mundshëm themelorë që mund të shpjegojnë efektet e dobishme të kafesë”, duke përjashtuar kafeinën.
Kafeja është veçanërisht e pasur me antioksidantë që janë të rëndësishëm për të parandaluar kancerin, thuhet në këtë studim.
Rezultatet e njëjta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Studimi i dytë është kryer në Shtetet e Bashkuara te më shumë se 185.000 të rritur nga të gjitha shtresat, të moshës 45 deri në 75 vjeç, gjatë gjashtëmbëdhjetë vjetëve me radhë.
Autorët kanë zbuluar një lidhje mes rritjes së konsumit të kafesë dhe rrezikut më të ulët të vdekshmërisë nga sëmundjet kardiovaskulare, të frymëmarrjes, veshkave, kancerit dhe diabetit.
Në mënyrë të veçantë, njerëzit që pinin një filxhan kafe në ditë kishin 12% më pak rrezik për të vdekur gjatë periudhës së studimit se ata që nuk e pinin, një nivel që ka arritur deri në 18% për ata që konsumojnë tri kafe në ditë. Ashtu si në studimin europian, efektet kanë dalë të ngjashme me kafe pa kafeinë.
“Ne nuk mund t’i themi publikut pini kafe për të zgjatur jetën tuaj, por ju mund të shihni një lidhje”, thekson Veronica Setiawan, profesoreshë e mjekësisë parandaluese në Universitetin e Kalifornisë Jugore dhe autore kryesore e këtij studimi.
Rreth 75% e të rriturve në Shtetet e Bashkuara pinë kafe, 50% prej tyre në mënyrë të përditshme.
Marc Gunter, i studimit evropian, megjithatë, i zbut këto rezultate dhe shpjegon: “Duke pasur parasysh se ky është një studim vëzhgues, pa analiza shkakësore, ne nuk mund të rekomandojmë të pini më shumë ose më pak kafe”.
Por, zbulimet tona sugjerojnë se konsumi i moderuar deri në tri kafe në ditë mund të ketë efekte të dobishme për shëndetin, shton studiuesi.
Efektet mbrojtëse
Një analizë i biomarkerëve metabolikë në një nëngrup prej 14.000 pjesëmarrësve nga studimi evropian tregon se ata që pinë kafe kanë një melqi më të shëndetshme.
Për profesor Elio Riboli, shef i Fakultetit të Shëndetit Publik në Kolegjin Imperial në Londër, i cili ka marrë pjesë në këtë studim, “rezultatet e studimit evropian përforcojnë në mënyrë të qartë numrin e madh të treguesve që sugjerojnë se kafeja është jo vetëm e parrezikshme, por ajo ka efekte mbrojtëse”.
“Edhe pse më shumë hulumtime janë të nevojshme, mund të themi se rezultatet e këtij studimi të madh evropian konfirmuan rezultatet e hulumtimit të mëparshëm në botë”, shton profesori Riboli.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka tërhequr në vitin 2016 nga klasifikimi kafenë si produkt kancerogjen.
/BusinessInsider
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.