Në epokën digjitale, përpunimi i ligjshëm i të dhënave personale është i ndërlidhur me marrjen e masave të duhura për sa i përket sigurisë së pajisjeve dhe sistemeve.
Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në bashkëpunim me Qendën Shqiptare për Zhvillim të Qëndrueshëm, me mbështetjen e Ambasadës Zvicerane në Tiranë, organizuan aktivitetin e dytë në kuadër të projektit “Siguria kibernetike dhe mbrojtja e të dhënave”, kësaj rradhe me fokus institucionet e arsimit të lartë (IAL).
Në të morën pjesë studentë dhe pedagogë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës së Universitetit të Tiranës. Në përshëndetjet e rastit, Komisioneri, z. Besnik Dervishi, por edhe Dekani, z. Spiro Drushku, theksuan domosdoshmërinë e ndërveprimit mes hallkave/strukturave të kontrolluesve publikë apo privatë, për garantimin e plotë të të drejtave të qytetarëve në ofrimin e shërbimeve të sigurta.
Për të pranishmit referoi eksperti i kësaj fushe, z. Emirjon Marku, i cili kombinoi trajtimin e kuadrit rregullator kombëtar me shembuj nga praktika në sektorit arsimor.
IAL konsiderohen ndër kontrolluesit e mëdhenj për shkak të llojit dhe sasisë së të dhënave personale që përpunojnë, duke patur parasysh, edhe numrin e lartë të individëve të përfshirë në këtë proces.
Në vlerësim të kësaj pozite, është e rëndësishme që të kuptohet se marrja e masave tekniko-organizative, përfshi edhe një mjedis digjital/kibernetik të sigurt, ndikon në parandalimin dhe minimizimin e rasteve të cenimit të të dhënave personale.
Një temë tjetër e rëndësishme që u diskutua ishte kontributi i IAL për të iniciuar përmbajtje ndërdisiplinore dhe metodologji të reja në procesin e mësimdhënies apo në kurrikulat e tyre, si brenda strukturës arsimore ashtu edhe në bashkëpunim me palë/aktorë të tjerë të fushës së mbrojtjes së të dhënave personale.
Zyra e Komisionerit ka një bashkëpunim tradicional me universitetet publike dhe private në drejtim të ndërgjegjësimit të brezit të ri, në përgjithësi, por veçanërisht, në nxitjen e edukimit për përgatijen e profesionistëve të së ardhmes.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.