Si të ndërtoni një kulturë pune që gjenerata Z nuk do të dojë ta lë.... - Business Magazine Albania

Si të ndërtoni një kulturë pune që gjenerata Z nuk do të dojë ta lërë kurrë?

Në një botë ku puna ndryshon me ritme të shpejta, menaxherët nuk janë thjesht zbatues strategjish, por ambasadorë të kulturës së kompanisë. Dhe kur bëhet fjalë për të tërhequr dhe mbajtur Gjeneratën Z, ky rol bëhet edhe më jetik.

Nëse dikur kultura e punës përcaktohej nga zyrat me xhama të errët dhe sloganet nëpër mure, sot Gjenerata Z kërkon diçka tjetër, autenticitet, fleksibilitet dhe ndershmëri. Ata nuk hezitojnë të largohen kur ndiejnë se vlerat e shpallura nuk përputhen me realitetin e përditshëm. Dhe përgjegjësia për ta ndryshuar këtë perceptim bie mbi… menaxherët.

Lexo gjithashtu: “Gjenerata Z nuk po e shkatërron shqipen, ajo po e evoluon”, Alda Bardhyli për sfidat e gjuhës së shkruar

Menaxherët si “përkthyes” të kulturës

Në fakt, janë menaxherët që e bëjnë të gjallë kulturën e një organizate. Ata janë ura mes vizionit të drejtuesve dhe përvojës reale të punonjësve. Dhe në raport me të rinjtë, kjo lidhje duhet të jetë e thellë dhe njerëzore. Gjenerata Z është rritur në një botë të trazuar, me kriza të njëpasnjëshme dhe teknologji që evoluon çdo ditë. Prandaj, për ta, puna është vetëm një pjesë e jetës dhe jo gjithçka.

Kjo gjeneratë kërkon udhëheqës që i shohin si njerëz, që u vlerësojnë kohën, i dëgjojnë me kujdes dhe i ndihmojnë të lidhin vlerat e tyre personale me misionin e kompanisë. Kur kjo ndodh, krijohet besnikëri e vërtetë.

Tre strategji për të fititur zemrën e Gjeneratës Z

  1. Më pak kontroll, më shumë rritje dhe shihni si lulëzon skuadra?

Shumë menaxherë promovohen sepse janë të shkëlqyer në atë që bëjnë, por kjo s’do të thotë se janë të përgatitur për të drejtuar njerëz. Ndryshimi duhet të nisë nga vetja, më pak direktiva dhe më shumë pyetje të hapura. Jepuni hapësirë punonjësve të mendojnë, të kontribuojnë dhe të rriten.

Një shembull frymëzues vjen nga General Electric, ku trajnimet për “udhëheqje lehtësuese” ndihmuan menaxherët të udhëhiqnin më shumë përmes pyetjeve sesa përgjigjeve. Rezultati? Inovacion i drejtuar nga punonjësit, si përmirësimi i efikasitetit të turbinave nga një ide e vetë skuadrës.

  1. Fjalët kanë rëndësi, por veprimet flasin më shumë

Shumë kompani krenohen me vlerat e tyre, bashkëpunim, inovacion, integritet. Por nëse ato nuk pasqyrohen në përditshmëri, janë thjesht dekor në faqet e karrierës. Sekreti është t’i bësh ato të prekshme.

Google është një shembull klasik, “20% e kohës” u dedikohej projekteve personale të inxhinierëve, duke sjellë produkte si Google News dhe Adsense. Po të ishte thjesht një slogan për “nxitjen e inovacionit”, këto produkte nuk do të ekzistonin.

Nëse bashkëpunimi është një vlerë, mos e përmendni vetëm në email. Organizoni sesione idesh, dëgjoni sinqerisht dhe festoni çdo hap përpara.

Lexo gjithashtu: Qiratë në SHBA në “stratosferë”. Gjenerata Z dhe Milenialët të destinuar të jetojnë me shokët e dhomës?

  1. Idetë e mëdha lindin nga lidhjet e vërteta

Gjenerata Z vlerëson mendimin e lirë dhe përfshirjen e të gjithëve. Kur ndihen të dëgjuar, japin më të mirën e tyre. Dhe kjo nuk ndodh rastësisht, duhet krijuar një mjedis ku mendime të ndryshme bashkohen.

Salesforce e ka kthyer këtë në praktikë përmes “Equality Groups”, grupe që ndikojnë direkt në politikat e brendshme. Falë rrjetit të grave brenda kompanisë, janë përmirësuar lejet prindërore dhe janë krijuar mundësi të reja për avancim në karrierë.

Kërkoni perspektiva të reja, përfshini njerëz nga departamente të ndryshme në projektet tuaja. Dhe kur veproni mbi idetë e tyre, mos harroni t’i falënderoni publikisht. Janë këto gjeste që ndërtojnë besim dhe përkushtim.

Lexo gjithashtu: Gjenerata Z është e stresuar, burnout dhe nuk ka në plan të ndalojë Dorëheqjen e Madhe 

Kultura nuk ndërtohet nga lart, ajo jetohet çdo ditë

Në fund, menaxherët nuk janë thjesht “zbatues” të kulturës. Ata janë shembulli. Nëse doni që punonjësit, sidomos të rinjtë, të besojnë tek vlerat e kompanisë, duhet t’i shohin të mishëruara në veprimet tuaja.

Gjenerata Z do një vend pune ku mund të rritet, të ketë ndikim dhe të jetë vetvetja. Dhe nëse menaxherët arrijnë të ndërtojnë këtë realitet, nuk do t’u duhet të shqetësohen për largime apo mungesë angazhimi, sepse do të kenë krijuar një kulturë që askush nuk do të dojë ta lërë.

SUCCESS

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0