Si të mendojmë në mënyrë racionale, Guidë dhe ushtrime » Business Magazine Albania – Media Dixhitale dedikuar Sipërmarrjes
Përditësuar së fundmi: 18/06/2019

Si të mendojmë në mënyrë racionale, Guidë dhe ushtrime

Share
nga Admin
Qer 18, 2019
Business Magazine Albania constitutes an online periodical publication of business related articles. It is the first of
lexo me teper >

Shkruar nga Anila Bashllari

Në këtë artikull dua t’ju prezantoj me mënyrën sesi mund të “zhvishemi” nga presionet e pavlera që shoqëria apo familja ushtron ndaj nesh si dhe me 4 teknika (të propozuara nga psikologu i famshëm Albert Ellis, krijues i REBT) që mund të na ndihmojnë që të mendojmë, veprojmë dhe jetojmë në mënyrë racionale duke u zhveshur nga iluzionet dhe presionet e të tjerëve.

Albert Ellis ka shkruar shumë mbi “urdhëresat” dhe presionet që vetë ne apo shoqëria vendos mbi ne (shpesh në mënyrë të pavetëdijshme). Një shembull i thjeshtë do të ishte shprehja nga të tjerët e “dëshirës së tyre” që ti të martohesh.

Nuk ka asnjë ligj të shkruar apo të pashkruar që detyron njerëzit të martohen nëse ata nuk duan. Por, në shumicën e shoqërive  beqarët “vuajnë” presionin e të tjerëve që të martohen me pretekstin se të tjerëve u vjen keq për ta, duke thënë: “ti duhet të martohesh sepse po të ikën koha”.

(Një shembull tjetër që mund të jap është kur një çift martohet dhe njerëzit fillojnë të pyesin për ardhjen në jetë të fëmijëve… Një çift nuk e ka aspak të detyrueshme (në asnjë kushtetutë) që të bëjë fëmijë kur martohet.)

Por, realiteti është ndryshe… Shumica prej nesh i vuajmë këto presione dhe shpesh ndihemi të përjashtuar, ndryshe, sikur ka diçka që nuk shkon me ne në rastet kur nuk i plotësojmë pritshmëritë e të tjerëve.

“Ti duhet të sillesh kështu; ti duhet të vishesh normale; ti duhet të martohesh dhe jo të rrish vetëm; ti duhet të kryesh universitetin; ti duhet të bësh një punë normale dhe jo të ndjekësh pasionin që nuk po të sjell të ardhura…”

Unë mendoj se të vetmet “duhet” që dua të respektoj janë “duhet” të shkruara në Kushtetutën e vendit tim apo kode etike që përcaktohen nga institucione apo mjediset që frekuentoj.

Nuk mund të pranoj asnjë “duhet” të atyre që më rrethojnë sepse unë jam person unik ashtu si secili prej jush dhe të gjithë ne kemi nevoja, aspirata, vizione, dëshira të veçanta. Nuk mund të futemi të gjithë nën një “duhet”.

Për shembull, unë jam shumë e bindur që vendimi për t’u martuar duhet marrë kur personi ndihet gati, kur personi gjen partnerin/en e duhur për të marrë një vendim të tillë, dhe kjo nuk ka të bëjë me moshën ideale për t’u martuar që sugjerojnë të tjerët (prindërit, familjarët, miqtë, etj.)

Le të supozojmë që unë jam ende beqare dhe po e marr për të mirëqenë bashkë me ju urhdëresën “ti duhet të martohesh”. Çfarë ndodh kokretisht në këtë rast?

Kur ne i brendësojmë dhe fillojmë t’i bëjmë presion vetes mbi “duhet” që na propozon shoqëria, a na ndihmon urdhëresa “duhet të martohesh” që të gjejmë njeriun e duhur dhe të martohemi? Në çfarë aspekti na ndihmon ky lloj presioni? Apo mos vallë ky presion na bën të ndihemi të përjashtuar, të paaftë për të gjetur personin e duhur për martesë, na shton shqetësimet për të ardhmen dhe veten tonë?

Edhe nëse ne e marrim si sugjerim pozitiv “ti duhet të martohesh para të 30tave” dhe fillojmë t’i kushtojmë rëndësi këtij qëllimi në mënyrë që ta realizojmë sa më shpejt, a mendoni se do të ndihemi vërtet të lumtur nëse e arrijmë qëllimin? Apo duhet të pyesim veten nëse vërtet jemi gati dhe e duam këtë gjë?

Pra, edhe nëse unë bindem që të gjithë të tjerët kanë të drejtë që unë duhet të martohem dhe të krijoj familje, kjo nuk do të më ndihmojë që të martohem, vetëm do të më shtojë presionin dhe stresin që unë ende “nuk jam e plotësuar” në këtë aspekt të jetës.

Sigurisht që martesa kur të dy partnerët investojnë në të mund të jetë një burim lumturie dhe mirëqenie për partnerët, por ne nuk kemi ASNJË ARSYE pse t’i bëjmë presion vetes që duhet të martohemi patjetër.

Shpresoj që ta përdorni këtë logjikë argumentimi për të analizuar “duhet” të tjera që shoqëria imponon në jetën tuaj të përditshme dhe të bindeni që urdhëresat “duhet” ju bëjnë të përjetoni ndjenja negative, që ju krijojnë një perspektivë të gabuar për mënyrën sesi dëshironi ta jetoni jetën si qënie UNIKE, jua cungon vizionin për të ardhmen dhe ju burgos një një rreth vicioz presionesh që nuk ju shërbejnë apo ndihmojnë në asnjë aspekt.  

 

Sipas Dr. Ellis, ne zakonisht bëjmë 4 gabime në mënyrën sesi mendojmë, gjykojmë situatat dhe sillemi në raport me to:

  1. T’i bësh situatat “të tmerrshme”

Ndarja nga partneri im është gjëja më e tmerrshme që mund të më ndodhte!”

Pse kjo nuk është diçka e tmerrshme?

Ndarja nga një partner i preferuar është një gjë që u ndodh shumë njerëzve. Çdo njëri prej nesh ka përjetime të ndryshme për një situatë në dukje të njëjtë.

Ngjarjet thjesht ndodhin gjatë gjithë jetës tonë dhe ne duhet të mendojmë mbi mënyrat se si ta zgjidhim problemin, jo thjesht që ta bëjmë atë “të tmerrshëm”.

Në fakt, nuk ka ngjarje të tmerrshme apo që sjellin “fundin e botës” për ne (vetëm nëse ne i përjetojmë si të tilla), pasi nevoja absolute për të jetuar është frymëmarrja, jo prania e domosdoshme e një partneri, fitimi i një burse shkolle apo vendi pune apo ngjarje të dhimbshme (por të përballueshme) si vdekja e personave të dashur.

Nuk ka asnjë të dhënë shkencore apo statistika që mund të vërtetojnë se “ndarja nga partneri” është gjëja më e tmerrshme që mund t’i ndodhë një personi dhe që një situatë e tillë nuk ka zgjidhje alternative.

2. Urdhëresa: “Unë nuk mund të humbas vendin e punës në asnjë mënyrë!

(Ti nuk mund ta bësh atë veprim një asnjë mënyrë!; Unë nuk dua të bëj asnjë punë tjetër nëse nuk e fitoj atë vend pune!)

Ti nuk mund të japësh urdhëresa dikujt kur personi tjetër nuk është i/e gatshëm që të veprojë ashtu siç urdhëron ti. Gjithashtu, nuk mund të “urdhërosh” që një ngjarje të mos ndodhë kur është jashtë mundësive të tua për ta kontrolluar (kujtoni herët që jeni lutur që të mos binte shi… vërtet mendoni se shqetësimet tuaja apo lutjet që të mos bjerë shi kanë ndikuar në sistemin atmosferik të planetit Tokë?). Nëse vërtet mendon se ke nevojë për diçka (për të cilën jep urdhëresa kategorike) duhet të gjesh zëvendësime (apo të mendosh për zgjidhje edhe nëse ndodh ngjarja) apo të fillosh të mendosh që edhe nëse nuk plotësohet kërkesa jote, nuk do të vijë fundi i botës.

3. Mungesë tolerance ndaj frustrimit: Nuk e duroj dot që të ndahem nga e dashura dhe mos ta kem atë në jetën time!

Duhet të kuptosh që ngjarjet ndodhin dhe ne duhet të pranojmë që edhe të tjerët kanë dëshira dhe vullnetin e tyre personal dhe vendosin për vete se çfarë duan. Nëse ti je duke kaluar gjatë një periudhe ndarjeje dhe mendon se nuk mund ta përballosh dot mërzitjen apo dhimbjen, mund të fillosh të mendosh që ti nuk ke zgjedhje tjetër përveç ndarjes dhe që duhet ta pranosh këtë gjë, dhe të fillosh të merresh me aktivitete që të reduktojnë mërzinë dhe të sjellin kënaqësi.

4. Vlerësime negative globale:

“Të gjithë meshkujt janë të pasjellshëm!”

“Unë jam personi më negativ në botë, askush nuk më do!”

Kur ne e gjejmë veten në mes të një periudhe ankthi apo frustrimi, mendojmë se gjithçka na është kthyer kundër, që shiu bie vetëm për të na prishur punë, që të gjithë njerëzit janë bërë të pasjellshëm me ne, e të tjera. Në fakt kjo nuk është aspak e vërtetë. Fakti që kamarieri sillet keq me ju në një moment që jeni duke menduar se gjithçka po ecën keq në jetën tuaj, më lejoni t’ju them që sjellja e kamarierit mund të ketë ardhur nga shkaqe që as nuk ju shkojnë ndër mend dhe nuk ka asnjë lidhje logjike me perceptimin tuaj se “gjithçka po shkon keq sot”.

Dua t’ju kujtoj një shprehje: “Një ditë e shkuar keq nuk është një jetë e shkuar keq”

[ Ajo çfarë do t’ju sugjeroja është që ta lexoni këtë artikull disa herë dhe të filloni të punoni me “duhet” që ia kushtëzoni vetes apo të kushtëzuara nga shoqëria. Bëni një listë të gjërave që mendoni se “duhet” t’i bëni sepse i bëjnë edhe të tjerët, veprime që edhe po i bëtë nuk do të keni asnjë përgjegjësi apo ndëshkim penal – për shembull: “unë nuk duhet të rri natën në klube kërcimi”. Gjithashtu, punoni me 4 teknikat e propozuara nga Albert Ellis.

Bëjeni këtë ushtrim me veten vazhdimisht dhe do të filloni të kuptoni presionet që i merrni për të mirëqena por që mbase nuk i aprovoni.]