Si të ktheni shtëpinë tuaj në një oaz lumturie dhe paqeje – Sekreti është Interior Design-i - Business Magazine Albania

Si të ktheni shtëpinë tuaj në një oaz lumturie dhe paqeje – Sekreti është Interior Design-i

Si të ktheni shtëpinë tuaj në një oaz lumturie dhe paqeje – Sekreti është Interior Design-i

Në botën post-pandemike, ku kalojmë më shumë kohë brenda ambienteve tona, shtëpia mund të jetë më shumë se një strehë – mund të jetë një mjet i fuqishëm për një shëndet më të mirë. Këtë e dëshmon interior designer-ja Diana Mui, themeluesja e “Love House Foundation” në New York, e cila është e përkushtuar që të kthejë shtëpitë e pacientëve me kancer në ambiente të shëndetshme dhe shëruese, duke ndihmuar në lehtësimin e stresit emocional dhe mendor gjatë trajtimit.

“Ne e dimë që jeta mund të sjellë sfida, por ndjehesh i pathyeshëm derisa të përballesh me to,” thotë Mui, e cila sapo ka mposhtur betejën me kancerin e gjirit. “Mendoj se ndikimi emocional është ai që kërkon më shumë shërim.” Për Mui, shndërrimi i shtëpisë së saj në një ambient që promovon mirëqenien ishte një nga mënyrat më të fuqishme për të përballuar emocionalisht sfidat e trajtimit. “Mësova sa e rëndësishme është të krijosh një hapësirë që nuk është thjesht e bukur, por që flet për personalitetin tënd.” Gjithsesi, nuk është e nevojshme të jeni duke përballuar një sëmundje për të përfituar nga një ambient që mbështet mirëqenien tuaj. Mui ndan disa këshilla të thjeshta për ta kthyer shtëpinë tuaj në një hapësirë më të shëndetshme dhe të lumtur.

Dritë dhe energji pozitive

“Sapo hyj në një hapësirë, gjëja e parë që shikoj janë dritaret,” thotë Mui, duke theksuar rëndësinë e dritës natyrale. Studimet tregojnë se drita natyrale nuk është vetëm një faktor që përmirëson humorin, por edhe një forcë e madhe për shëndetin. Ajo ndihmon në rregullimin e gjumit, rrit nivelet e energjisë, ndihmon në prodhimin e vitaminës D dhe madje përmirëson sistemin imunitar. Në qytete të mëdha si New York-u, ku shumë banorë kanë pamje të kufizuara ose shohin vetëm ndërtesa përreth, marrja e dritës natyrale mund të jetë sfiduese. Në këto raste, Mui sugjeron përdorimin e llambave dhe aplikave të vendosura me kujdes për të krijuar ndriçimin e duhur. Ajo këshillon që në dhomat e ndenjes të përdoren ndriçues me tone të ftohta dhe më të ndritshme për të krijuar një atmosferë energjike, ndërsa në dhomat e gjumit të përdoren ndriçues me tone të ngrohta dhe të buta për të favorizuar qetësinë dhe relaksimin.

Lexo edhe:Innovation Hub, një HUBitat për çdo krijesë!

Fuqia e ngjyrave

Ngjyrat nuk janë thjesht një zgjedhje estetike – ato ndikojnë ndjeshëm në gjendjen tonë emocionale dhe psikologjike. Ngjyrat e ngrohta, si e kuqja, portokallia dhe e verdha, mund të sjellin energji dhe emocion, por gjithashtu mund të shkaktojnë nervozizëm apo agresivitet. Ndërsa, tonet e ftohta, si bluja dhe e gjelbra, kanë një efekt qetësues, por në disa raste mund të shkaktojnë ndjenja melankolie apo indiference. Gjithashtu, ngjyrat mund të ndikojnë në reagimet fiziologjike të trupit. Për shembull, e kuqja mund të rrisë rrahjet e zemrës dhe tensionin e gjakut, pasi shpesh lidhet me sinjale rreziku apo alarmi. Për ata që përballen me stres apo ankth, Mui rekomandon përdorimin e një palete ngjyrash të hapura dhe të ajrosura, duke u fokusuar te tonalitetet e buta që krijojnë ndjesi qetësie dhe harmonie.

Dekori që shëron

Besojeni apo jo, përzgjedhja e duhur e dekorit mund të ndikojë fuqishëm në mirëqenien tuaj, veçanërisht nëse përballeni me sfida shëndetësore. “Fotografitë e njerëzve që doni janë një faktor universal i shërimit,” thotë Mui. “Ato sjellin një ndjenjë personaliteti në hapësirën tuaj dhe ju kujtojnë për ata që ju motivojnë të vazhdoni përpara.” Përveç vizualitetit, ndjesia e prekjes është gjithashtu e rëndësishme. Mui këshillon përdorimin e tekstileve të buta dhe të këndshme për lëkurën, si batanije të ngrohta, jastëkë të butë dhe tapete që krijojnë një ndjesi rehatie dhe sigurie. Nga ana tjetër, rrëmuja është diçka që duhet shmangur me çdo kusht. Ajo është e lidhur me rritjen e nivelit të kortizolit – hormoni i stresit – dhe mund të çojë në ndjenja ankthi apo faji. Për ta mbajtur ambientin të organizuar, Mui sugjeron përdorimin e mobilieve me hapësira të fshehura magazinimi, si dollapë apo sirtarë, për të fshehur sendet kur hapësira bëhet e rrëmujshme. Sa i përket organizimit të mobilieve, ajo preferon një plan të hapur dhe rrjedhshmëri natyrale, duke u bazuar te parimet e feng shui, një praktikë e lashtë kineze që fokusohet te balancimi i energjisë dhe krijimi i një harmonie në hapësirën e jetesës.

Ndikimi i bimëve në mirëqenien tonë

Për një përmirësim të menjëhershëm të humorit dhe një ambient më të shëndetshëm, shtoni disa bimë në shtëpi. Studimet tregojnë se bimët e brendshme mund të reduktojnë stresin dhe ankthin. Për shembull, livanda ndihmon në qetësimin e mendjes me aromën e saj relaksuese, ndërsa bimët si zambaku i paqes ndihmojnë në pastrimin e ajrit dhe përmirësojnë cilësinë e gjumit duke çliruar oksigjen gjatë natës.

Dizajn që reflekton lumturinë tuaj

Në fund të fundit, Mui thotë se sekreti i një hapësire që ndikon pozitivisht në shëndetin dhe mirëqenien tonë është të fokusohemi te gjërat që na bëjnë të lumtur, pa ndjekur verbërisht trendet e dizajnit. “Kur po kalon sfida, duhet të mendosh për atë që të bën vërtet të lumtur dhe të ndjekësh atë, jo atë që është në modë,” thekson ajo. Së fundmi, Mui dhe “Love House Foundation” kanë sjellë ekspertizën e tyre në spitalin Mount Sinai në New York, ku ndihmuan në krijimin e një hapësire të përkohshme për pacientët me kancer dhe familjet e tyre. E hapur më 4 shkurt, në Ditën Botërore të Kancerit, kjo ekspozitë përmban pemë simbolike ku vizitorët mund të lënë mesazhe dashurie dhe mbështetjeje për ata që po përballen me sëmundjen.

nyp

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0