Si po ndryshon Pigi App mënyrën se si fëmijët mësojnë të menaxhojnë paratë? - Business Magazine Albania

Si po ndryshon Pigi App mënyrën se si fëmijët mësojnë të menaxhojnë paratë?

Si po ndryshon Pigi App mënyrën se si fëmijët mësojnë të menaxhojnë paratë?

Si mund t’i ndihmojmë fëmijët të mësojnë menaxhimin e parave në një mënyrë të thjeshtë dhe argëtuese? Në një intervistë ekskluzive me themelueset e Pigi App, Irena Matraku dhe Bora Selenica, zbuluam historinë pas këtij startup-i inovativ, si lindi ideja, sfidat e tyre dhe ndikimin që po krijojnë në edukimin financiar të fëmijëve. Pigi nuk është thjesht një aplikacion, por një mjet praktik që ndihmon prindërit dhe fëmijët të ndërtojnë zakone të shëndetshme financiare.

11 shkurt, tek One Connect Hub, do të zhvillohet në bashkëpunim me  AlbaniaTech, Product Launch #2 ku do të prezantohen funksionalitete të reja të aplikacionit, përvoja e përdoruesve dhe planet për të ardhmen. Një mundësi e shkëlqyer për prindërit, edukatorët dhe inovatorët që duan të jenë pjesë e revolucionit të edukimit financiar.

  • Mund të na tregoni pak për historinë e startup-it tuaj? Cili është misioni dhe vizioni i startup-it tuaj?

Pigi nuk lindi rastësisht, por si rezultat i një kombinimi të pasionit dhe eksperiencës sonë. Gjatë një hackathoni 48-orësh, ideja e Pigit mori formë, por dëshira jonë për të ndërtuar diçka tonën kishte nisur shumë më herët. Me një përvojë disa vjeçare tonën në teknologjinë në edukim, marketingun dhe ndërtimin e partneriteteve, vendosëm të sjellim një zgjidhje që mungonte: një mënyrë argëtuese dhe praktike për t’i mësuar fëmijëve se si të menaxhojnë paratë në mënyrë të zgjuar që nga fëmijëria. Misioni ynë është të fuqizojmë brezat e rinj me njohuri financiare duke e bërë menaxhimn e parave një eksperiencë argëtuese dhe të natyrshme për ta. Vizioni ynë është të krijojmë një brez të ri që kupton vlerën e punës, kursimit dhe vendimmarrjes së zgjuar financiare.

  • Çfarë e bën startup-in tuaj unik në krahasim me të tjerët në treg?

Pigi është risi jo vetëm në tregun shqiptar, por edhe përtej kufijve. Shumë aplikacione të ngjashme fokusohen vetëm tek transaksionet bankare ose janë thjesht lojëra edukative. Pigi i bashkon të dyja në një ekosistem të strukturuar që i lejon fëmijët të mësojnë për paratë në mënyrë praktike, duke i përdorur ato në një mënyrë që pasqyron botën reale. Gjithashtu, Pigi nuk është vetëm një aplikacion për fëmijët, por një mjet i vlefshëm për prindërit, duke krijuar një kanal komunikimi të drejtpërdrejtë mes tyre dhe fëmijëve mbi paratë, kursimet dhe vendimet financiare.

  • Na tregoni më shumë rreth produktit/shërbimit të ri që po lançoni.

Me Pigin, prindërit mund të shtojnë fëmijët e tyre në aplikacion dhe t’u caktojnë misione si “laj enët”, “ndihmo në përgatitjen e darkës” apo “pastro lodrat”, duke vendosur shpërblime nw lek për secilin mision. Ata mund të monitorojnë progresin e fëmijëve në realizimin e misioneve, dëshirave dhe kursimeve të tyre. Nga ana tjetër, fëmijët jo vetëm që mund të përmbushin misionet e prindërve, por gjithashtu mund të krijojnë objektivat e tyre të kursimeve për dëshira si një lodër e preferuar apo një aktivitet i veçantë. Pigi i vendos ata përballë vendimeve financiare që i ndihmojnë të kuptojnë konceptet e kursimit dhe menaxhimit të parasë, duke i mësuar si të planifikojnë, të kursejnë dhe të bëjnë zgjedhje të zgjuara.

  • Çfarë problemesh synon të zgjidhë ky produkt/shërbim?

Në shumë familje, paratë janë një temë tabu për fëmijët. Shumica e tyre rriten pa pasur një edukim të duhur mbi vlerën e punës, kursimit dhe planifikimit financiar. Kjo shpesh çon në vendime financiare të gabuara në moshën madhore. Pigi adreson këtë boshllëk duke u siguruar që fëmijët mësojnë koncepte financiare bazë që në fëmijëri, në mënyrë praktike dhe argëtuese, duke e kthyer kursimin dhe planifikimin në një zakon të natyrshëm.

Lexo edhe:“Pigi App: Formësimi i edukimit financiar për fëmijët” – Vjen seria e dytë e “Product Launch” nga AlbaniaTech!

  • Cilat janë veçoritë kryesore që dallojnë këtë produkt/shërbim?

Një nga veçoritë kryesore që e dallon Pigin është kombinimi i edukimit financiar me një qasje praktike dhe argëtuese. Ndryshe nga aplikacionet e tjera që fokusohen vetëm te transaksionet financiare ose te lojërat edukative, Pigi krijon një ekosistem të ndërveprimit mes prindërve dhe fëmijëve. Prindërit mund të caktojnë misione, të monitorojnë progresin e fëmijëve dhe t’i ndihmojnë ata të zhvillojnë aftësi financiare, ndërsa fëmijët mësojnë të kursejnë, të vendosin objektiva dhe të marrin vendime të zgjuara mbi menaxhimin e parave. Për më tepër, Pigi nuk është thjesht një platformë për shpërblime financiare, por një mjet edukativ që ndihmon në krijimin e zakoneve të shëndetshme financiare që zgjasin gjithë jetën.

  • A keni testuar këtë produkt/shërbim me përdorues realë? Nëse po, cili ka qenë reagimi i tyre?

Po! Sot Pigi ka mbi 1,300 përdorues të regjistruar, dhe shumë prej tyre e përdorin rregullisht. Prindërit e shohin Pigin si një mënyrë efektive për të organizuar detyrat e fëmijëve dhe për t’i mësuar ata rreth vlerës së punës dhe kursimit. Disa prindër na kanë thënë se për herë të parë, fëmijët e tyre po fillojnë të kursejnë dhe të vendosin synime financiare. Kjo është një shenjë e mirë që Pigi po ndikon realisht në mënyrën si fëmijët mësojnë dhe mendojnë për paratë.

  • Çfarë përfitimesh konkrete sjell ky produkt/shërbim për përdoruesit?

Pigi sjell përfitime të rëndësishme për përdoruesit e tij, si për prindërit ashtu edhe për fëmijët. Për prindërit, aplikacioni ofron një mënyrë të thjeshtë dhe efektive për të ndihmuar fëmijët të kuptojnë vlerën e parasë dhe të zhvillojnë aftësi të shëndetshme financiare nga një moshë e vogël.
Nga ana tjetër, për fëmijët, Pigi është një mënyrë argëtuese dhe interaktive për të kuptuar konceptet e menaxhimit të parave. Ata mësojnë të caktojnë objektiva financiare, të kursejnë për dëshirat e tyre dhe të marrin vendime të zgjuara për shpenzimet e tyre. Kjo jo vetëm që i ndihmon të zhvillojnë përgjegjësi financiare, por edhe i përgatit për të ardhmen, duke u dhënë një bazë të fortë për të kuptuar rëndësinë e planifikimit financiar dhe menaxhimit të buxhetit personal. Për një vend si Shqipëria, ku edukimi financiar është ende në zhvillim, Pigi sjell një kontribut real në rritjen e ndërgjegjësimit dhe përgatitjen e brezave të rinj për një të ardhme më të sigurt financiarisht.

  • Si mendoni se ky produkt/shërbim do të ndikojë në përmirësimin e përditshmërisë të audiencës suaj?

Pigi nuk është vetëm një aplikacion edukativ, por një mjet praktik që ndihmon familjet të krijojnë zakone të mira financiare çdo ditë. Për prindërit, ai shërben si një planifikues i detyrave dhe shpërblimeve, ndërsa për fëmijët është një udhëzues i parë në botën e financave.

  • Mund të na tregoni më shumë detaje mbi eventin e datës 11 shkurt? Pse duhet t’ju vizitojnë me patjetër?

Në këtë event, do të ndajmë sesi Pigi po përdoret aktualisht dhe ndikimin që ka te familjet shqiptare. Do të shfaqim funksionalitetet e reja që do të prezantojmë në të ardhmen dhe do të diskutojmë mbi rëndësinë e edukimit financiar për fëmijët. Ky është një event i hapur për prindër, edukatorë, investitorë dhe të gjithë ata që besojnë në fuqinë e edukimit financiar dhe inovacionit në këtë fushë. Për ata që duan të jenë pjesë e këtij ndryshimi dhe të kontribuojnë në përmirësimin e edukimit financiar për brezat e ardhshëm, ky event nuk duhet humbur.

Regjistrohu këtu për të marrë pjesë në Product Launch #2! Vendet janë të limituara

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0