Si një nënë e trajtoi diagnozën e rrallë të vajzës si sfidë biznesi... - Business Magazine Albania

Si një nënë e trajtoi diagnozën e rrallë të vajzës si sfidë biznesi dhe e fitoi?

Në fillim ishte tronditja. Një diagnozë e rrallë, që parashikonte një jetë të vështirë për vajzën e saj. Mjekët i thanë se e vogla nuk do të fliste kurrë. Por ajo nuk pranoi fatin e parashkruar. E bëri sfidën personale një projekt jetësor dhe nisi ta drejtonte familjen si një startup. Me strukturë, strategji dhe vendosmëri.

Lexo gjithashtu: Si një vendim i thjeshtë e bëri Starbucks-in… STARBUCKS?

“Të drejtoja familjen si një biznes mund të duket joromantike, por rezultatet ishin të jashtëzakonshme,” rrëfen Asia Solnyshkina, themeluese e kompanisë ProSense, e cila vendosi të aplikojë të njëjtat metoda sipërmarrjeje edhe në betejën më të vështirë të jetës së saj, luftën për të ardhmen e vajzës së saj, Teia.

Në vitin 2023, Teia u diagnostikua me PURA syndrome, një çrregullim shumë i rrallë gjenetik. Vetëm rreth 750 njerëz në mbarë botën e kanë këtë sëmundje. Nuk kishte protokolle. Nuk kishte shpresë të garantuar. Por kishte një nënë që refuzoi të dorëzohej.

“Jam sipërmarrëse. Ballafaqohem përditë me të panjohurën dhe e shndërroj në mundësi. Pse të mos e bëja këtë edhe për vajzën time?”

Ajo e ndau problemin në pjesë më të vogla, siç bën gjithmonë në biznes. E nisi me simptomën më urgjente, Teia nuk fliste fare. Nuk kishte ekspertë për PURA-n, por kishte specialistë të logopedisë. U këshillua me mjekë, bëri “rekrutime”, provoi terapistë. Deri sa gjeti “specialisten e duhur”. Ajo e këshilloi: “Nëse do që Teia të flasë, duhet të punoni me të 8 orë në ditë.”

Lexo gjithashtu: Si të bëhesh viral në Youtube? MrBeast ndoqi këtë strategji

8 orë? Ajo ishte një nënë e lodhur, një sipërmarrëse me klientë ndërkombëtarë, dhe një grua e ndarë nga bashkëshorti. Por nuk e ndali veten. E dinte që ndërhyrja e hershme ishte jetike. E kuptoi që për të fituar këtë “betejë”, duhej të ndërtonte një ekip.

T’i rikthehesh bashkëshortit për hir të vajzës

Statistikat tregojnë se çiftet me fëmijë me sëmundje të rënda shpesh ndahen. Ata ishin ndarë tashmë. Por për Teian, ajo vendosi të “rikthente bashkimin”.

“Nuk ishte më marrëdhënia jonë romantike. Ishim partnerë në një mision jetik, që vajza jonë të fliste.”

Pastaj erdhi “super-dadoja”, një infermiere me përvojë, e dashur dhe që fliste gjuhën amtare të Asia-s. Një ëndërr e vërtetë për çdo prind. Ajo e strukturuan gjithçka, terapistja ishte si drejtuesja e strategjisë, dadoja si menaxhere operative, babai organizonte aktivitetet jashtëterapeutike, ndërsa Asia merrej me buxhetin dhe vlerësimin e progresit.

Një familje që funksiononte si një kompani. Me takime javore, me objektiva, me ndarje rolesh. Dhe, më e rëndësishmja, me rezultate.

Lexo gjithashtu: Si një ‘‘mashtrim’’ prej 40 dollarësh e bëri Mark Cuban milioner?

Ajo që mësoi si nënë, ia dhuroi sërish biznesit

Kjo përvojë e bëri një lidere më të mirë. Ajo kuptoi fuqinë e udhëheqjes emocionale, rëndësinë e motivimit afatgjatë dhe nevojën për besim mes anëtarëve të “ekipit”.

“Çdo të premte bënim ‘check-in’ emocional, shkruanim përparimet në një ditar. Kur lodheshim, e rilexonim dhe ndiheshim sërish me shpresë.”

Ky stil i ri menaxhimi kaloi edhe në kompaninë e saj. Tani, punonjësit e saj kanë mbledhje për të shfryrë, për të shprehur ndjesitë, jo vetëm objektivat. Dhe motivimi është rritur.

Kur strukturon dashurinë, jo për ta ftohur, por për ta forcuar

Asia e di që shumë njerëz e gjykojnë: “Pse të menaxhosh një familje si një biznes?” Por ajo ka një përgjigje:

“Sepse funksionoi. Sepse ndihmoi. Sepse e bëri vajzën time të flasë, kur të gjithë thoshin se ishte e pamundur.”

Në një botë ku shpesh mendojmë se dashuria duhet të rrjedhë natyrshëm dhe intuita mjafton për të qenë prindër të mirë, kjo histori na mëson që strukturimi nuk ftoh dashurinë, e forcon atë. Dhe kur bëhet fjalë për jetën e një fëmije, çdo metodë që funksionon është më shumë se e justifikuar. Është shpëtimtare.

Entrepreneur

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0