Si mund të vendosin prindërit kufij në përdorimin e AI për fëmijët e tyre? - Business Magazine Albania

Si mund të vendosin prindërit kufij në përdorimin e AI për fëmijët e tyre?

Gjithnjë e më shumë adoleshentë po ndërveprojnë me chatbot-ë si ChatGPT i OpenAI, Character.AI dhe Meta AI. Sipas një raporti të korrikut 2025 nga organizata jofitimprurëse Common Sense Media, 72% e të rinjve të moshës 13–17 vjeç i kanë përdorur të paktën një herë këto platforma. Më shumë se gjysma, 52%, i përdorin disa herë në muaj, ndërsa 13% i përdorin çdo ditë.

Në shumë raste përdorimi është i padëmshëm,  46% e adoleshentëve thonë se i përdorin si mjete për të mësuar apo për të marrë informacione. Por për disa të tjerë, varësia dhe “marrëdhënia” e krijuar me këto programe shkon më thellë, madje deri në pasoja tragjike. Javën e kaluar, prindër të adoleshentëve që humbën jetën duke kryer vetëvrasje pas përdorimit të gjatë të chatbot-ëve dëshmuan para Kongresit amerikan për rreziqet e kësaj teknologjie të re. Jonathan Haidt, profesor në NYU Stern School of Business dhe autor i bestsellerit The Anxious Generation, prej disa vitesh po paralajmëron për ndikimin e dëmshëm të teknologjisë tek të rinjtë. Ai ofron edhe hapa praktikë që prindërit mund të ndërmarrin për të mbrojtur shëndetin mendor të fëmijëve të tyre.

Lexo edhe:NATO shpalos fuqinë e teknologjisë ushtarake, dronë dhe AI në aksion

Chatbot-ët me AI janë “jashtëzakonisht të rrezikshëm”, tha Haidt në Fast Company Innovation Festival. “Ne kemi raste vdekjesh. Kemi deluzione edhe tek të rriturit. Por aktualisht, më e rrezikshmja duket të jenë marrëdhëniet, bisedat e gjata.” Sipas tij, nëse fëmijët i përdorin këto mjete për të mësuar ose për detyra shkollore, është “gjithsesi një gjë e mirë”. Por problemi lind kur përdorimi kthehet në lidhje emocionale. Pikërisht aty prindërit duhet të vendosin kufij të qartë. Një nga rregullat që Haidt sugjeron është që përdorimi të bëhet vetëm në një pajisje të përbashkët, si kompjuteri i familjes. Ai gjithashtu rekomandon që bisedat me chatbot-ët të mos zgjasin më shumë se 30 shkëmbime mesazhi. Në rastet tragjike, thotë ai, bisedat kishin shkuar në mijëra e mijëra raunde — dhe kjo bëri dallimin. Edhe vetë OpenAI, në një postim të gushtit 2025, pranoi se “sistemet e sigurisë funksionojnë më mirë në ndërveprime të shkurtra dhe të zakonshme, ndërsa në biseda shumë të gjata mund të bëhen më pak të besueshme.”

Haidt thekson se kompanitë e teknologjisë “kanë një histori të gjatë të dëmtimit të fëmijëve në shkallë industriale” dhe për këtë arsye, barra për të vendosur rregulla bie mbi prindërit. “Asnjë fëmijë nuk duhet të ketë një marrëdhënie me AI-në,” thotë ai.

cnbc

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0