Shërbimi postar është përbërës thelbësor i infrastrukturës socio-ekonomike të një vendi, ndaj është i rëndësishëm. Zhvillimi ekonomik dhe postar janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin. Sa më shumë që një vend është duke vuajtur nga vështirësitë ekonomike, aq më shumë do ta ketë të vështirë të ndërtojë performancë të lartë në shërbimet postare. Kjo nuk do të thotë që zhvillimi është i pamundur në mungesë të një mjedisi të favorshëm socio-ekonomik, sepse vende të ndryshme në zhvillim, kanë arritur një shkallë suksesi, duke gjetur këndin e duhur për të trajtuar pengesat kryesore.
Shërbimet postare janë fluide, me prirje për të thyer barrierat e ndryshme mes vendeve dhe për të përforcuar ato nyje që janë vërtetuar të suksesshme në vëllimet e dërgesave, përjashto rastet kur ndërpritet nga tronditje të mëdha. Ndërprerjet që ndodhën në zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit, për shkak të pandemisë COVID-19 ishin një shembull i qartë i një tronditjeje të madhe globale. Ky ishte një shembull për të treguar se si rrjetet mund të ndërtohen pas një krize ose mund të shkatërrohen plotësisht. Sipas raportit të zhvillimit të tregut postar në 2020 nga Bashkimi Global i Postave (UPU), “në sektorin postar karantina pati një ndikim më të madh në gjerësinë e rrjetit sesa në thellësinë e tij. E thënë ndryshe, edhe pse vëllimi i dërgesave po rimëkëmbet, lidhjet midis partnerëve të brendshëm apo të jashtëm duan një kohë më të gjatë rekuperimi. Kjo nënkupton se ky kurs do ndiqet edhe për disa kohë në vijim”.
Artikulli u publikua më parë në faqen 32 të numrit 26 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Siguroni këtu nr. 26 të saj.
Në këtë kontekst, shërbimet postare në vendet në zhvillim janë veçanërisht të rrezikuara, thekson raporti. Edhe para krizës, ekonomitë postare ishin të ulëta në këto vende, duke u përkthyer në kosto relativisht të larta operacionale strukturore. Në këto vende është më e vështirë që tregtia elektronike të zhvillohet edhe nëse lidhja e internetit është më e larta. Veçanërisht, në rastin e artikujve më të vegjël, transferimi i blerjeve nga një dyqan fizik në një platformë online kërkon një rrjet shpërndarës të shkallëzuar, pikërisht atë që u mungon shumë vendeve në zhvillim. Sidoqoftë, pavarësisht nga ndryshimet midis operatorëve postarë, mund të luajë një rol të rëndësishëm diferencues në vitet e ardhshme, përmirësimi i logjistikës. Në një mjedis kaq sfidues, dikush mund të pyesë se si një vend mund të promovojë në mënyrë efektive zhvillimin postar. Përgjigjia varet shumë nga secili rast specifik dhe kërkon një analizë të kujdesshme.
Zakonisht, lëvizjet e rëndësishme në renditjen globale janë rezultat i investimeve nga shtetet për të përmirësuar cilësinë e shërbimit, duke shkurtuar kohën, parashikueshmërinë e dërgesave dhe duke mundësuar që vëllime të mëdha dërgesash të tregtohen me një numër më të madh të partnerëve të jashtëm. Por, le të kthehemi në kushtet e vendit tonë dhe të shohim se cilat kanë qenë hapat e aktorëve në këtë proces gjatë gjithë këtyre viteve për të formuar një pasqyrë të qartë se cila është situata dhe cila do të jetë e ardhmja. Për këtë jemi kujdesur ta shohim në dy këndvështrime. Nga njëra anë, kemi marrë eksperiencën e një operatori me shumë vite në treg, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin postar në Shqipëri dhe nga ana tjetër kemi intervistuar një postë të re në treg që ka një mendësi të re dhe do që të ndikojë në këtë proces.
Foto Zeneli: shërbimi postar do të zhvillohet nëse zhvillohet infastruktura postare
Foto Zeneli, themeluesi i Adex Courier & Logistics, la një jetesë shumë të mirë në Greqi, si një drejtues në një nga postat më të mëdha në Ballkan, për t’u kthyer në vendin e tij dhe për të investuar në krijimin e postës së parë private shqiptare. Në atë kohë, kur shërbimi postar ishte i monopolizuar në dorën e Postës Shqiptare, Foto theu barrierat dhe krijoi një postë që i shërbente më mirë njerëzve dhe nxiti të tjerët që të investonin gjithashtu në këtë sektor.
Me rreth 20 vite eksperiencë në këtë sektor në Shqipëri dhe jashtë saj, Foto na tregoi një pasqyrë të ecurisë së shërbimit postar të gjithë këtyre viteve.
“Qëllimi më i madh që investova në shërbimin postar nuk kanë qenë paratë, sepse unë bëja një jetesë shumë të kënaqshme, por gjatë një studimi që duhet të kryeja në këtë sektor pashë që kishte kërkesë të lartë tregut dhe kishte mungesë në kulturën e shërbimit, si nga ana e postës, edhe nga porositësit. Që nga ky moment, qëllimi im u bë edukimi.”- tha Foto ndërsa vendoste theksin gjithnjë e më shumë se posta ka një rol thelbësor në përmirësimin e jetës së njerzve, duke kursyer kohë dhe para.
Tregtia Online, nga ana tjetër ka vënë në dukje gjithnjë e më tepër rëndësinë e shërbimit postar. Ai tregon se, “Tregtia online është një tregti inteligjente dhe të rinjtë duhet të investojnë. Mund ta fillojnë me rrjetet sociale dhe më pas të kalojnë në një formë më të organizuar, duke krijuar një website. Unë kam qenë ndër të parët që kam lobuar dhe vazhdoj të loboj për zhvillimin e kësaj tregtie dhe kam mbështetur shumë të rinj që sot janë të suksesshëm në këtë sektor. Marrëdhënia e postës me këtë lloj tregtie është e ndërsjellë dhe të dyja kanë nevojën e njëra tjetrës”.
Foto na tregoi se në 15 ditët e para të karantinës ishin shumë të vështira. Porositë ranë drastikisht dhe punonjësit u demotivuan. Por, pas kësaj filloi një bum i madh blerjesh dhe porositë u shumëfishuan, ndonjëherë përtej kapaciteteve që Adex kishte. Kjo tregon fuqinë e tregtisë online, e cila thyen shumë barriera që ekzistojnë në llojet e tjera të tregtisë.
Raporti i UPU e rendit Shqipërinë shumë poshtë për sa i përket indeksit të zhvillimit postar. Themeluesin e Adex e pyetëm për problemet që has sektor. Përgjigjia e tij duket si emërues i përbashkët i përgjigjeve që nga shumë posta dhe korrierë: infrastruktura dhe mungesa e një sistemi të mirëfilltë adresash. Nëse këto do të ekzistonin do të ulej kostoja dhe do të shkurtohet koha e dërgesave. Tjetër pengesë janë politikat jofavorizuese, të gabuara dhe joefikase për shërbimin postar, të cilat nuk rregullojnë dhe kontrollojnë tregun. Të gjitha shërbimet shtetërore janë fokusuar te Posta Shqiptare, duke centralizuar këtë sektor në një operator të vetëm. Në plan të parë ndoshta ky element nuk është shqetësues, por po të shohësh statistikat e AKEP, Posta Shqiptare zotëron pjesën më të madhe të këtij tregu, duke konkurruar bindshëm gjithë operatorët e tjerë privatë dhe duke cënuar konkurrencën në treg, në një kohë kur konkurrenca është jetike për të përmirësuar cilësinë e shërbimit. Vitet e fundit operatorët privatë po e thyejnë këtë trend, duke u kthyer të parët në shërbimet postare jashtë vendit dhe duke rritur pozicionin e tyre brenda vendit.
Tjetër faktor pse renditemi me një indeks të ulët të zhvillimit postar, Foto thotë se është prania e operatorëve që punojnë në të zezë. Ata kanë një pjesë të konsiderueshme të shërbimeve postare, por për shkak se nuk deklarojnë aktivitetin e tyre.
Infrastruktura e pa zhvilluar ndikon në mënyrë direkte zonat rurale, të cilat përbëjnë rreth 40% të popullsisë. Adex ofron shërbim në çdo fshat që ka infrastrukturë rrugore, ndërsa aty ku mungon është e vështirë për shkak të kostove të mëdha. Duket që në këtë pikë operatorët dhe porositësit nuk gjejnë rrugën e përbashkët edhe pse kanë shumë nevojë për njëri-tjetrin. Ndërhyrja e institucioneve dhe vëmendja ndaj zhvillimit të infrastrukturës sjell zhvillim në këtë pikë, e cila vihet shumë në dukje edhe nga raporti i UPU.
Kur flasim për të ardhmen, Foto duket mjaft optimist përtej sfidave të shumta, duke zhvilluar më tej këtë sektor. Ai thotë se nëse do të krijohen kodet postare të rregullta dhe nëse do zhvillohet sistemi i adresave, situata do të përmirësohet ndjeshëm. Adex synon që në vitet në vijim të përhapet në Kosovë, Maqedoni dhe vende të tjera të rajonit, ndërsa një tjetër hap është vendosja në Itali, për të ulur kostot për dërgesat jashtë Shqipërisë.
Sadi Lika, shërbimi postar është një nga hallkat më të rëndësishme të zinxhirit të shitjes online
Sa të rëndësishëm e shihni shërbimin postar dhe si ndikon ai në ekonominë shqiptare në përgjithësi dhe në tregtinë online në veçanti? Cila është marrëdhënia e postës me tregtinë online?
Shërbimi postar është një nga hallkat më të rëndësishme të zinxhirit të shitjes online. Pa u zhvilluar në bazë të nevojave të klientëve, asnjë produkt nuk mund të shitet online, e sidomos në Shqipëri, ku kërkesat e klientët janë të veçantë.
Si ndikoi COVID-19 në biznesin tuaj? Cilat ishin pasojat dhe cila është gjendja aktuale krahasuar me 2020? Cilat lloje biznesesh patën fluksin më të madh të porosive?
COVID-19 ka ndaluar tashmë përshpejtimin e zhvillimit të çdo biznesi, sepse qarkullimi i parasë është shumë i ulët. Pavarësisht kësaj vështirësie, Greenposta ka pasur ecuri pozitive nga 120%-200% rritje të fluksit nga muaji në muaj. Kjo rritje ka ardhur falë marrëdhënies së qëndrueshme që kemi krijuar me dyqanet online dhe shërbimit korrekt.
Sipas raportit për vitin 2020 të UPU (Universal Postal Union) Shqipëria renditet në vendin e 95-të, në bazë indeksit të zhvillimit postar dhe trendi aktual i zhvillimit është negativ. Pse renditemi kaq poshtë? Cilat janë barrierat që pengojnë shërbimin postar të zhvillohet më tej?
Adresari dhe pagesat Cash on Delivery janë dy pengesat kryesore në këtë proces. Shumica e shitjeve online në Shqipëri nuk procedohen nëpërmjet kanaleve elektronike, por me pagesë në dorëzim (korrieri merr pagesën kur dërgon porosinë). Orientimi me adresat është stres më vete, pasi asnjë godinë nuk ka numër, kod postar apo kuti postare. Korrierët orientohen nëpërmjet zonave, objekteve më të njohura.
Në zonat rurale shërbimi postar është pothuajse i paarritshëm, keni menduar një zgjidhje për këtë problem?
Ne zonat rurale, ku nuk ka infrastrukturë, shërbimi postar nuk mund të zhvillohet. Nuk kemi menduar për zgjidhje në këtë aspekt pasi ROI del negativ sido që të jetë strategjia.
Cila është e ardhmja e shërbimit postar në epokën digjitale, sipas jush? Cila është sfida më e madhe për vitet në vijim?
Përshtatja sipas nevojave të tregut është sfida më e madhe. Klientët kërkojnë dorëzime të shpejta, në orar të përcaktuar, gjurmim në kohë reale, likujdime të shpejta të cash-it të akumuluar. Greenposta është posta e parë ekologjike e licensuar në Shqipëri nga AKEP për ofrimin e shërbimeve postare. Shërbimet tona janë më të shpejtat në rajon.
Ofrimi i menjëhershëm i marrjes së likuiditetit pas dorëzimit të porosisë u vjen në ndihmë bizneseve të kenë likuiditet të shpejtë për furnizim. Kjo e bën me dinamike shitjen. Falë mënyres së organizmit dhe bashkëpunimeve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Greenposta vlerësohet si shërbimi “Customer need oriented” në vend. Ne jemi duke u zhvilluar dhe dy hapat e ardhshëm kryesorë të kompanisë janë lancimi i një sistemi inovativ menaxhimi dhe gjurmimin të shitjeve online. Përpos kësaj, në 6 muajt e ardhshëm do të arrijmë dorëzimin brenda 24 orëve në Kosovë dhe Maqedoni. Se si do të realizohet mbetet për t’u parë në vijim.
Posta ka nevojë emergjente të zhvillohet më tej, në një kohë kur tregtia online ka shpërthyer. Për të ruajtur ritmet e këtij zhvillimi jashtë vendit, ndihet nevoja e përshtatjes së menjëhershme edhe me teknologji të reja. Shqetësimi është se çfarëdo lloj risie të aplikohet do të çalojë nëse çalon infrastruktura.
Artikulli u publikua më parë në faqen 32 të numrit 26 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Siguroni këtu nr. 26 të saj.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.