Sfidat e vaksinimit për COVID-19 në Shqipëri - Business Magazine Albania

Sfidat e vaksinimit për COVID-19 në Shqipëri

~5 minuta lexim

Procesi i vaksinimit po shtrihet në zona të ndryshme në Shqipëri duke përfshirë në fillim moshat e treta. Specialistët e Shëndetit Publik thonë se nevojitet organizim më i mirë i vaksinimeve ndonëse ato janë në një numër të ulët. Vaksinimi po kryhet aktualisht në qendra të përqendruara në qytetet kryesore, por më pas pritet të shtrihet në qendrat shëndetësore.

Të moshuarit kanë nisur të vaksinohen në Shqipëri kundër “Covid 19” në qendra të përqendruara, të hapura posaçërisht nga autoritetet shëndetësore, në disa prej qyteteve kryesore . Në një qendër të tillë në Gjirokastër vihet re një interesim i lartë që herët në mëngjes, ku është krijuar edhe radhë për t`u vaksinuar. Procesi për secilin që merr vaksinën zgjat pak, por autoritetet thonë se duhet bërë kujdes për të shmangur grumbullimet pasi banorët janë thirrur për t`u mbrojtur dhe jo infektuar. Specialistja e Shëndetit publik Silva Bino thotë se procesi më pas do të vijojë në qendrat shëndetësore duke shmangur këto pika të përqendruara.

“Deri tani nuk kemi pasur vaksinim në pika të grumbulluara, pra vaksinimet janë kryer në qendra shëndetësore. Ky është vaksinim në një qendër të grumbulluar ndaj është shumë i rëndësishëm organizimi. Nëse do të jetë në një qendër shëndetësore duhet orari i caktuar që të ketë mirëkuptim me popullatën pasi askush nuk do ngelet pa vaksinuar”, thotë ajo.

Drejtori i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Gjirokastër Shpëtim Novi thotë se organizimi i vaksinimit bëhet nga mjekët e lagjeve që përpilojnë listat mbi bazë të regjistrit elektronik dhe në pikat e përqendruara vijnë personat e njoftuar. Sipas tij skema funksionon pa probleme ndonëse në fillim ka një përqendrim, në të njëjtën kohë, të personave të njoftuar, tek qendra e vaksinimit.

“Aplikimi i vaksinës antikovid bëhet mbi bazë të një planifikimi që qendrat shëndetësore bëjnë mbi bazë të personave të kësaj grupmoshe. I gjithë problemi i këtij procesi është që çdo banor të kontaktohet nga mjeku familjes lidhur me vaksinën. Ka edhe persona që mund të mos aplikojnë vaksinë si ata që mund të jenë të infektuar për momentin apo kanë pasoja që vlerësohen nga mjeku”, thotë ai.

Pranë pikave të vaksinimit qëndrojnë ekipet e urgjencës shëndetësore, por deri tani sipas përgjegjësit të shërbimit epidemiologjik në Gjirokastër Arenc Brahimi nuk ka pasur asnjë rast të reaksionit apo përkeqësimit shëndetësor pas kryerjes së vaksinës.

Specialistja e Institutit të Shëndeti Publik Silva Bino thotë se Shqipëria ka kapacitete për ta zhvilluar procesin që do të varet nga ardhja e dozave të vaksinës dhe koha. Sipas zonjës Bino përparësi tani i është dhënë personelit shëndetësor i cili është vaksinuar në pika të përqendruara dhe më pas pjesëtarëve në shtëpitë e të moshuarve dhe moshave të treta në zonat urbane dhe rurale.

“Mendoj se vaksinimi do shkojë pa probleme pasi nga pikat e përbashkëta do kalojmë në vaksinimet në qendrat shëndetësore. Shqipëria ka një rrjet shumë të mirë të qendrave shëndetësore dhe të vaksinimit, pra rrjet vaksinatoresh dhe infermieresh që janë mësuar me vaksinimin gjatë gripit, kështu që do jetë e volitshme ecuria në varësi të dozave të vaksinës dhe kohës”, thotë ajo.

Në Shqipëri, që nga mesi i janarit të këtij viti kur nisi procesi, janë vaksinuar rreth 18 mijë persona, ndërkohë që në vend për këtë periudhe kanë ardhur 32 mijë e 562 vaksina, prodhim i kompanisë Pfizer. Shqipëria e pret sasinë më të madhe të vaksinave nga mekanizmi ndërkombëtar “COVAX “ me te cilin ka nënshkruar një marrëveshje për 1.114.000 doza vaksinash, të parapaguara me rreth 3,9 milionë dollarë. Mekanizimi “COVAX “ njoftoi se deri në Maj Shqipëria do të marrë mbi 140 mijë doza vaksina të kompanisë AstraZeneca.

Sipas autoriteteve një sasi prej më shumë se 14 mijë dozash të kësaj vaksine pritet të mbërrijë brenda 15 marsit. Ekspertët e shëndetit kanë kërkuar përshpejtimin e procesit të vaksinës nisur edhe nga përkeqësimi i infektimeve dhe pasojave për jetën. Vetëm gjatë muajit shkurt në Shqipëri humbën jetën 423 persona dhe ritmi i lartë i infektimeve me koronavirus që po vijon po shoqërohet me numër të lartë humbjesh jete edhe gjatë ditëve të para të marsit.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

✨ Thënia e ditës
“Nëse doni që fëmijët tuaj t’ia dalin, shpenzoni dyfish kohë me ta”
— Abigail Van Buren
Must watch
Business Mag Nr. #38 - Qershor 2025

Shqipëria është sot më pranë se kurrë Bashkimit Europian. Hapat integrues të ekonomisë drejt njëjtësimit me standardet europiane, transformimi digjital, ligji për mbrojtjen e të dhënave, qasja ndaj inovacionit dhe mbrojtja e pronës intelektuale, janë të gjitha tregues të një Shqipërie që po zhvillohet me ritme të kënaqshme.

Kjo nuk është më Shqipëria e viteve të gjumit institucional dhe të një sektori privat që rri në pritje. Sot, vendi është në lëvizje. Nga hapësirat e betonit gri të Piramidës në Tiranë, ku të rinjtë po programojnë të ardhmen, e deri te sipërmarrjet që sjellin zgjidhje inovative dhe injektojnë ritëm e ambicie në treg, po ndërtohet një ekonomi që kërkon të jetë pjesë e botës së zhvilluar.

“Krijo, por mbro!” – ky apel i DPPI-së duhet të shkruhet në çdo zyrë, studio, fabrikë apo laborator. Nuk ka zhvillim pa siguri ligjore, dhe nuk ka ekonomi kreative pa mbrojtje të së drejtës autoriale.
Në të njëjtën kohë, Bashkimi Europian po zgjat dorën me fonde dhe projekte konkrete. Nga modernizimi i rrjetit hekurudhor tek financimi i startup-eve dhe sipërmarrjeve të gjelbra, mbështetja e BE-së po i jep frymë një transformimi të qëndrueshëm ekonomik. Platformat si Think Big dhe programet e edukimit digjital janë duke krijuar një ekosistem të ri për inovacionin.

Për bizneset shqiptare, e tashmja është një mundësi që nuk mund të shpërdorohet. Standardet …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0