Samir Mane, përdorimi i duhur i inteligjencës artificiale do të përcaktojë suksesin apo dështimin e një biznesi - Business Magazine Albania

Samir Mane, përdorimi i duhur i inteligjencës artificiale do të përcaktojë suksesin apo dështimin e një biznesi

Sipërmarrësi Samir Mane ishte pjesë e Web Summit. Gjatë samitit ai takoi të gjithë pjesëmarrësit shqiptarë, ku dha mesazhet dhe këndvështrimin e tij për qasjen ndaj teknologjisë. Më poshtë ju sjellim një intervistë me z. Mane.

Z. Mane, keni marrë pjesë në aktivitetin më të madh kushtuar risive teknologjike dhe digjitale që organizohet në Evropë, Web Summit. Ishit për të mësuar mbi inovacionet më të fundit, apo për të parë për ndonjë start-up, ku mendoni të investoni?

Unë si sipërmarrës jam gjithnjë në mbështetje të ideve të reja që mund të krijojnë biznes të dobishëm për shoqërinë, por që edhe të krijojnë të ardhura. Gjithashtu, besoj shumë që inovacionet e fundit teknologjike, sidomos në botën digjitale, paraqesin mundësi të mëdha për të investuar. Web Summit që organizohet në Portugali nuk është eventi i vetëm që lidhet me zhvillimet digjitale që unë ndjek. Mundohem që gjatë vitit të përcaktoj një kalendar me disa evente të rëndësishme që lidhen me inovacionin në mbarë botën e të jem i pranishëm. Kjo më ndihmon të mësoj për zhvillimet më të fundit, por edhe “gjuaj” për start-up që paraqesin mundësi të mira investimi dhe kanë nevojë për mbështetje.

Të gjithë flasin për një revolucion digjital. Sa i rëndësishëm mendoni se është dhe do të jetë aplikimi i inovacioneve digjitale?

Jemi dëshmitar të disa ndryshimeve madhore dhe të shpejta që po ndodhin në fusha të ndryshme të shoqërisë, rrjedhimisht edhe në biznes. Zhvillimi është aq i vrullshëm sa ndonjëherë bëhet e vështirë ta ndjekësh. Unë mendoj se revolucioni digjital po ia lë vendin revolucionit të inteligjencës artificiale. Shumë shpejt procese të tëra, që aktualisht kërkojnë shumë kohë dhe shumë mundim për t’u realizuar, do të ndihmohen nga inteligjenca artificiale, duke fituar shumë kohë dhe duke kursyer resurse. Ky trend po merr përparësi të mëdha në biznes, por edhe në sektorin publik të shërbimeve. Përditë shikojmë krijimin e mjeteve të reja të inteligjencës artificiale që po gjejnë përdorim gjithnjë e më të gjerë.

Përdorimi i zgjidhjeve që ofron inteligjenca artificiale shikohet me skepticizëm nga shumë personalitete ndërkombëtare. Mund të përmend këtu Yuval Noah Harari, i cili e shikon si shkatërrues për njerëzimin. Ju si pozicionoheni në këtë diskutim?

Unë e shikoj inteligjencën artificiale si ndihmë për procese apo punë që harxhojnë shumë kohë, që kërkojnë shumë energji dhe shumë mund. Jam mbështetës i përdorimit të inteligjencës artificiale për t’i bërë gjërat më të lehta. Patjetër që do të ridimensionojë shumë aspekte të jetës tonë. Patjetër që disa profesione mund të rrezikohen, por po aq e vërtetë është që po krijohen edhe specializime dhe profesione të reja, ku kërkohen aftësi të tjera. Ashtu si edhe më parë, njerëzimi ka ditur të përshtatet dhe të përdorë gjithçka që i ofrohet në të mirën e tij.

Nuk duhet të kemi frikë në përdorimin e inteligjencës artificiale. Përdorimi i zgjuar dhe i duhur i inteligjencës artificiale do të përcaktojë edhe fatet e shumë bizneseve në të ardhmen. Prandaj, sa më shpejt të mësohemi me idenë e një ndihme nga inteligjenca artificiale dhe sa më shpejt të mësojmë si ta përdorim në mënyrën e duhur, aq më shumë shanse do kemi që të përparojmë.

Mane, ju operoni në disa tregje rajonale dhe më gjerë, a mendoni se ka ardhur koha që kompanitë shqiptare të kthejnë sytë nga teknologjia që të kthehen në kompani rajonale dhe pse jo edhe globale?

Ka disa tregues për përdorimin e teknologjisë dhe inovacioneve digjitale. Pavarësisht se vendet e rajonit të Ballkanit nuk pozicionohet mirë, ka rritje të konsiderueshme nga viti në vit. Nga takimet që kam me biznesmenë dhe drejtues kompanish nga rajoni mund të them që sektori privat ka interes dhe po investon në këtë drejtim. Do ishte marrëzi që në ditët e sotme të mos fokusoheshe dhe të mos investoje në teknologji dhe në digjitalizimin e proceseve të ndryshme të një biznesi. Nëse nuk ndjek dot ritmin e vendeve të tjera, nuk u përgjigjesh dot as partnerëve ndërkombëtarë, që janë në një stad të caktuar të përdorimit të zgjidhjeve digjitale dhe e presin edhe nga kompanitë me të cilat ndërtojnë partneritete.

Vendet mesdhetare si Shqipëria preferohen shumë nga nomadët digjital nga vende të ndryshme të botës, sidomos Evropa e veriut. Njoh dy të tillë që janë transferuar bashkë me familjet e tyre në Green Coast. U pëlqen shumë klima, ushqimi dhe ambienti social. Tani ka ardhur momenti që vendi të mos jetë joshës vetëm për individë që operojnë në fushën e teknologjisë, programimit dhe zhvillimeve digjitale, por edhe për kompani. Duhet të ndërtojmë paketa që kompanitë ndërkombëtare të zhvendosin selitë e tyre tek ne. Shqipëria dhe gjithë rajoni duhet të gjejnë një pikë referimi në një shtet që është shumë më përpara në aplikimin e teknologjisë në jetën e përditshme e të mundohen ta ndjekin.

Vetë Grupi BALFIN a po investon në inovacion, në teknologji dhe në digjitalizim?

Grupi BALFIN po investon në dy drejtime përsa i përket inovacionit. Jemi duke punuar me transformimin e proceseve të brendshme të kompanive si edhe po investojmë në start-upe teknologjike.

Ka disa vite që kemi nisur rimodelimin e kompanive tona duke rritur përdorimin e teknologjive të reja për digjitalizimin e disa proceseve, një pjesë e të cilave fuqizohen nga inteligjenca artificiale. Për shembull, marketingu ka ndërtuar disa fushata komunikimi, duke përdorur imazhe të krijuara krejtësisht nga inteligjenca artificiale. Ndërkohë, kemi ndërtuar një ekip të dedikuar për transformimin digjital që po bëjnë një punë të mirë. Kanë sjellë zgjidhje për procese që më parë kërkonin shumë kohë dhe shumë mund. Sot realizohen shumë shpejt dhe në mënyrë me efikase.

Drejtimi i dytë ku ne kemi fokusuar investimet tona ka të bëjë me investimin në start up teknologjike. Për të qenë më konkret, po përmend këtu një prej investimeve tona që lidhet me teknologjinë-mjekësore. Ne kemi investuar te një start-up, Clexbio, që ofron një zgjidhje shumë inteligjente në fushën e mjekësisë. Implantet rigjeneruese që po zhvillon Clexbio do të jenë një revolucion në bio-inxhinieri.

Ne jemi në kërkim të oportuniteteve për të investuar në inovacione që mund të prodhojnë biznes dhe të jenë të dobishme. Gjithashtu, duam të mbështesim të rinjtë e të rejat që kanë ide inovatore që t’i realizojnë. Inovacioni është në ADN e Grupit BALFIN dhe është pjesë e kulturës sonë si korporatë.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0