Blerja e Groenlandës nga ana e Shteteve të Bashkuara «do të ishte në thelb një operacion i madh imobiliar». Donald Trump e ka përsëritur këtë disa herë që prej vitit 2019, kur për herë të parë hodhi idenë e blerjes së ishullit të madh arktik nga Danimarka. Tani që presidenti amerikan duket më i vendosur se kurrë për t’i paraqitur një ofertë pronarit aktual, lind natyrshëm pyetja: sa vlen Groenlanda?
Groenlanda, pse Trump këmbëngul? Lëndët e para: ja çfarë synojnë Shtetet e Bashkuara
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, mund të adoptohet një kriter historik. Shtetet e Bashkuara kanë tentuar tashmë dy herë ta blejnë ishullin. Pas nënshkrimit të blerjes së Alaskës nga Rusia për 7,2 milionë dollarë, në vitin 1868 sekretari amerikan i Shtetit, William H. Seward, shqyrtoi edhe mundësinë e blerjes së Groenlandës dhe Islandës për 5,5 milionë, por nuk arriti kurrë të paraqiste një ofertë formale. Ai që e bëri këtë ishte në vitin 1946 presidenti Harry Truman, i cili ofroi 100 milionë dollarë në shufra ari për të bindur Danimarkën t’i shiste territorin. Pa sukses.
Kjo shumë do të ishte sot e barabartë me rreth 1,6 miliardë dollarë, vlerëson American Action Forum, një think tank i qendrës së djathtë. Por do të ishte më korrekte ta aktualizoje në përpjesëtim me PBB-në amerikane të vitit 1946 dhe atë të vitit 2025, me rezultatin që Trump do të duhej të vendoste në tryezë rreth 12,9 miliardë dollarë për të barazuar ofertën e Trumanit.
Burimet minerare
Krahasuar me vitin 1946, megjithatë, prodhimet kanë ndryshuar thellësisht, ndaj “çmimi” që Danimarka do të kërkonte duhet të marrë parasysh vlerën e Groenlandës për ekonominë amerikane dhe atë botërore. Vlerësohet se ishulli strehon burime minerare me vlerë 4.400 miliardë dollarë: rreth 1.700 miliardë naftë dhe gaz; nxjerrja e të cilave sot është e ndaluar për arsye mjedisore dhe 2.700 miliardë minerale të tjera, mes të cilave edhe tokat e rralla jashtëzakonisht të çmuara.
Lexo edhe: Eric Schmidt financon një teleskop hapësinor privat më të madh se Hubble
Megjithatë, nxjerrja e këtyre rezervave është larg së qeni e thjeshtë, për shkak të klimës armiqësore, mungesës së fuqisë punëtore dhe infrastrukturës: më pak se 2% e territorit të Groenlandës është objekt licencash për eksplorim minerar. Prandaj, American Action Forum vlerëson se vlera aktuale e burimeve minerare të shfrytëzueshme të ishullit është rreth 186 miliardë dollarë. Një shumë që, megjithatë, nuk merr parasysh mundësinë që, pasi të bëhen pronarë, Shtetet e Bashkuara të Trumpit të shtypin fort pedalin e industrisë minerare dhe të naftës me thirrjen “Drill, baby, drill”.
Pozicioni strategjik
Përveç burimeve minerare, Trump e dëshiron Groenlandën edhe për arsye gjeopolitike: «Na duhet për sigurinë tonë», ka thënë ai, duke iu referuar pozicionit të saj strategjik në Arktik, i cili, me shkrirjen e akullnajave dhe përparimin teknologjik, po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një terren përballjeje mes fuqive të mëdha: Kina, Rusia dhe, pikërisht, Shtetet e Bashkuara.
Si mund t’i vihet një çmim kësaj komponentë jashtë-ekonomike, por të sigurisë dhe ushtarake? Nëse vërtet blerja e Groenlandës është një marrëveshje imobiliare, atëherë, sipas think tank-ut ia vlen ta vlerësosh ishullin me kriteret e atij tregu. Nëse SHBA-të do të blinin të gjitha ndërtesat ekzistuese në Islandë, një vend i ngjashëm me Groenlandën për pozicionimin gjeostrategjik do të duhej të shpenzonin 131 miliardë dollarë, ose 1,28 milionë për kilometër katror. Duke aplikuar këtë vlerë për të gjithë territorin groenlandez, arrihet në një çmim total prej 2.760 miliardë, rreth 9% e Prodhimit të Brendshëm Bruto amerikan dhe 7% e borxhit të tij publik.
Çmimi i Luizianës
Një shumë enorme, por jo fantastiko-shkencore, nëse shihen precedentët historikë. Për të blerë Luizianën nga Franca, e madhe një e njëzeta e Groenlandës, në vitin 1803, për shembull, Shtetet e Bashkuara shpenzuan 15 milionë, shifër e barabartë me 3% të PBB-së së asaj kohe dhe me 890 miliardë dollarë të sotëm.
Edhe më të leverdishme për SHBA-të sidomos po të krahasohen me përfitimin afatgjatë ishin blerjet e Floridës nga Spanja në vitin 1819 (5 milionë, 0,68% e PBB-së), e Alaskës nga Rusia në vitin 1867 (7,2 milionë, 0,09% e PBB-së) dhe e Ishujve të Virgjër Amerikanë, të cilët u shitën pikërisht nga Danimarka për 25 milionë (0,04% e PBB-së) në vitin 1917.
E drejta ndërkombëtare
Këta precedentë i përkasin kryesisht një epoke kur territoret konsideroheshin në të drejtën ndërkombëtare si një e mirë e negociueshme dhe, për rrjedhojë, e blerë e e shitur (gjë që, për më tepër, mund të lehtësonte në një farë mase përfundimin e luftërave ose të shmangte shpërthimin e tyre).
Por konsolidimi i shteteve-komb, i parimit të sovranitetit dhe i vetëvendosjes së popujve e bën idenë e Trumpit për blerjen e Groenlandës të duket jashtë kohe ose, të paktën, shumë më e vështirë për t’u përfshirë në një kontratë bilaterale shitblerjeje. Jo rastësisht, në komunikatën e tyre të përbashkët, Italia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Danimarka dhe Spanja theksuan se «Groenlanda i përket popullit të saj: i takon Danimarkës dhe Groenlandës, dhe vetëm atyre, të vendosin për çështjet që i prekin».
Corriere della Sera
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.