Ekskluzive/ Brenda tregut të “5 Majit”, lot, dëshpërim dhe miliona euro hi - Business Magazine Albania

Ekskluzive/ Brenda tregut të “5 Majit”, lot, dëshpërim dhe miliona euro hi

Era e djegies ndihet ende nga larg. Tym i dendur, kapanone të nxira dhe policë që nuk lejojnë askënd të afrohet. Kështu e gjeti këtë mëngjes BusinessMag ish-tregun e Uzinës së Dinamos në rrugën “5 Maji”, aty ku mbrëmjen e djeshme një zjarr i fuqishëm shkrumboi magazinat e qindra bizneseve duke shkatuar dëme kolosale.

Edhe pse flakët janë vënë nën kontroll nga zjarrfikësit, vatra aktive vijojnë ende brenda kapanoneve, duke e bërë zonën të rrezikshme. Për këtë arsye, autoritetet nuk lejojnë asnjë nga tregtarët t’u afrohet hapësirave ku kishin të magazinuar mallrat e tyre.

Brenda këtyre kapanoneve, sipas burimeve nga tregtarët, zhvillonin aktivitetin e tyre tregtar rreth 200 biznese, kryesisht të fushës së veshmbathjes dhe elektroshtëpiakeve; mallra që sot janë kthyer në hi.

“Më iku gjithë jeta brenda natës”

Pranë shiritit të policisë, tregtarë të dërrmuar presin pa ditur asgjë. Disa qajnë në heshtje, të tjerë flasin me zë të lartë,  të dëshpëruar, por edhe të zemëruar për ndërhyrjen e vonuar dhe të cunguar të zjarrëfikësve që në momentet e para.

“Ka ardhur vetëm një zjarrfikëse, i mbaroi uji. Mund të ndalohej zjarri, nuk do hapej deri këtu. S’më lanë të futesha brenda, se e fikja vetë. Sa e kisha sjellë mallin nga Kina… mbi 500 mijë euro dëm. Këto gjëra na detyrojnë të ikim. Do iki nga Shqipëria, s’kam çfarë të bëj më këtu”, – thotë për BusinessMag R…, një nga tregtarët, ndërsa sytë i mbushen me lot.

Pamjet janë tronditëse: burra e gra që mbajnë kokën me duar, qytetarë që afrohen për të shprehur solidaritet dhe një heshtje e rëndë që ndërpritet vetëm nga zhurma e zjarrfikëseve.

Miliona euro dëme, por ende pa shifra zyrtare

Në momentin që raportojmë, nuk ka ende një përllogaritje zyrtare të dëmit, por tregtarët dhe burime nga zona flasin për miliona euro mall të djegur. Tregu i “5 Majit” konsiderohet më i madhi në Tiranë dhe furnizues i një pjese të madhe të dyqaneve në kryeqytet dhe rrethe, çka e bën pasojën jo vetëm individuale, por edhe në gjithë zinxhirin e tregtisë.

Lexo edhe: Nga zjarret te përmbytjet, si u përball Shqipëria me pasojat e ndryshimeve klimatike në 2025-ën

Çdo orë që kalon pa akses në magazina rrit ankthin e bizneseve, të cilat nuk dinë as nëse do të arrijnë të shpëtojnë qoftë edhe një pjesë të mallit.

Çfarë do të ndodhë me bizneset?

Në ditët në vijim pritet shuarja e plotë e zjarrit dhe sigurimi i zonës,  identifikimi i dëmeve për secilin tregtar. verifikimi nëse bizneset kanë ose jo sigurime dhe më pas, vendimet për mbështetje apo kompensim.
Por për shumë prej tyre, dëmi është tashmë i pakthyeshëm.

“Na u dogj gjithçka. Mall, borxhe, plane. Nuk është thjesht biznes, është jeta jonë”, – thotë një tjetër tregtar, duke mos pranuar të identifikohet.

Në rrugën “5 Maji”, sot nuk ka vetëm kapanone të djegura. Ka jetë të shkatërruara, investime të humbura dhe një pyetje : a do të ngrihet sërish ky treg dhe si?

 

Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e zjarrit. Burime paraprake bëjnë me dije se dyshohet një harresë e një ngrohëseje elektrike, por kjo mbetet ende për t’u konfirmuar zyrtarisht.Ekspertët pritet të hyjnë në zonë vetëm pasi të shuhet plotësisht çdo vatër aktive, për të kryer këqyrjen teknike dhe hetimore.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0