Rekord historik, energjia diellore udhëheq për herë të parë në BE - Business Magazine Albania

Rekord historik, energjia diellore udhëheq për herë të parë në BE

Për herë të parë në histori, energjia diellore ka prodhuar më shumë elektricitet se çdo burim tjetër në Bashkimin Europian gjatë muajit qershor. Të dhënat më të fundit nga organizata analitike për energjinë Ember tregojnë se energjinë diellore e përbënte 22.1% të përzierjes energjetike të BE-së, duke tejkaluar me pak diferencë energjinë bërthamore dhe, veçanërisht, duke lënë shumë pas lëndët djegëse fosile. Të paktën 13 shtete anëtare thyen rekorde mujore për prodhimin e energjisë diellore, përfshirë Holandën (40.5%) dhe Greqinë (35.1%), falë rritjes së kapacitetit prodhues dhe kushteve të favorshme të motit me shumë diell.

Ky ndryshim i madh ndihmoi gjithashtu BE-në të përballojë rritjen e kërkesës për energji, e nxitur nga valët e të nxehtit që goditën kontinentin në fillim të verës.

“Europa po kthehet në një superfuqi diellore,” – thotë analisti i Ember për energjinë, Chris Rosslowe.

Qymyri në rënie të lirë: BE arrin nivelet më të ulëta ndonjëherë të energjisë nga qymyri
Teksa energjia diellore është rritur në mënyrë marramendëse, varësia e Europës nga qymyri ka rënë ndjeshëm. Vetëm 6.1% e elektricitetit të BE-së gjatë qershorit vinte nga qymyri, një rënie nga 8.8% në të njëjtin muaj të vitit të kaluar dhe niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.

Gjermania dhe Polonia, dy vendet që përbëjnë shumicën e konsumit të qymyrit në BE, raportuan shifra minimale historike. Gjermania gjeneroi vetëm 12.4% të energjisë nga qymyri, ndërsa Polonia ruajti një nivel të lartë, me 42.9% të energjisë që ende vjen nga ky burim.

Edhe vende si Çekia (17.9%), Bullgaria (16.7%) dhe Danimarka (3.3%) shënuan ulje të ndjeshme në përdorimin e qymyrit.

Ndërkohë, 10 shtete anëtare të BE-së nuk përdorën fare energji nga qymyri, përfshirë Irlandën, e cila mbylli zyrtarisht termocentralin e saj të fundit me qymyr më 20 qershor. Spanja dhe Sllovakia planifikojnë gjithashtu ta heqin plotësisht qymyrin nga përzierja energjetike gjatë vitit 2025.

Lexo edhe: Sa kushton një iPhone në Europë? Vendet ku do të paguani më shumë (dhe më pak)

Dielli dominon: 13 vende të BE-së me rekorde të reja në energjinë diellore
Përveç Holandës dhe Greqisë, Belgjika, Kroacia, Franca, Hungaria, Italia, Portugalia dhe Sllovakia shënuan gjithashtu pjesëmarrje rekord të energjisë diellore në përzierjen e tyre energjetike.

Të dhënat sinjalizojnë një transformim të fuqishëm drejt energjisë së pastër në Europë – një verë e dominuar më shumë nga dielli dhe më pak nga karburantet fosile. Një pjesë e suksesit të energjisë diellore në BE i atribuohet mbështetjes së gjerë publike ndaj burimeve të rinovueshme, sidomos kur ato sjellin përfitime të dukshme ekonomike. Komisioni Europian raporton se gati nëntë nga dhjetë europianë mbështesin përpjekjet e BE-së për të zgjeruar burimet e rinovueshme. Panelet diellore në çati, faturat më të ulëta dhe pavarësia nga tregjet e paqëndrueshme të karburanteve janë duke tërhequr veçanërisht gjeneratën e re të konsumatorëve të vetëdijshëm për klimën. Iniciativat komunitare që ofrojnë zbritje, pronësi të përbashkët apo krijim të vendeve të punës lokale janë gjithashtu më të suksesshme dhe të qëndrueshme në kohë.

Në vitin 2008, vetëm 1% e prodhimit të energjisë së rinovueshme në Europë vinte nga dielli. Në vitin 2023, kjo shifër ishte 20.5%, sipas Komisionit Europian. “Rekordet nuk po vendosen vetëm nga moti me diell, por edhe nga ndërtimi i vazhdueshëm i kapaciteteve të reja çdo vit,” – thekson Rosslowe.

Pavarësisht arritjes së këtij momenti historik, analistët theksojnë se kjo është vetëm një pamje e pjesëshme e potencialit të energjisë diellore në Europë.

Një studim i fundit nga Global Energy Monitor tregon se shndërrimi i minierave të vjetra të qymyrit në ferma diellore mund të gjenerojë energji të mjaftueshme për të furnizuar një vend të tërë si Gjermania.

Në mbarë kontinentin, mbi 1.2 milionë hektarë sipërfaqe të liruara nga industria e qymyrit mund të shfrytëzohen për energji të pastër, sipas kësaj organizate me qendër në San Francisko.

Era dhe dielli së bashku: BE përparon, por sfidat mbeten
Nuk është vetëm energjia diellore që po udhëheq tranzicionin. Energjia e erës përbënte gati 16% të prodhimit të energjisë elektrike në BE në maj dhe qershor, shifra më të larta të regjistruara ndonjëherë për këto muaj. Pavarësisht këtyre fitoreve, karburantet fosile vazhduan të përbëjnë rreth një të katërtën e energjisë së prodhuar në qershor – shumë më pak se vitet e kaluara, por gjithsesi një pengesë për ta kapërcyer. Ekspertët thonë se për të çuar përpara këtë transformim, BE-së do t’i nevojitet më shumë kapacitet ruajtjeje, rrjete më inteligjente dhe plane më efikase për menaxhimin e kërkesës. “Burimet e rinovueshme me kosto të ulët po e ndihmojnë Europën të largohet nga varësia ndaj çmimeve të paqëndrueshme të karburanteve fosile,” – shton Rosslowe. “Hapi tjetër i madh është integrimi i baterive dhe fleksibilitetit për të zgjeruar përdorimin e energjisë së pastër në mëngjes dhe në mbrëmje – kur çmimet shpesh diktohen ende nga karburantet fosile.”

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0