Reklamimi në TV vs Digjital. Cilin zgjedh? - Business Magazine Albania

Reklamimi në TV vs Digjital. Cilin zgjedh?

Duke marrë shkas nga zhvillimet e fundit nga bota e Reklamimit Digjital, siç janë ndryshimet që po vijnë në Facebook si pasojë e përditësimeve të iOS 14 dhe duke u interesuar kohët e fundit për të reklamuar BalkMall në televizionet kombëtare, gazetat e shkruara dhe ato online në Shqipëri, vendosa të bëj disa kërkime në Internet dhe të ndaj mendimin tim me ju rreth këtyre 2 mënyrave të reklamimit. Në fillim dua t’ju them që edhe unë jam i mendimit që çdo formë reklamimi është e mirë dhe e nevojshme, madje dhe reklama e keqe është një lloj reklame.

Përpara se të filloj të shkruaj rreth reklamimit digjital ose në televizion dua t’ju them që deri më datë 01.02.2021 ne në BalkMall nuk kemi reklamuar asnjëherë në televizion. Më poshtë do t’ju them dhe arsyet përse nuk e kemi përdorur dhe përse do ta përdorim.

Le të fillojmë me disa fakte historike.

Stacioni i parë televiziv pretendohet të jetë W2XB që filloi transmetimin në New York (Schenectady).

Reklama e parë televizive e transmetuar është ajo e orave Bulova në 1 Korrik 1941 përpara fillimit të ndeshjes së Baseball të zhvilluar midis Brooklyn Dodgers dhe Philadelphia Phillies, e cila zgjati 10 sekonda.

Avantazhet kryesore të reklamimit në Televizion

  • Avantazhi kryesor i reklamimit në televizion është impakti i fortë dhe besueshmëria që jep tek shikuesit. Edhe pse televizionet në Shqipëri janë kthyer në atë që ne shpesh e etiketojmë si “kazan”, ato përsëri kanë një besueshmëri më të lartë sesa portalet online apo rrjetet sociale Facebook dhe Instagram.
  • Një avantazh tjetër është targetimi i audiencës dhe përqindja e vogël e gabueshmërisë. Ndryshe nga rrjetet sociale në televizion është shumë e vështirë (por jo e pamundur) të zgjedhësh audiencën duke ia shfaqur reklamën kujtdo që është duke parë televizor, shto këtu dhe besueshmërinë që jep televizioni dhe përqindja për të gabuar është më e vogël.

Disavantazhet kryesore të televizionit

  • Çmime shumë të shtrenjta. Reklamimi në televizion është shumë i kushtueshëm për rezultatet që mund të sjellë. Një kompani ose biznes i vogël nuk mund të përballojë kostot e reklamave në televizion. Edhe nëse do të reklamonte, frytet e kësaj reklame nuk do t’i shohë aq shpejt sa reklamimi digjital.
  • Reklamimi në televizion për shumë njerëz është si një bezdisje kur fillojnë reklamat. A ju ka ndodhur kur jeni duke parë TV dhe sapo ka filluar reklama keni ndërruar kanal?  Ashtu si unë, besoj dhe shumë të tjerë ndjejnë një lloj bezdisje kur janë duke parë pjesën më të bukur të filmit apo programit, fillojnë reklamat dhe i shmangin duke ndërruar kanal apo duke mos i dhënë rëndësi.
  • Reklamimi në Televizion nuk ka mundësi për shumë informacion. Duke qenë se reklamat janë të shkurtra dhe të shtrenjta, ato japin vetëm informacionet më kryesore.

Reklamimi digital

Për herë të parë termi Digital Marketing u përdor në vitin 1990. Reklama e parë Baner është ajo e AT&T, “You Will” në vitin 1994 dhe që për 4 muaj mori 44% klikime nga njerëzit që e panë.

Reklamimi Digjital, ndryshe nga ai në Televizion, është më kompleks dhe vjen në forma dhe platforma të ndryshme. Për reklamimin digjital do të flasim në një artikull tjetër, ku do të shpjegojmë në detaje se çfarë është, si dhe format më të përdorura në Shqipëri.

  • Avantazhi kryesor i reklamimit digjital është që mund të shfaqim reklamën tonë në një masë të madhe njerëzish, në të njëjtën kohë dhe shumë më lirë sesa reklamimi në televizion.
  • Një tjetër avantazh i Reklamimit Digjital është hapësira e madhe që na ofron për të shfaqur informacionet që duam tua servirim klientëve tanë potencialë. Mund të bëjmë artikuj ose video të ndryshme me sa informacione dhe kohëzgjatje që ne dëshirojmë. Klientët potencialë për shumicën e llojeve të biznese gjenden më kollaj online.

Disavantazhet e reklamimit digjital

  • Disavantazhi kryesor i reklamimit digjital është konkurenca jashtëzakonisht e madhe, rritja e kostove në mënyrë konstante nga viti në vit dhe numri i përdoruesve akoma më i madh. Çdokush me një kartë krediti/debiti mund të fillojë të reklamojë online duke filluar me 1 dollar në ditë.
  • Një tjetër disavantazh i reklamimit digjital është se suksesi kërkon kohë dhe prova të shumta për t’u arritur dhe gabimet mund të të kushtojnë shtrenjtë. Siç theksova më lart që çdokush mund të reklamojë online. Por për t’u bërë ekspert do të duhet të shpenzosh kohë dhe para duke eksperimentuar se çfarë është më e mira dhe efektivja për biznesin tënd.

Këto janë disa nga avantazhet dhe disavantazhet e reklamimit në televizion dhe atij digjital.

Lexo: 5 këshilla për reklamimin dixhital që duhet të dini

Cili është më i miri?

Çdo formë dhe mënyrë reklamimi është e mirë. Nëse keni mundësi, bëjini të dyja. Nëse jo, filloni me reklamimin digjital pasi ROAS (Return On Ad Spend) janë më të mira, më efektive, më të matshme dhe sigurisht më të lira. Ne në BalkMall filluam me reklamimin digjital për të njëjtat arsye: më i lirë, më efektiv, më i shpejtë, më i matshëm dhe fakti që jemi një biznes që operon online na bëri të nisnim aty. Sigurisht që do të bëjmë reklama dhe në televizion apo radio pasi kjo jep më shumë besueshmëri. Kjo është një nevojë e ardhur si pasojë e zhgënjimeve të konsumatorit shqiptar nga blerjet online të bëra nga kompani apo individë të papërgjegjshëm. Këshilla ime për këdo është që të provojë të reklamojë në kanale të ndryshme dhe të ndjekë ecurinë e ROAS (Return On Ad Spend) në çdo kohë dhe më pas të vendosë çfarë është më e mirë për biznesin e tij.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0