Raportimi i qëndrueshmërisë: kosto apo vlerë reale për kompanitë? - Business Magazine Albania

Raportimi i qëndrueshmërisë: kosto apo vlerë reale për kompanitë?

Nga Raghuram G. Rajan – Në një koment për Financial Times, kryetari i Komisionit të Letrave me Vlerë të SHBA-së (SEC), Paul Atkins, argumentoi se “SEC duhet t’u kërkojë kompanive të ofrojnë vetëm informacion që një investitor i arsyeshëm do ta konsideronte të rëndësishëm për vendimmarrjen e tij. Rregullat e ndërtuara për aksionerë që synojnë ndryshime shoqërore ose kanë motive të tjera përveç maksimizimit të fitimit, nuk i shërbejnë investitorëve.”

Në pamje të parë, kjo deklaratë mund të duket e arsyeshme. Por ajo ngre një pyetje thelbësore: çfarë konsiderohet realisht e rëndësishme për performancën financiare të një kompanie? Atkins sugjeron se raportimi korporativ nuk duhet të udhëhiqet nga “moda politike” apo “objektiva të shtrembëruar”, duke përmendur direktivën e Bashkimit Evropian për raportimin e qëndrueshmërisë, e cila standardizon publikimin e të dhënave mbi mjedisin, shoqërinë dhe qeverisjen (ESG). Sipas tij, këto raportime “mund të kenë rëndësi shoqërore, por jo domosdoshmërisht financiare.”Megjithatë, kjo mund të jetë më shumë dëshirë sesa realitet. Nëse rregullatorët evropianë e konsiderojnë mjedisin faktor kyç dhe veprojnë mbi këtë bazë, atëherë kjo ndikon drejtpërdrejt në koston e operimit të kompanive shumëkombëshe. Vetëm muajin e kaluar, një gjykatë në Paris gjeti kompaninë TotalEnergies fajtore për “praktika tregtare mashtruese” pasi pretendonte se ishte “një aktor i madh në tranzicionin energjetik”. Gjykata vlerësoi se pretendimet klimatike të kompanisë nuk përputheshin me investimet e saj në hidrokarbure. Edhe pse gjobat aktuale janë të vogla, ato pritet të rriten në të ardhmen, duke u bërë të rëndësishme për investitorët.

Në SHBA, autoritetet rregullatore i japin pak peshë strategjive “të gjelbra” të kompanive apo detyrimit për t’i raportuar ato. Por për firmat që operojnë globalisht, ndryshimet në politikat ndërkombëtare mbeten të rëndësishme. Duke qenë se ndarja mes demokratëve dhe republikanëve për politikat ESG është e thellë, një kompani që sot shmang veprimet e tilla mund të gjendet në vështirësi nën një administratë tjetër. Investitorët që kërkojnë fitime afatgjata duhet të kenë mundësinë të gjykojnë vetë mbi këto çështje.

Lexo edhe: Mali i Zi kalon Shqipërinë në garën për në BE!

Edhe konsumatorët kanë peshën e tyre. Rasti i TotalEnergies tregoi se publiku mund të ndjehet i mashtruar nga pretendimet mjedisore. Në një botë që përballet me ngrohjen globale, është e arsyeshme të pritet që një pjesë e konsumatorëve të udhëhiqen nga praktikat mjedisore të kompanive.

Studimet tregojnë gjithashtu se kompanitë braziliane me standarde më të mira mjedisore (të certifikuara nga autoritetet) tërheqin punonjës më të kualifikuar dhe, në fund, performojnë më mirë. Kështu, pavarësisht nëse praktikat mjedisore janë apo jo të pëlqyera politikisht, ato mund të përmirësojnë bilancin financiar, një faktor që aksionarët kanë të drejtë ta dinë.

Atkins ngre gjithashtu çështjen e audiencës për raportimet korporative, duke kundërshtuar rregullat që favorizojnë aksionarët e motivuar nga qëllime sociale. Por çfarë ndodh nëse një pjesë e aksionarëve është e gatshme të heqë dorë nga një pjesë e fitimit për praktika që sjellin dobi shoqërore? Duhet injoruar kjo prirje?

Tradicionalisht, është argumentuar se fokusimi vetëm në fitimet financiare u mundëson investitorëve të përdorin më vonë pasurinë e tyre për të mbështetur çfarëdo kauze sociale që zgjedhin. Por studiuesit Oliver Hart (Harvard) dhe Luigi Zingales (Chicago) vënë në dukje se shumë aksionarë mund të preferojnë që vetë kompania të veprojë drejtpërdrejt mbi çështjet që i shqetësojnë. Shembulli klasik është ndotja mjedisore: më mirë ta parandalosh sesa ta pastroni më vonë me kosto shumë më të lartë.

Prandaj, SEC nuk mund t’i trajtojë investitorët me motivime shoqërore si “bezdisës”, pasi ata mund të përbëjnë shumicën në disa kompani. Në një treg ku informacioni është i bollshëm, pyetja e vërtetë është: çfarë ka vërtet peshë materiale? Raportimet e detyrueshme janë të vlefshme vetëm nëse ofrojnë informacion më të besueshëm se ai që kompanitë zgjedhin të publikojnë vetë. Dhe ndonëse raportimi shton barrën administrative, ai mbetet i nevojshëm kur është në interes publik.

Në fund, SEC duhet të pranojë se raportimet korporative kanë ndikime të shumëfishta; financiare, shoqërore dhe politike. T’i injorosh këto si “çështje politike” është në vetvete një akt politik. Qasja më e shëndetshme është të njihen të gjitha këto ndikime dhe të bëhen balancimet e duhura në politikat e raportimit.

*Raghuram G. Rajan është profesor financash në University of Chicago Booth School of Business, ish-guvernator i Bankës Qendrore të Indisë dhe ish-kryeekonomist i FMN-së.

Copyright: Project Syndicate, 2025/ www.project-syndicate.org

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0